Qira me 300 lekë për pronat shtetërore në Tiranë
Ulje të qirave do të përfitojnë bizneset që punësojnë dhe investojnë vlera të mëdha në këto ambiente
Qeveria miraton vlerat e qirave për trojet dhe ambientet e pronave shtetërore në të gjithë vendin
Qeveria miratoi dje kriteret për dhënien me qira ose në përdorim të pronave dhe ndërmarrjeve shtetërore. Kriteret për marrjen me qira të tyre do të varen nga vlera e investimit, numri i të punësuarve që do të realizojnë këto biznese dhe tarifat mujore të qirasë. Kështu, për të gjitha objektet që do të jepen me qira dhe që ndodhen brenda Unazës së Vjetër të bashkisë së Tiranës, bizneset do të paguajnë jo më pak se 300 lekë/m2 dhe jo më pak se 200 lekë për ato që janë jashtë unazës e brenda vijave kufizuese të bashkisë së Tiranës. Në qytetet e tjera si Berati, Durrësi, Fieri, Korça, Gjirokastra brenda vijave kufizuese të bashkive, qiraja nuk do të jetë më pak se 150 lekë/m2 në muaj dhe jashtë vijave kufizuese të këtyre bashkive, jo më pak se 100 lekë/m2. Qiratë brenda vijave kufizuese të bashkive të Kukësit, Peshkopisë, Tepelenës, etj., nuk do të jenë më pak se 100 lekë në muaj dhe jashtë tyre jo më pak se 50 lekë në muaj. Ambientet shtetërore në dogana dhe aeroporte për “Duty Free”, agjenci shërbimi, etj., do të kenë një qira jo më të vogël se 2 500 lekë/m2 në muaj, ndërsa për ambientet në porte, kjo qira nuk do të jetë më e vogël se 10 mijë lekë në muaj. Ndërsa për pasuritë e ndërmarrjeve ose institucioneve shtetërore, me karakter kombëtar, kulturor, historik, muzeal, arkeologjik, të shpallura të tilla me akte ligjore, tarifa minimale e qirasë do të jetë dyfishi i qirave të ambienteve të tjera. Qiraja vjetore për makineritë, pajisjet, linjat teknologjike, galeritë minerare, etj., do të llogaritet sipas vlerës aktuale minimale, që caktohen sipas akteve nënligjore në fuqi, duke u pjesëtuar me vitet e mbetura deri në amortizimin e plotë të tyre. Në rastin kur makineritë, pajisjet, linjat teknologjike e galeritë minerare janë të amortizuara, llogaritja e qirasë vjetore do të bëhet sipas vlerës minimale që përcakton nga eksperti vlerësues dhe të miratuar nga komisioni vlerësues i ndërmarrjes, e pjesëtuar me 10. Mbi trojet e lira, tarifa dysheme e qirasë do të jetë 100 lekë/m2 në muaj. Për truallin funksional, jo nën ndërtesë, tarifa dysheme e qirasë mujore do të jetë 20 % e tarifës dysheme të detyrimit mujor, të përcaktuar për ndërtesat. Trualli nën ndërtesë përfshihet në tarifën e qirasë së ndërtesës. Ndërsa për terrenet sportive, tarifa dysheme e qirasë është 50 lekë/m2 në muaj, brenda qytetit, dhe 30 lekë/m2 në muaj, jashtë.
Investimi
Vendimi i ri parashikon ulje të qirasë për ato biznese që investojnë vlera të mëdha, si dhe punësojnë një numër të madh personash. Kur bizneset kanë të vërtetuar nga sigurimet shoqërore se kanë 50 deri në 150 punonjës, do të përfitojnë një zbritje në masën 10% të qirasë. Nga 151-200 të punësuar, bizneset do të përfitojnë një ulje prej 20%. Bizneset që sot ushtrojnë aktivitet në prona shtetërore dhe vërtetojnë se kanë 200-500 të punësuar, do të kenë një zbritje prej 30% të qirasë mujore dhe ulje prej 40% kur regjistrojnë mbi 500 të punësuar. Por, ulje në tarifat e qirasë do të përfitojnë edhe bazuar mbi vlerën e investimit që do të bëjnë. Kështu, për ato biznese që investojnë 50-80 milionë lekë, do të ketë një ulje prej 10%. Për shoqëritë, vlera e investimit e të cilave varion nga 80-100 milionë lekë, do të ketë një ulje prej 20% të qirasë mujore dhe mbi 100 milionë, një ulje prej 30%.
Qiratë për ndërtesat:
•brenda Unazës së Vjetër të bashkisë së Tiranës, jo më pak se 300 lekë/m2 në muaj, jashtë unazës e brenda vijave kufizuese të bashkisë së Tiranës, jo më pak se 200 lekë/m2në muaj;
•brenda vijave kufizuese të bashkive Berat, Durrës, Fier, Korçë, Lushnjë, Pogradec, Sarandë, Shkodër, Elbasan, Vlorë, Gjirokastër, Kavajë, Krujë, Laç, Lezhë, jo më pak se 150 lekë/m2 në muaj;
•jashtë vijave kufizuese të këtyre bashkive, jo më pak se 100 lekë/m2 në muaj;
•brenda vijave kufizuese të bashkive Bilisht, Ersekë, Ballsh, Peqin, Tepelenë, Dibër, Pukë, Kukës, Përmet, Delvinë, Bulqizë, Gramsh, Has, Kuçovë, Librazhd, Malësi e Madhe, Mat, Rrëshen, Skrapar, Tropojë, Ura Vajgurore, Manëz, Sukth, Shijak, Fushë-Krujë, Cërrik, Patos, Roskovec, Divjakë, Libohovë, Maliq, Shëngjin, Vau i Dejës, Kamëz, Vorë, Rrogozhinë, Himarë, Selenicë, Orikum, Konispol, si dhe të bashkive të tjera, që do të shpallen të tilla me akte ligjore, jo më pak se 100 lekë/m2në muaj.
• jashtë vijave kufizuese të bashkive të sipërpërmendura, jo më pak se 50 lekë/m2në muaj.
• që do të përdoren për zyra, zyra doganore, dyqane “Duty Free” dhe agjenci shërbimi, në aeroporte e dogana, jo më pak se 2 500 lekë/m2 në muaj;
• që do të përdoren për zyra, agjenci shërbimi në porte, jo më pak se 1 000 lekë/m2në muaj.
b) Për pasuritë e ndërmarrjeve, shoqërive a institucioneve shtetërore, me karakter kombëtar, kulturor, historik, muzeal, arkeologjik, të shpallura të tilla me akte ligjore, tarifa dysheme e detyrimit mujor, e paraqitur më lart, do të shumëzohet me 2.