E Shtunë, 31 Tetor 2026

Imuniteti si hap drejt lustracionit

ELSA BALLAURI

Çështja e imunitetit, e vënë në qendër të vëmendjes politike dhe mediatike shqiptare, vazhdon të jetë e drejtuar nga një kah sistematik: ai i përpjekjeve të vazhdueshme të maxhorancës për ta përfunduar afatin më datën 6 gusht, i kundërshtimit të vazhdueshëm dhe konsekuent të opozitës për ti shtyrë ndryshimet kushtetuese në shtator.
Kjo skenë e njëtrajtshme disajavore ka në sfond bisedat e herëpashershme të komunitetit ndërkombëtar dhe sidomos median, që rregullisht raporton. Në gjithë këtë skenë të ndriçuar, të gjallë dhe intensive bisedash, inatesh, replikash, vetëm një pjesë e konsiderueshme është totalisht e errët: opinioni i njerëzve, i shoqërisë.
Imuniteti nuk është një temë e re e saposhfaqur që u hodh mbi tavolinën politike papritmas. Megjithëse e dukur dhe e zhdukur, nuk është diskutuar për të me seriozitetin dhe këmbënguljen e duhur. Pikërisht ky fakt më bën të mendoj se përse ndodh kjo? Përse palët qeverisëse dhe opozitare nuk e kane vazhduar gjatë kërkesën për nevojën e heqjes së imunitetit me po të njëjtin intensitet si tani, përse nuk kanë qenë seriozë dhe të përgjegjshëm për këtë veprim, i cili mund të mos jetë aq i domosdoshëm për vende të Europës me të cilat kemi qejf të bëjmë krahasim, por duhej të ishte vënë prej kohësh në axhendën e politikës shqiptare. Nëse
Dhe pikërisht kjo nëse vë në dyshim atë pjesën e pashfaqur, atë turmën që rri në errësisë dhe nuk del dot në skenën e betejës, jo vetëm se nuk e përfill dhe nuk e fton njeri, por edhe se është e pasigurt të japë opinionin e vet për sa kohë sheh se këto forca politike të gjithëpushtetshme e bëjnë çdo gjë për vetë dhe me veten.
Nëse politikëbërësit do të kishin menduar për njerëzit, për zhvillimin e vendit me largpamësi, dashuri dhe sakrificë, Shqipëria nuk do të ishte në këtë kolaps qesharak dhe absurd, ku çdo gjë diskutohet, por vetëm halli i fukarait jo. Nëse politikëbërësit do ta quanin heqjen e imunitetit një nevojë të domosdoshme për të ecur vendi përpara dhe jo të prisnin derisa abuzimet, korrupsioni, pafytyrësia e politikanëve të arrinte apoteozën e frikshme, atëherë ky debat do të ishte pjesë e historisë politike shqiptare.
Maxhoranca, me shumë të drejtë, me deklaratat e veta politike kërkon ta pastrojë politikën nga veset nëpërmjet heqjes së imunitetit. Ndërkohë, opozita deklaron se nuk i beson maxhorancës për këtë, dhe në fakt ka të drejtë. Sa dhjetëra premtime janë bërë nga politikanët se do të përmirësonin jetën e qytetarëve? Përgjigjja mund të jetë se janë bërë shumë dhe në dukje, janë bërë mjaft. Përtej dukjes, është e frikshme të monitorosh në Shqipëri. Gjen edhe politikanë e deputetë që frikësojnë qytetarë, gjen edhe drejtorë që i largojnë specialistët si të ishin kukulla pazari, gjen bëj sikur pothuajse në të gjitha sferat e sektorit publik. Modeli i kujdesit për të mos folur hapur, për të qenë në radhën e militantëve se kështu e do partia dhe udhëheqësi i saj, është më shumë se stres për qytetarët – është pasiguri që ndikon në krijimin demokratik të psikologjisë së tij. Mungesa e lirisë për tu folur hapur është e rregullave të tarafit, dhe kjo është e rrezikshme për qytetarin e pambrojtur.
E, në këtë frymë, shembujt janë të shumtë. Në këtë situatë, opozita shfrytëzon rastin të thotë se nuk beson te qeveria. Natyrisht që ka të drejtë, por kjo është e pamjaftueshme për të justifikuar pozicionin e saj të përgjegjësisë që ka përpara popullit, të premtimit që ka bërë për tu shërbyer njerëzve. Nëse vërtet ka nevojë për kohë, kjo natyrisht që duhet konsideruar, por a nuk do ishte mirë që koha të mos ishte lënë deri tani, dhe nëse do të ishte një opozitë e zgjuar (që dyshoj shumë për këtë), a mos duhej ta kishte marrë ajo drejtimin e propozimit për imunitetin?
Personalisht jam shumë pro idesë së heqjes së imunitetit, me gjithë dyshimet e shumta dhe mungesën e besimit te politika shqiptare. Por ne nuk jemi dot nga ato soj kombesh që të dimë se cilin ilaç të përdorim për tu shëruar. Ne nuk jemi nga ato soj kombesh që kanë aftësinë të ngrihen lart duke i dhënë rëndësi së pari personalitetit të individit, duke respektuar të drejtat e tij. Të paktën le të përpiqemi të bëjmë ndryshime të ngadalta, qoftë edhe milimetrike.
Gjithsesi, në këtë debat të politikës, vë re të njëjtën skemë, siç ndodh rëndomë: mungesën totale të zërit të qytetarëve dhe sidomos të shoqërisë civile. E dimë tashmë që presioni i shëmtuar i politikës e ka trembur shoqërinë civile, por kjo e fundit akoma për fat të keq nuk e ka kuptuar vetinë më të rëndësishme pa të cilën puna e saj dështon: sakrificën. Në mënyrë qesharake, shoqëria civile ose anon nga njëra anë e politikës në tjetrën, ose lodhet shpejt. Dy-tri takime të kryera për këtë temë para disa javësh, sigurisht janë të pamjaftueshme për tiu imponuar forcave politike. Nevoja për të dalë jashtë të vetmit model siç është ai i deklaratave, realizimi i mençur i lobimit dhe sidomos lidhja me komunitetet, me njerëzit, me qytetarët që ata të ndjehen pjesë e vendit të tyre dhe e problemeve të tij – kjo është detyrë e shoqërisë civile. Politika nuk mund ta bëjë dot këtë strategji, thjesht do të dojë ta minojë.
Kjo është ajo opozita e vërtetë, e natyrshme, e cila mund ta vë politikën përpara përgjegjësisë. Por sndodh kështu Për sa kohë politika shqiptare do të jetë veç për veten dhe me veten, për sa kohë shoqëria civile dhe qytetarët – të tulatur, Shqipëria do të jetë e dështuar në raport me ligjet që aprovon, sepse do ti implementojë sipas qejfit të politikanëve, pa asnjë vëmendje dhe mundësi vëzhgimi nga qytetarët.
Një tjetër aspekt që më bën optimiste për heqjen e imunitetit, është se ky veprim mund të ndihmojë apo është një hap i ndryshëm, por i dobishëm drejt idesë së lustracionit. Në fund të fundit, heqja e imunitetit lidhet me idenë e mundësisë për të ndërhyrë në gabimet e pushtetarit, pra qëllimi është për ta pastruar shoqërinë nga gabimet e disa personave. Kam shumë shpresë se ligji i lustracionit do ta ketë rrugën të hapur drejt aprovimit të tij nëse heqja e imunitetit dëshirohet dhe aprovohet nga politikanët shqiptarë, sikurse ata thonë

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›