E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbogar përgëzoi Thaçin për marrëveshjen

Përfaqësuesi special i BE-së/shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, përgëzoi qeverinë e Kosovës për marrëveshjen e arritur për përfaqësimin dhe bashkëpunimin rajonal, në raundin e fundit të dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

Duke përgëzuar kryeministrin Hashim Thaçi, Zbogar tha se Bashkimi Evropian beson fuqishëm se kjo marrëveshje e ndihmon të ardhmen evropiane të Kosovës.

“Përgëzoj udhëheqësit politik të Kosovës për këtë hap të pjekur që do ta përafrojë edhe më Kosovën me BE-në. Kur një udhëheqës përballet me një çështje të vështirë, më së lehti është që ta kundërshtojë apo thjeshtë ta shtyjë vendimin. Duhet guxim i vërtetë dhe akt burrëror që të tejkalohen politikat partiake dhe të shikohen interesat e popullit të Kosovës dhe e ardhmja e saj. Kjo meriton çdo lëvdatë”, ka thënë Zbogar.

Sipas tij, marrëveshjet e arritura në raundin e fundit të bisedimeve të lehtësuara nga BE-ja, do t’i mundësojnë Kosovës që të merr pjesë dhe të nënshkruaj marrëveshje të reja në emër të vetin, si dhe të flas në emër të vet në të gjitha takimet rajonale.

“BE-ja do të vazhdojë të lehtësojë dialogun në mes të Prishtinës dhe Beogradit, me synim që të sigurojë zbatimin e marrëveshjeve të arritura në të mirë të qytetarëve të Kosovës si dhe të Serbisë”.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›