E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marrin certifikatën e pronësisë 40 qytetarë

02/05/2009  Hipoteka: Në proces 60 të tjera

40 qytetarë kanë marrë në duar certifikatat e pronësisë nga procesi i legalizimit. Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme ka nisur të premten procesin e dhënies së vërtetimit të pronësisë për ata shtetas që kishin përfunduar procedurat e kërkuara më parë nëpërmjet zyrës së Legalizimit. Përfituesit kanë marrë në dorë certifikatën e pronësisë për objektin e ndërtuar pa leje në sportele. Të emocionuar ata thonë se më në fund po bëhet realitet një gjë që ata e kanë pritur prej kohësh. Dritan Nuredini, një prej përfituesve nga tapitë e reja thotë se ka ndjekur çdo procedurë duke iu përgjigjur procesit në kohë megjithëse nuk ka pasur shumë besim se do t’ia arrinte deri në fund. “Kam një shtëpi të ndërtuar vite më parë, por asnjëherë se kam pasur të ligjshme. Sot ndjehem pronar i kësaj shtëpie. Më në fund është e imja ligjërisht”. Qani Dyrma është një tjetër qytetar përfitues. “Ne kemi ndjekur me mosbesim këtë proces qysh në fillim por më pas kur zyra e legalizimeve ndoqi çdo hap dhe erdhëm deri këtu sa të marrim certifikatë pronësie si të gjithë të tjerët”. Përfituesit ishin rreth 40 qytetarë që morën të parët lejen e legalizimit. Specialisti i ALUZNI-t në Elbasan, Hyqmet Zane, u shpreh se po punohet me ritme të shpejta për të vazhduar pa ndërprerje procesin e nisur. Kjo fazë sipas tij është finalizimi i të gjithë procesit dhe qytetarët më në fund vlerësojnë dhe kuptojnë të mirat e këtij procesi nga i cili do të përfitojnë kompensim edhe ish-pronarët. Ndërsa shefi i zyrës së Pasurive të Paluajtshme, Klevis Kosova, deklaroi se nëpunësit e zyrës janë duke punuar intensivisht dhe se gjatë ditëve në vazhdim të gjithë qytetarët që kanë përfunduar procedurat me ALUIZNI-t do të pajisjen me vërtetimin e pronësisë. Gjatë ditës së sotme u shpërndanë 40 vërtetime pronësie dhe në proces janë edhe 60 të tjerë. Elbasani ishte i pari qytet në shkallë vendi që nisi shpërndarjen e vërtetimeve të pronësisë. Në këtë qark numërohen 18.500 ndërtime pa leje dhe vetëm në Elbasan 8500 të tilla. L. Lleshi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›