Marrëveshjet, qeveria miraton pronat e komunitetit fetar
TIRANË- Këshilli i Ministrave u jep jetë marrëveshjeve që ka nënshkruar disa muaj më parë me komunitetet fetare në vend. Në një moment të veçantë, kryesisht për besimtarët e krishterë, pra një ditë para festës së Krishtlindjeve, qeveria ka miratuar tre projektligje, me anë të të cilave i propozon Kuvendit ratifikimin e marrëveshjeve me komunitetet fetare, dhe përkatësisht me Kishën Ortodokse, Komunitetin Mysliman dhe Kryegjyshatën Botërore të Bektashinjve. Një hap formal ky, por i domosdoshëm për t’u dhënë përfundimisht fuqinë ligjore marrëveshjeve (vetëm kur të miratohen në Kuvend) për rregullimin e marrëdhënieve të ndërsjella, të nënshkruara midis qeverisë shqiptare dhe secilit prej këtyre komuniteteve fetare. Më pak fjalë, qeveria ka miratuar përmes projektligjesh të veçanta ratifikimin që Kuvendi do t’i bëjë secilës prej marrëveshjeve të nënshkruara.
Statusi
Në bazë të këtyre marrëveshjeve, të tre komunitetet e mësipërme fetare bëjnë të mundur përcaktimin e statuseve të tyre përfundimtare juridike, si dhe përcaktohet e drejta e administrimit të të gjitha pronave që ato kanë në trashëgim ose zotërim. Kështu, në marrëveshjen e arritur me Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, përcaktohet se ajo dhe personat juridikë të krijuar prej saj, mund ta ushtrojnë veprimtarinë e tyre me afat të pakufizuar kohorë, në një pjesë apo në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, sipas përzgjedhjes së vetë kishës. Një klauzolë kjo që vlen edhe për dy marrëveshjet e tjera me komunitetin mysliman dhe atë bektashian. Ndryshimi qëndron vetëm në faktin se, në marrëveshjen me Kishën Ortodokse dhe Komunitetin Mysliman, nuk përcakton detyrimin që drejtuesit e tyre të jenë me kombësi shqiptare, apo edhe liturgjia të lexohet dhe këndohet shqip. Një detyrim ky që qëndron në nenin 9 të marrëveshjes me Kryegjyshatën Botërore të Bektashinjve, ku sanksionohet se pranon me vullnet detyrimin e rregulluar me statusin e saj dhe rregulloren e brendshme që, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, shërbesat fetare të kryhen në gjuhën shqipe, si dhe titullarët e zgjedhur për drejtimin e bashkësisë brenda territorit të vendit të jenë me kombësi shqiptare dhe me moral atdhedashës.
Pronat
Një pikë tjetër me tepër rëndësi në këto tri marrëveshje, janë dhe njohja që shteti shqiptar u bën pronave të këtyre besimeve. Kishës Ortodokse shteti i njeh të drejtën e pronës mbi sende të luajtshme dhe të paluajtshme, ndërsa merr përsipër detyrimin që t’i kthejë pronat, ku përparësi do të kenë objektet e kultit, tashmë të njohura nga të gjithë, të cilat kanë qenë për shekuj qendra shpirtërore dhe kulturore të komunitetit ortodoks dhe përbëjnë historinë e këtij komuniteti, përfshi objektet e kultit dhe manastiret e shenjta. Gjithashtu, shteti do t’i kthejë të gjitha pronat, pasuritë, objektet dhe sendet e kultit, arkivat etj., të konfiskuara nga regjimi komunist dhe do të asistojë në riregjistrimin e tyre në zyrat e Regjistrit të Pasurive. Komunitetit Mysliman, shteti i njeh të drejtën e pronës mbi sendet të luajtshme dhe të paluajtshme, me të gjithë elementët përbërës të saj. Komuniteti Mysliman i Shqipërisë rinjihet pas kësaj marrëveshjeje si trashëgimtar i pronave përkatëse të tij. Të njëjtën gjë shteti merr përsipër të bëjë dhe për bektashinjtë, por duke specifikuar përparësinë që do t’i jepet kërkesave të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane për kthimin dhe kompensimin e pronave të veta, si dhe për kryerjen e legalizimeve dhe dhënien e lejeve të shfrytëzimit, nëse është rasti, në përputhje me legjislacionin në fuqi.