E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marrëveshje e panatyrshme

Ish–kreu i shtetit, Fatmir Sejdiu e sheh të panatyrshme marrëveshjen e arritur mes PDK’së, LDK’së dhe AKR’së. Ai thotë se vendi në një të ardhme jo të largët mund të nxjerrë një kushtetutë të re. Në këtë proces, sipas tij, do të duhej të përfshiheshin të gjithë faktorët politikë në Parlamentin e Kosovës. Nga Express më 20 prill 2011 në ora 08:30

Ish–Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu e ka quajtur të panatyrshme marrëveshjen mes Hashim Thaçit, Isa Mustafës dhe Behgjet Pacollit me ndërmjetësimin e ambasadorit amerikan, Christopher Dell, me të cilën vendi doli nga kriza politike.

Në një intervistë për RTK’në, Sejdiu gjithashtu ka thënë se Kosova në një të ardhme jo të largët mund të ketë nevojë të bëjë edhe ndryshime të tjera kushtetuese, apo edhe të nxjerrë një kushtetutë të re.

Sipas Sejdiut, në një akt të tillë, do të duhej të përfshiheshin të gjithë faktorët politikë që e përbëjnë Parlamentin e Kosovës, në mënyrë që kjo të kuptohej si një ujdi e përbashkët për t’i kapërcyer sfidat e kohës.

“Formula e tanishme që kërkon natyrisht në një nga premisat themelore, ndryshimet e nevojshme kushtetuese, është e nevojshme dhe ka qenë e nevojshme edhe më herët, për të shmangur të gjithë keqkuptimet që kanë qenë prezente në proceset e deritashme, sidomos në pozicionin apo që kanë të bëjnë me pozitën e Presidentit të vendit”, ka thënë Sejdiu.

Ish-kreu i shtetit ka paraparë se mund të mos jetë shumë e largët dita kur Kosova do të ketë nevojë edhe për ndryshime të tjera kushtetuese, apo të nxjerrë një kushtetutë të re, e cila do t’u përgjigjej kërkesave të kohës.

Sa u përket ndryshimeve të parapara rreth mënyrës së zgjedhjes së Presidentit, Sejdiu ka thënë se një ide e tillë është e kamotshme.

“Vetë fakti i nxjerrjes së institucionit të Presidentit me votën e qytetarëve, unë mendoj se do të jetë një element i ri i rëndësishëm me kualitet, që do të hiqte apo do të shmangte gjithë këtë pjesë të shtrëngesave që kanë ekzistuar deri tani në sistemin juridik-kushtetues sa i përket këtij institucioni”, ka thënë Sejdiu.

Sejdiu ka shërbyer si President i Kosovës nga viti 2006 deri më 2010. Ai ka dhënë dorëheqje nga ky post në shtatorin e vitit të kaluar, pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte konstatuar se ai kishte shkelur Kushtetutën e Kosovës duke mbajtur edhe postin e Presidentit, edhe postin e të parit të LDK’së.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›