E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marshimi i sotëm i Musolinit mbi Romë

Flakët po përhapen nëpër gjithë Italinë. Sot, flaka që prej gjashtëdhjetë vjetësh ka qenë simbol i vazhdimësisë neofashiste të Musolinit, do të zhduket nga panorama e aktorëve politikë të Italisë. Aleanca Nacionale, forca e fundit politike që mbahej duke u bazuar te trashëgimia e diktatorit fashist, po "shkrihet" me Popullin e Lirisë së Silvio Berluskonit. Synohet që ky bashkim t‘i japë jetë një blloku qeverisës me një identitet të vetëm dhe në të njëjtën kohë me një lider të vetëm e të pasfidueshëm nga askush.

U desh një kohë shumë e gjatë për të vërejtur me sy këto ndryshime - 15 vjet, madje më shumë. Silvio Berluskoni theu tabunë e madhe të politikës italiane të pasluftës, pasi fitoi zgjedhjet e para të përgjithshme në vend në vitin 1994, si dhe duke përfshirë katër anëtarë të Aleancës Kombëtare në koalicionin e tij.

Përfshirja e fashistëve dhe neofashistëve në rangjet qeverisëse ishte tabu dhe kjo për arsye të forta. Së pari, sepse kthimi i tyre në skenë, pasi e shpunë vendin në rrënim të plotë duke e futur në luftë, ndalohej nga Kushtetuta, artikulli 139 i së cilës thotë: "Është i ndaluar riorganizimi i Partisë Fashiste në çfarëdo forme qoftë".

Kjo veto u respektua për shkak të mërive, më shumë se për bindje, që prej vitit 1946, kur Xhorxho Almirante, lideri i Lëvizjes Sociale Italiane, mori në dorë skeptrin e Musolinit, pikërisht aty ku e kishte lënë diktatori në çastin e vdekjes dhe udhëhoqi partinë në Parlament. Por neofashistët gjithsesi mbetën tepër të dobët në këtë sallë, dhe shumë larg pushtetit të vërtetë. Duhej të vinte Berluskoni që kjo tabu të shkelej.

Nën lidershipin e shkathët të Xhanfranko Finit, "post-fashistët" kanë fituar terren ngadalë, por në mënyrë të qëndrueshëm. I gjatë, me syze, i mbërthyer deri në grykë, diametralisht i kundërt me Berluskonin në çdo aspekt, lideri i Aleancës Nacionale u la mbresa të forta eurokratëve me kredencialet e veta demokratike, në çastin kur iu ngarkua detyra të ndihmonte në projektin e Kushtetutës së re të Bashkimit Evropian.

Iu desh të prirej në drejtim krejtësisht të kundërt me ato ide që qëndrojnë në themel të partisë së tij për të pastruar imazhin e kësaj force politike nga antisemitizmi. Këtë e bëri duke kryer një seri të gjatë vizitash në Izrael, në një prej të cilave është fotografuar te Muri i Lotëve me një kapele tipike hebrenjsh në kokë. Gjatë një prej vizitave në vitin 2003, u shty aq larg sa të dënonte ligjet racore të Musolinit, të miratuara në vitin 1938, të cilat u ndalonin hebrenjve studimin në shkollat italiane. Rezultati i këtyre ligjeve ishte depërtimi i mijëra hebrenjve drejt kampeve të vdekjes së Hitlerit. "Sigurisht që i kam ndryshuar idetë me të cilat marr në konsideratë Musolinin", tha në atë kohë. "Dhe dënimi i atyre ligjeve do të thotë marrja e përgjegjësive për to". Mbështetësit e vijës së ashpër të partisë, siç është Alesandra Musolini, mbesa e famshme e Duçes që di të bëhet protagoniste si në politikë ashtu edhe në botën e spektaklit, u tërbuan nga këto qëndrime të moderuara. Shpejt u ndanë nga Xhanfranko Fini, duke krijuar mikroparti të vetat. Por duhet vërejtur se fitoi strategjia e kujdesshme e Finit. Nën mbrojtjen e drejtpërdrejtë të Berluskonit u bë ministër i Jashtëm i Italisë, më pas zëvendëskryeministër dhe tani kryetar i Dhomës së Ulët të Parlamentit, post shumë më prestigjioz se ai i ekuivalentit të tij britanik. Si krahu i padiskutuar i djathtë i Berluskonit në "shkrirjen" e re mes dy forcave politike, duket se është edhe trashëgimtari i drejtpërdrejtë i politikanit biznesmen.

Të njohurit si "puri e duri" (të pastër e të patundshëm), elementët me bindje të palëkundshme fashiste, skërmisin dhëmbët nga gjithë kjo tradhti. Një grup donte të vinte në jetë një ceremoni për të shënuar fikjen e flakës fashiste në "Altarin e Kombit", monumenti simbol i Italisë në sheshin "Venecia" të Romës. Kryetari i bashkisë së këtij qyteti e ndaloi inskenimin - për ironi edhe ai vetë është një "post-fashist" i bindur.

Por të pastrit e të patundshmit nuk kanë ndër mend të heqin dorë. "Aleanca Kombëtare vdes, e Djathta jeton", shkruhej në një pankartë të formuluar nga aktivistë italianë të ekstremit të djathtë, simboli i së cilës përbëhet nga një flakë e madhe.

"Sot, me tradhtinë ndaj ideve tona, ndaj historisë sonë dhe ndaj identitetit tonë", u skërmit Teodoro Buontempo, presidenti kombëtar i Partisë së Djathtë, "jemi para detyrës për të bërë më të qartë se kurrë që partia jonë lindi për t‘u garantuar vazhdimësi idealeve tona. Bashkohuni me ne për të bashkuar thirrjet dhe për t‘i treguar indinjatën klasës sunduese të askushëve e burracakëve".

Te "Shiritat e zinj", një libër investigativ mbi të djathtën ekstreme, i publikuar nga Paolo Berici (ka dalë nëpër libraritë italiane pikërisht gjatë fillimit të kësaj jave), thuhet se "të paktën 150 mijë të rinj italianë nën të tridhjetat, jetojnë me kultet e fashizmit dhe të neofashizmit. Dhe se jo të gjithë, por një pjesë e konsiderueshme e adhurojnë mitin e Hitlerit".

Më tej autori bën me dije se pesë parti të vogla (të regjistruara ligjërisht) mbështeten nga 1.8 për qind e votuesve në nivel kombëtar, rreth 450 mijë deri 480 mijë zgjedhës. Këto shifra janë tepër domethënëse, megjithëse edhe po t‘i bashkojnë votat nuk arrijnë te pragu katër përqindësh, që nevojitet për t‘u bërë pjesë e Parlamentit italian.

Duke iu referuar këtyre të dhënave, arrijmë në përfundimin se elementi fashist në Itali nuk është më domethënës se Partia Kombëtare në Britani: një forcë politike e parëndësishme e acaruese që ia del të bëjë zhurmë, si dhe arrin fitore me pak vlerë, asgjë më shumë se kaq.

E, megjithatë, pavarësisht thirrjeve të tepruara të të çarturve të ekstremit të djathtë italian për të kundërtën, fikja e flakës fashiste nuk do të thotë aspak se idetë e fashizmit janë zhdukur nga skena politike e vendit fqinj. Përkundrazi, 15 vjet pasi Berluskoni ngjiti në sferat e larta të pushtetit neofashistët, impakti i ideve të tyre është bërë më i dukshëm se kurrë më parë, njëherësh po aq shqetësues sa kurrë më parë.

Sipas Kristofer Dugan, autori britanik i botimit "Fuqia e Fatit", një studim historik mbi Italinë e sotme, shkrirja mes dy partive nuk shënon aspak zhdukjen e plotë të ideve dhe praktikave fashiste, por ndërfutjen e tyre triumfale përmes rrugëve alternative, nën sipërfaqe, të kamufluara. "Kjo situatë është alarmante në shumë, shumë drejtime", thotë studiuesi. "Shkrirja e partive do të thotë absorbimin e ideve të post-fashistëve nga radhët e partisë së Berluskonit, tendencën për të mos dalluar më moralisht dhe së fundmi edhe politikisht ata që mbështetën regjimin fashist dhe të tjerët që mbështetën Rezistencën. Kështu, fakti që fashizmi ishte konfliktual, racist dhe joliberal lihet në harresë të plotë; tani në ideali dëgjohej një kor i tërë në opinionin publik italian, sipas të cilit fashizmi nuk ka qenë aq i keq".

Një shembull i faktit që gjërat po ndryshojnë është trajtimi i veteranëve të Republikës Salo, shteti kukull fashist që themeloi Musolini në brigjet e liqenit Garda gjatë fazës së fundit të luftës, përpara se të binte në duart e partizanëve italianë. E kontrolluar tërësisht nga Hitleri dhe përgjegjëse për dërgimin e hebrenjve drejt kampeve të vdekjes, Republika e Salosë konsiderohej pas luftës nga italianët si kapitulli më i errët i historisë moderne të kombit.

Por është rehabilituar qetësisht dhe me këmbëngulje të vazhdueshme në kujtesën e italianëve. Hapi i fundit i kësaj vazhdimësie është krijimi i një urdhri të ri ushtarak, ai i "Kalorësit Trengjyrësh", i cili mund t‘u jepet njerëzve që luftuan për të paktën gjashtë muaj gjatë Luftës së Dytë Botërore - qoftë kur bëhet fjalë për partizanët që luftuan kundër "nazifashistëve", ose nën Republikën e Salosë të kontrolluar nga gjermanët (kundër partizanëve), apo me forcat në jug të vendit nën gjeneralin Badolio.

Në këtë mënyrë, thotë Dugan, ideja e ndërthurjes morale është bërë problematikë më vete e gjithë debatit kombëtar, duke qenë se ata italianë që luftuan për shtetin kukull të nazistëve konsiderohen "moralisht dhe politikisht njësoj si partizanët".

Dugan krahason procesin politik të pasluftës në Itali me atë të së njëjtës periudhë në Gjermani, ku gjyqi i Nurembergut dhe denigrimi i nazistëve, nën kujdesin e aleatëve, prodhuan një terren politik krejt të ndryshëm. Asgjë nga ato që ndodhën në Gjermani nuk u vërejt në Itali. "Nuk ndodhi kurrë një pastrim i plotë moral mes fashizmit dhe asaj çfarë erdhi më pas. Pjesërisht për këtë fajtorë janë aleatët, të cilët pas luftës i përqendruan përpjekjet për ndalimin e ngjitjes në fuqi të komunistëve". "Si rezultat, shumë figura të rangjeve të larta të ushtrisë, policisë dhe sistemit gjyqësor nuk u demaskuan kurrë publikisht. Le të marrim shembull figurën e Gaetano Axaritit, një prej kryetarëve të parë të Gjykatës Kushtetuese italiane të pasluftës. Gjatë kohës së Musolinit, ky njeri kishte qenë kryetar i Gjykatës së Lartë, e cila u kujdes drejtpërdrejt për ligjet racore. "Dështimi i aleatëve për të ushtruar presion ndaj Italisë reflekton gjithashtu një perceptim tjetër që ekziston edhe sot: ai sipas të cilit ringjallja fashiste nuk duhet marrë aq seriozisht, pasi Italia ‘është e lehtë‘, italianët vetë nuk marrin kurrgjë shumë seriozisht. Në rast se e njëjta gjë do të kishte ndodhur në Austri a Gjermani, të gjithë do të shqetësoheshin me të vërtetë". Mosbesimi i gjerë te ligjet antifashiste të Kushtetutës italiane mund të vërehet nga shtimi i gjithë atyre festave e simbolikave të frymëzuara nga figura e Musolinit; në ata mijëra njerëz që mblidhen çdo vit më 20 tetor në Predapio, vendlindja e Musolinit, për të festuar marshimin e tij mbi Romë; dyqanet janë të mbushura me buste të Duçes dhe simbole të panumërta të fashizmit.

Sipas studiuesit britanik Dugan, shumë më alarmuese është ajo që po i ndodh ndërgjegjes kombëtare të italianëve, për shkak të diskreditimit të vazhdueshëm të institucioneve shtetërore. Fenomeni po luan lojën e një elite diktatoriale tamam siç ndodhte në vitet njëzet. "Ajo që shqetëson vërtet nuk është rehabilitimi sistematik i fashizmit, por erozioni i çdo aspekti të jetës së shtetit. Humbja e besimit të italianëve te drejtësia për shembull. Si rezultat njerëzit priren t‘ia besojnë fatin dikujt që di t‘i zgjidhë gjërat. Njerëzit priren të personalizojnë marrëdhëniet me liderët. Për shembull, në rastin e Musolinit merrte 2 mijë letra në ditë nga njerëz që i kërkonin ndihmë. Në rast se shteti nuk funksionon, njerëzit i telefonojnë menjëherë dikujt që di t‘i zgjidhë gjërat. Në këtë mënyrë u zhduk liberalizmi në vitet njëzet, me diskreditimin e vazhdueshëm të Parlamentit, deri në atë pikë sa as Musolini nuk kishte pse ta shpërbënte, i mjaftonte ta injoronte. Diçka shumë e ngjashme po ndodh në Italinë e ditëve tona".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›