E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marrëveshje midis Policisë dhe Universitetit të Tiranës

Në kuadër të kësaj marrëveshje Policia e Shtetit do të bashkëpunojë me Universitetin e Tiranës duke shkëmbyer eksperiencat dhe praktikat më të mira pedagogjike mes stafeve të dy institucioneve, nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme, realizimit të projekteve kërkimore dhe publikimeve shkencore me interes të përbashkët.

“Sot është një moment i veçantë për mua dhe Policinë e Shtetit pasi së bashku me Universitetin e Tiranës nënshkruajmë një dokument shumë të rëndësishëm, ndoshta hera e parë e këtyre përmasave, me qëllimin e vetëm për përmirësimin e shërbimit ndaj qytetarëve si një polici transparente, e hapur dhe në shërbim të plotë të komunitetit”, tha drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Hysni Burgaj. 

Ndërkohë, duke falenderuar për këtë bashkëpunim, z. Kule e konsideroi si shumë të rëndësishëm nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje. “Me strukturat akademike të Policisë së Shtetit, të shkollës që Shqipëria ka për edukimin e këtij sektori kaq të rëndësishëm në shërbim të jetës, të shoqërisë, të popullsisë shqiptare, vendosim një komunikim dhe një marrëdhënie të tillë, që formatimi dhe vetë shkollimi e edukimi i Policisë së Shtetit të jetë gjithashtu në parametrat e edukimit evropian. Ne kemi shfaqur gatishmërinë që në mënyrë reciproke Universiteti i Tiranës dhe Policia e Shtetit, të marrim pjesë, të angazhohemi, të kontribuojmë edhe për projekte të tilla që tashmë fatmirësisht Policia e Shtetit po i bën prezente dhe evidente në Shqipëri”, tha Kule. 

Kjo marrëveshje bashkëpunimi synon rishikimin e programeve ekzistuese dhe  hartimit të programeve të reja e kurrikulave mësimore, si dhe akreditimin e  programeve mësimore që zhvillohen në sistemin arsimor të Policisë së Shtetit, sipas sistemit Evropian të Transferimit dhe Grumbullimit të Krediteve (ECTS). Me nënshkrimin e kësaj marrëveshje synohet gjithashtu organizimi i seminareve dhe konferencave të ndryshme të përbashkëta në fushën e parandalimit dhe hetimit të krimit, përmirësimin e cilësisë së shërbimit dhe forcimin e besimit të publikut te policia, etj. /Start/

                                                                                             2011-10-04 13:25
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›