E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fushata për kreun e PD/Olldashi, fushatë për kreun e PD në Ersekë dhe Leskovik

10-07-2013 / Gazeta 55

Sokol Olldashi, kandidat për postin e Kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë u takua me anëtarë dhe simpatizantë të kësaj partie në Ersekë dhe në Leskovik. Gjatë prezantimit të projektit të tij për drejtimin e Partisë më të madhe të së djathtës në Shqipëri, Olldashi deklaroi se Partia Demokratike duhet të riorganizohet në formatin e saj organizativ dhe politik për të nisur një aksion opozitar që do të sjellë rikthimin e saj force fituese në vend. “Duhet të përcaktojmë disa kufij politikë dhe t’u japim qytetarëve një kartë morale të fortë opozitare. Opozita është moral dhe jo numra në Parlament. Neqoftëse ne do të jemi në gjendje, t’ju ofrojmë qytetarëve këtë, jam I bindur se ne do të shndërrohemi shumë shpejt në shumicë. Përmes një veprimi shumë të fortë opozitar, përmes një veprimi shumë të qartë opozitar, përmes fokusimit në problemet reale që ka ky vend. Kemi përballë mazhorancën e Edi Ramës, një njeri i provuar që ndërton vetëm pushtet klientelist dhe të korruptuar. Kemi pjesë të pushtetit të Edi Ramës dhe vektorin e Ilir Metës që nuk është as parti politike, as formacion politik, por është një çetë hajdutësh.
Kandidati për të kryesuar Partinë Demokratike, Sokol Olldashi në takimin e zhvilluar me anëtarët e kësaj partie në Leskovik bëri thirrje për një bashkim opozitar. Olldashi deklaroi se Partia Demokratike duhet të hapë dyert për të gjithë faktorët opozitarë për të ndërtuar një themel të sigurt të fitores në sfidën më të parë elektorale. “Ne duhet të bashkojmë çdo opozitar. Të vijë këtu çdo njeri që është i gatshëm të përballet me qeverinë e Edi Ramës. Duhet të jetë pjesë e jona çdo njeri që është i gatshëm të veprojë dhe te funksionojë si opozitar”- tha ai. Në referencë të garës elektorale, Olldashi tha se Partia Demokratike do të aplikojë një paketë ristrukturimi bazuar në mekanizma që do të forcojnë jetën e brendshme politike . Më herët, Sokol Olldashi ishte në qytetin e Pogradecit ku deklaroi se në Shqipëri ka vetëm dy pole politike dhe se mbi këtë tezë duhët të përqëndrohet veprimi opozitar. LSI iu kthye partisë “ mëmë” – deklaroi Olldashi gjatë takimit me anëtarë dhe simpatizantë në Pogradec, me të cilët zhvilloi një bashkëbisedim të hapur, rreth platformës së tij për drejtimin e Partisë Demokratike. “Duhet të identifikojmë palët politike, gjithmonë në kuadër të veprimit opozitar. Sot, Shqipëria ka dy palë politike, ka qeverinë e Edi Ramës, pjesë e së cilës është edhe Ilir Meta dhe opozitën Partinë Demokratike. Ne duhet të identifikojmë dhe të shënjestrojmë si objektiv, qeverinë e Edi Ramës. Edi Rama dhe Ilir Meta janë pjesë e së njëjtës së keqe, janë partia mëmë, janë bërë prapë bashkë dhe ne e kemi fokusin të përqëndruar tani. Ky është objektivi që ne do të rrëzojmë, në përballjen e parë elektorale me ta”, theksoi Olldashi.
Sokol Paja nuk arrin të mbledhë 7000 firma për kandidimin e PD-së/Sokol Paja nga Tirana e kishte paraqitur kandidaturën, por nuk do të jetë në garën për kreun e Partisë Demokratike. Nuk ia ka dalë të plotësojë kriteret statutore për të mbledhë firmat e duhura nga anëtarësia, në rastin kur ai nuk është kandidaturë zyrtare e kryesisë së PD-së. Tentoi të përfshihej në garë si përfaqësues  i shtresës së të përndjekurve politikë, në kushtet kur Shqipëria –thotë ai- është vendi ku nuk është kërkuar falje për krimet e komunizmit dhe PD nuk e ka përmbushur ende misionin e saj. Ndaj thirrja e tij është hapja e forcës politike ku militon. Të njëjtat kushte duhej t’i plotësonte edhe Astrit Sinani nga Fieri në mënyrë që të listoheshin në fletën e votimit si kandidatë individualë, krahas Sokol Olldashit dhe Lulzim Bashës, kandidaturat zyrtare të kryesisë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›