Dumani: Krimi po sofistikohet, dëshmitë do të jenë me audio dhe video

TIRANË, 14 prill/ATSH/ Kreu i SPAK, Altin Dumani, teksa raportoi për punën e institucionit që ai drejton gjatë vitit 2024 para KLP-së, ngriti edhe shqetësimin e sulmeve ndaj tyre.
Dumani falënderoi KLP për mbështetjen. Po ashtu, ai theksoi edhe bashkëpunimin shumë të mirë me Policinë e Shtetit, në çdo rast kur krimi i organizuar ka kërcënuar apo kanosur prokurorë të SPAK, gjyqtarë apo hetues të BKH, deri edhe te familjarë të tyre.
“Duhet të udhëhiqemi nga objektiviteti dhe ligjshmëria në kryerjen e veprimeve hetimore dhe marrjen e vendimeve tona. Sa i takon adresimit, unë e thashë në hyrje të fjalës sime, i vetmi institucion vendas që ka reaguar, dhe ju falënderoj, ishte KLP. Por s’mund të rri pa thënë edhe bashkëpunimin shumë të mirë dhe angazhimin e drejtpërdrejtë së Policisë së Shtetit në çdo rast kur prokurorë të SPAK, apo edhe gjyqtarë, apo hetues të BKH, kanë qenë objekt kërcënimi apo kanosje nga krimi i organizuar. Edhe KLP ka qenë i angazhuar maksimalisht në adresimin e këtyre rasteve që gjithnjë e më tepër po bëhen më të shumta dhe shqetësuese. Me ndryshimet e dhjetorit të 2023, për prokurorët e SPAK është siguruar një mbrojtje më e mirë fizike dhe sa i takon anës praktike”, tha Dumani.
Kreu i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar evidentoi edhe faktin se krimi dhe subjektet e procedimeve penale janë novatorë, ndërsa krimi po sofistikohet.
“Të rralla janë rastet kur komunikimi është i drejtpërdrejtë mes atij që merr dhe atij që jep. Tani nuk ka më raste kur paraja përfundon direkt te xhepi i zyrtarit, por krijohen transaksione, njëri pas tjetrit, apo mes subjekteve të ndryshme të përfshira në këtë rrjet. Dhe transaksion pas transaksioni kjo para përfundon tek ai zyrtari shtetëror. Mekanizmat ligjorë ekzistojnë, por tani edhe krimi përdor këto skema për të humbur gjurmët e parasë, pra janë sofistikuar”, tha Dumani.
Duke folur për hetimet, Dumani tha se në godinën e re janë parashikuar dhoma të veçanta për pyetjen e dëshmitarëve, të cilat do të jenë me audio dhe video.
“Kemi 60 hetues të BKH të ndarë në dy seksione. Tashmë godina e re është marrë dhe shpresoj që brenda këtij vitit të bëhet funksionale, ku hetuesit do të jenë në kushte më komode për të ushtruar funksionet e tyre. Në godinën e re janë parashikuar dhoma të veçanta për pyetje dëshmitarësh, duke u regjistruar me audio dhe video. Gjithashtu për të hetuarit dhe të pandehurit ka dhoma të veçanta për pyetje. Të gjitha këto na ndihmojnë edhe ne”, – u shpreh Dumani.
/r.e/a.f/