Marrin peng tregtarin, rrëzohen me makinë në humnerë
Tre të rinj kuksianë marrin peng një 27-vjeçar, por gjejnë vdekjen në një aksident automobilistik, teksa përpiqen të largohen me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Dy prej pengmarrësve kanë gjetur vdekjen e menjëhershme, ndërkohë që i treti dhe pengu kanë mbetur të plagosur rëndë.
PengmarrjaKa qenë ora 01:30 e së premtes kur 27-vjeçari Sami Vata, tregtar skrapi, ka qenë duke transportuar krom nga Kalimashi për në Durrës. Ai kishte ngarkuar një skodë dhe udhëtonte bashkë me Blendi Bogjishën, i afërm i tij. Dy kushërinjtë kishin vite që merreshin me këtë biznes dhe udhëtonin shpesh gjatë orëve të natës. Teksa skoda ka dalë në rrugë kryesore, mjeti është ndaluar nga tre të rinj nga fshati Gjegjan i Rrethit të Kukësit. Ata janë konfliktuar fillimisht me Bogjishën, pasi pretendonin se nuk i kishte paguar për punën disamujore për nxjerrjen e kromit. Ata i kanë kërkuar me këmbëngulje të paguheshin dhe gati janë konfliktuar fizikisht me të. Në këto momente ndërhyn për t’i ndarë 27-vjeçari Vata, por ky i fundit bie pre e grabitjes së tre të rinjve. Ndërkohë që Bogjisha arrin t’u shpëtojë dhe largohet me vrap, tre të rinjtë i marrin Vatës 3 milionë lekë që kishte pasur me vete dhe më pas e fusin në bagazhin e “Benzit” me targa 458KS233, me të cilin udhëtonin. Ndërsa janë nisur në drejtim të qytetit të Kukësit, 2 km larg vendit ku ndodhi sherri, makina që drejtohej nga Urim Nërguti ka rënë 250 metra poshtë në humnerë. Për pasojë, dy prej pengmarrësve, Vullnet Nërguti, 30 vjeç nga fshati Gjegjan i Tërthores, si dhe Erion Xhahu, 19 vjeç nga i njëjti fshat, kanë gjetur vdekjen e menjëhershme. Ndërsa Urim Nërguti, 28 vjeç, nga Gjegjani, drejtues i mjetit, si dhe pengu Sami Vata, 27 vjeç, kanë mbetur të plagosur. Ky i fundit është transportuar me helikopter për në Spitalin Ushtarak të Tiranës.
AksidentiPolicia është njoftuar për aksidentin e ndodhur në rrugën e vjetër të Kalimashit nga Blendi Bogjisha, i cili ka ndjekur makinën e pengmarrësve nga pas. Në një moment ai i ka humbur nga sytë dhe vetëm kur ka parë të thyer një anë të bordurës së rrugës, ka ndaluar dhe ka pikasur dritat e makinës që kishte përfunduar në humnerë. Ai i ka telefonuar menjëherë për ndihmë policisë dhe drejt vendit të sinjalizuar kanë udhëtuar me shpejtësi dhjetëra uniforma blu, si dhe zjarrfikësit e tunelit të Kalimashit. Janë dashur disa orë që të nxirren trupat e katër personave të përfshirë në aksident. Por ndërsa dy prej tyre, 30-vjeçari Nërguti dhe 19-vjeçari Xhahu, janë gjetur pa shenja jete, dy të tjerët që ishin ende gjallë janë dërguar me urgjencë për në spitalin rajonal të qytetit të Kukësit. Ndërkaq, ekspertët e policisë rrugore kanë arritur në konkluzionin se shkak i aksidentit që përfundoi me vdekjen e dy personave është bërë shpejtësia tej normave të lejuara me të cilën udhëtonin tre të rinjtë.
#