E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëvendosje, peticion kundër marrëveshjes

Lëvizja Vetëvendosje ka ndërmarrë sot një fushatë sensibilizimi kundër nënshkrimit të marrëveshjes së Kosovës më Serbinë, për bashkëpunimin rajonal. Drejtuesit e Vetëvendosjes kanë kërkuar mbajtjen e një debati në Kuvend, ku të diskutohet për detajet e marrëveshjes dhe mbi faktin se çfarë ka fituar Prishtina nga ky pakt.

Për këtë qëllim, sot Vetëvendosja ka nisur mbledhjen e firmave nga gjithë komunat e Kosovës për të mundësuar mbajtjen e debatit dhe anulimin e marrëveshjes. “Kërkojmë që Kuvendi i Republikës së Kosovës në përputhje më nenin 65 pika 1 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si dhe nenet 15 dhe 38 të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës, të mbajë debat parlamentar për ta trajtuar këtë kërkesë tonën: Të mos pranohet marrëveshja për përfaqësimin rajonal të Kosovës pa termin Republikë dhe më Rezolutën 1244 në fusnotë”, thuhet në dokumentin e Vetëvendosjes që sot është shpërndarë në gjithë Kosovën.

“Qeveria e Republikës së Kosovës tashmë ka zyrtarizuar marrëveshjen më qeverinë e Serbisë për denominim politik të përfaqësimit dhe bashkëpunimit rajonal të Republikës së Kosovës. Kjo marrëveshje filloi si qëndrim i kryeministrit Hashim Thaçi, i cili shpejtë dhe pa diskutim fare, u bë qëndrim i qeverisë dhe tash marrëveshje më Serbinë”, thuhet tutje në këtë komunkatë.

Sipas Vetëvendosjes, futja e Kosovës si fusnotë dhe heqja e emërtimit politik Republikë nga emri ynë shtetëror është prapakthim në avancimin tonë politik të brendshëm e të jashtëm. Pavarësia dhe sovraniteti i Kosovës janë të patjetërsueshme dhe të panegociueshme, dhe askush nuk ka të drejtë të marrë vendim për cenimin, shkurtimin, apo heqjen e tyre.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›