Marshi i 6 gushtit
Dhe kështu, ditë pas dite e orë pas ore, të bombarduar nga propaganda e ethshme e asaj që (s)do të ndodhë, po na vjen edhe gjashtë gushti. Kjo datë nuk ka asnjë rendësi të veçantë për jetën e shqiptarëve. Ajo nuk është as datë historike e tyre, as datë fetare, as datë e ndonjë ngjarjeje kulturore.
Sportive, jo e jo. Ajo është vetëm datë e pushimeve verore, pra e nxirjes masive të lëkurës me familjen a shoqërinë, në ndonjë cep të ngrohtë e të qetë të bregdetit.
Por, këtë vit ajo është një datë ndryshe, është një datë e shpikur (dhe, natyrisht edhe e shpifur), ashtu siç shpiken shpeshherë data, ngjarje e histori të paqena nga politikanët tanë, në përpjekjet e tyre për të mbijetuar në kaosin politik, ekonomik e social të vendit, kaos që e kanë krijuar vetë për vite me radhë. Ajo, data gjashtë gusht, është kamerdarja e radhës e shpëtimit për politikanët e dështuar shqiptarë.
Edhe ky gjashtë gusht, pa asnjë ngjyrim emocional për ne, do të kalonte si gjithë të tjerët, pa histori e pa lavdi, pa marshe e pa dithirambe, pa këngë e pa legjendë. Po nuk ishte e thënë të ndodhte kjo këtë verë në Shqipëri. Data gjashtë gusht u mbars me zor e me pompë nga propaganda e partisë në pushtet si një tollumbace blu, për të pjellë ngjarjen e madhe, të shumëpritur dhe legjendare, frymëzuese dhe shpëtimtare, atë të heqjes së imunitetit të zyrtarëve tanë të lartë. Ajo pra, u kthye me qëllim në legjendë moderne të ditëve tona.
Nuk ka politikan të pozitës dhe pranë saj që nuk flet të paktën një herë në ditë me patos të lartë për gjashtë gushtin. Nuk ka media pro dhe afërqeveritare që të mos i mbushë faqet dhe emisionet elektronike me legjendën e gjashtë gushtit. Gjashtë gushti na është bërë edhe bukë, edhe gjellë; edhe shpresë, edhe optimizëm; edhe plazh, edhe banjë dielli.
Ajo, legjenda e gjashtë gushtit, u krijua si e tillë me dy qëllime kryesore. Së pari, që të tërhiqte për hundësh opozitën shqiptare në një proces hipokrit e të neveritshem të gjoja luftës kundër korrupsionit të qeveritarëve të sotëm. As më shumë e as më pak, veçse një përpjekje për të mbuluar me gjethe fiku mëkatet korruptive të pushtetarëve gjatë më shumë se shtatë viteve të qëndrimit të tyre në pushtet.
Dhe, nëse nuk do të arrihej të realizohej ky qëllim i parë, atëherë legjenda e gjashtë gushtit do të synonte qëllimin e saj të dytë: të krijonte alibinë e qeverisë për mungesën e përgjegjësisë së saj për ngecjen në vend të procesit të integrimit. Pra, e morët vesh? Opozita na e pengoi integrimin! Ajo është përgjegjëse për këtë mbetje në klasë. Dhe pikërisht ajo, opozita pra, ka qenë përgjegjëse gjatë 22 vjetëve, qysh se ka hyrë demokracia, për mosintegrimin. Jo qeveria, mos i bini në qafë qeverisë!
Gjashtë gushti, pra, është edhe dielli dhe hëna, edhe e shkuara dhe e ardhmja, edhe tokësorja dhe qiellorja e jetës së shqiptarëve. Kjo megalegjendë na e ka çarë e do të vazhdojë të na e çajë kokën edhe për disa orë e ditë, derisa të kalojë kjo datë e mallkuar. E vetmja gjë e sigurt që mund të thuhet është se pas gjashtë gushtit vjen shtatë gushti. Një ditë po aq e zakonshme, po aq e rëndomtë dhe po aq pa ndonjë domethënie për të qenë. Shqiptarët kanë plot data të historisë dhe të kulturës së tyre, por jo në gusht. Kështu edhe gjashtë gushti i këtij viti nuk do të zërë dot vend nderi në to.
Pas gjashtë gushtit shqiptarët do të jenë po aq të varfër sa çishin edhe para kësaj date, ose thjesht, më të varfrit në Europë. Ata do të jenë populli i fundit për të ardhura për frymë të popullsisë në kontinent. Ata do të vazhdojnë të jenë refugjatë në vende të huaja dhe refugjatë në atdheun e tyre, sepse edhe pse po kthehen këtu për të shpëtuar nga kriza që ka pllakosur vendet ku kanë punuar, gjejnë këtu të njejtën krizë të ulur këmbëkryq.
Pas datës gjashtë gusht rrogat te ne do të rriten me vendim qeverie në masën një presje zero iks për qind, siç u bë e ditur, duke shënuar talljen më të madhe me rrogëtarët tanë nga ana e qeverisë së tyre. Raporti i importeve tona me eksportet pas datës gjashtë gusht do të vazhdojë të jetë 7 me 3 në favor të importeve, me gjithë sukseset madhështore të prodhimit vendas, të propaganduara aq e aq shumë në këtë drejtin. Deficiti buxhetor do të ketë kaluar mbi 60 për qind të GDP-së më gjashtë gusht, një tregues ky se ekonomia e vendit po lulëzon në borxhe.
Energjia elektrike do të vijojë të importohet nga vëllezërit serbë në qindra miliona euro, megjithëse ne jemi zhndërruar prej kohësh në një superfuqi energjetike. Më gjashtë gusht, në gjashtë prefektuara të vendit, në Jug e në Veri, qytetarë e fshatarë, bij të shqipes, pa dallim feje, krahine dhe ideje, do të dalin në sheshe me kazma e lopata, me kosa e me shpata, të përleshen me punonjësit e CEZit, sepse nuk duan të paguajnë energjinë që harxhojnë prej njëzet vitesh.
Romët, më gjashtë gusht, do të vazhdojnë të privohen nga e drejta e tyre e përjetshme për të gërmuar në kazanët e plehrave të qytetit të Tiranës, në kërkim të bukës së tyre të munguar. Avokati i Popullit do të vazhdojë të bëjë deklarata pas deklaratash, që nuk i dëgjon njeri, në mbrojtje të tyre. Po ska gjë, se edhe romët, ashtu si shumë shqiptarë, le ta mbushin barkun me legjenda, sidomos me këtë legjendë të gjashtë gushtit.
Më gjashtë gusht, kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit, i zgjedhur nga maxhoranca e sotme, do të deklarojë se vetëm gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti janë vjedhur e shpërdoruar rreth 60 milionë dollarë nga qeveritarët e sotëm. Por edhe kjo deklaratë e tij, e bërë ditën për diell, do të konsiderohet si pjesë e legjendës dhe jo e realitetit, në këtë truall legjendash në të cilin jetojmë.
Më gjashtë gusht shqiptarët do të vazhdojnë të vrasin njëritjetrin pa iu dridhur dora e qerpiku, si kurrë më parë. Kështu, babai do të hedhë foshnjën triditëshe nga dritarja e maternitetit në Tiranë. Malësori trim do të vrasë të bijën 14vjeçare në bjeshkë, ndërsa burri i papunë, i pirë me paratë e punës së gruas, do ta vrasë atë, gruan e tij, në mesnatë, në qendër të Tiranës. Po në të njëjtën ditë, dy familje shqiptare, nuk ka rëndësi, nga Shqipëria apo Kosova, do të shuhen përgjithmonë si rezultat i aksidenteve rrugore në Rrugën e Kombit, të ndërtuar në epokën e re të partisë. Qeveria jonë nuk do të ketë gisht përgjegjësie fare në këto ngjarje.
Më gjashtë gusht, dy turiste të huaja do të grabiten në mes të rrugës nga taksisti i licencuar prej autoriteteve tona, kur do ti transportojë ato nëpër Shqipërinë turistike, ndërkohë që Kryeministri, me kronometër në dorë do të masë sekondat e qëndrimit të tij mbi sipërfaqen e detit të pushtetit. Veçanërisht kjo grabitje e dy turisteve të huaja do tia shtojë dukshëm vlerën integruese datës gjashtë gusht.
Ata, qytetarët trima të Laçit, për të marrë gjakun e njeriut të tyre të vrarë pak ditë më parë, do të përdorin tani jo më kallashin për një gjë të tillë, por do të hakmerren me autobombë. E gjitha kjo do të ndodhë në ditën e madhnueshme të gjashtë gushtit. Allalla, o rrezil, o gjashtë gusht, allalla! Në kohën e Nolit nuk kishte
gjashtë gushte kaq frymëzuese me legjenda realiste sa ky yni i sivjetmi. Të na marrë të keqen Noli me dithirambet e tij!
Gjashtë gushti do të na frymëzojë pastaj për të ngritur një stuhi tjetër të re propagande e legjendash të tjera, në frymë, në tone e në përmbajtje, natyrisht, me financime të reja të qeverisë, me akuza e kundërakuza pozitë-opozitë për fajtorin e (mos)integrimit. Kjo stuhi do të vazhdojë e tillë pastaj deri në zgjedhjet e reja parlamentare të vitit që vjen, pra më gjashtë gushtin e vitit tjetër, kur do të ketë mbaruar numërimi i mundimshëm i votave të hedhura në qershor, duke na i çarë veshët ditë për ditë e natë për natë, pa e çarë kokën fare për aktin e fundit normativ të qeverisë kundër ndotjes akustike.
Përballë kësaj
