E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Kështu kemi vrarë civilë në Gaza"

Janë tregime rrëqethëse lufte, asaj më të fundit të zhvilluar për tri javë rresht në Rripin e Gazës. Tregime që askush nuk do të donte t‘i dëgjonte kurrë, sepse pas tyre nuk fshihet asgjë heroike. Për këdo është e dhimbshme të dëgjojë se si një ushtar godet mbi një nënë dhe dy fëmijët e saj që kanë gabuar rrugë, sepse kështu ishin rregullat e "lojës", apo për një ushtar që hap zjarr mbi një të moshuar që mezi sa ecën në rrugë, për njerëz të tjerë me uniformë që abuzojnë me forcën e tyre për të dëmtuar, lënduar dhe ofenduar popullin civil palestinez, që në fund të fundit konsiderohet si armik që duhet luftuar. Këto dhe shumë të tjera nuk janë përhapur me shpejtësi marramendëse nga propaganda palestineze, por nga tregimet e të interesuarve direkt, nga dhjetëra nxënës të akademisë "Itzhak Rabin" të mbledhur në 13 shkurtin e kaluar për të treguar eksperiencat e tyre gjatë operacionit "Plumbi i shkrirë". Tregime të "ashpra", të rënda, dhe lënduese, në gjendje të vënë në siklet edhe drejtuesit e Forcave të Armatosura në vend. Aq sa Prokuroria Ushtarake, që u duk sikur donte t‘i rregullonte gjërat me një veprim bindës, vendosi të bëjë publik vendimin për të hapur një hetim për këtë çështje. Ishte pikërisht gazeta "Haaretz", ajo që rrëfeu çdo detaj për përmbajtjen e asaj mbledhjeje. Por merita për dhënien e alarmit për gjithçka që këto dëshmi përfshijnë, i takon drejtuesit të programit para-ushtarak të akademisë, Dany Zamir, që pasi dëgjoi tregimet e të rinjve, njëkohësisht edhe nxënës ekspertë, iu drejtua menjëherë shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Gaby Ashkenzay. "Ishte një shtëpi brenda së cilës ndodhej një familje. I urdhëruam anëtarët e familjes të futeshin të gjithë në një dhomë. Pastaj u larguam dhe erdhi një grup tjetër ushtarësh. Pas disa ditësh erdhi urdhri për ta liruar familjen. Kishim vendosur një qitës të zgjedhur mbi çati. Komandanti e liroi familjen, duke i thënë që të ecnin djathtas, por harroi t‘i thoshte gjuajtësit që këta njerëz u liruan dhe gjithçka ishte në rregull dhe se nuk duhej të qëllonte", kujton komandanti i një njësie të vogël këmbësorësh. Në vend që të ecte djathtas, nëna me dy fëmijët e saj të vegjël morën drejtimin për majtas. Snajperi i pa që t‘i afroheshin linjës, që sipas asaj që i ishte thënë, askush nuk duhej ta kalonte. Kështu "hapi zjarr menjëherë ndaj tyre, duke i lënë të vdekur në vend". "Nuk besoj që të jetë ndier keq. Atmosfera e përgjithshme, nga ajo që kam kuptuar kur fola me njerëzit e mi, ishte se jetët e palestinezëve janë shumë pak më të rëndësishme se jetët e ushtarëve tanë", vazhdon dëshmia. Rregullat e "punës", përçmimi pa kufi, kulti i forcës fizike, paragjykimi që "palestinezët janë të gjithë terroristë", është kjo përzierja shpërthyese që i çoi izraelitët në kufijtë e tmerrit dhe i bëri organizatat humanitare të denonconin për krime lufte të zhvilluara në Gaza. Një akuzë që Izraeli nuk e ka pranuar, duke theksuar me forcë që humbjet mes civilëve palestinezë janë akuzuar nga fakti se ushtarët e Hamasit fshiheshin pas popullsisë civile në zonat e banuara, në qendër të së cilave ushtria izraelite nuk hezitoi të kryente operacione shkatërruese. Edhe tani këtu nuk flitet as për bomba me fosfor, as për mënyra të tjera vrasëse të panjohura më parë. Flitet, edhe pse mund të duket e palogjikshme, për moral. Nuk është rastësi që ministri i Mbrojtjes, Ehud Baraku, u shpreh se ushtra izraelite "është forca e armatosur me më shumë moral që ekziston në botë", duke shtuar se maksimumi i asaj që duhet sqaruar janë vetëm episode individuale. Por, në fakt, nuk mendojnë kështu protagonistët e tregimeve. Përveç disa rasteve kur është hapur zjarr ndaj civilëve pa lajmëruar, një komandant përshkruan edhe disa episode vandalizmi. "Të shkruash ‘vdekje arabëve‘ në mure, të marrësh fotot e familjes, të pështysh mbi to vetëm se të lejohet ta bësh, mendoj se kjo është gjëja më e rëndësishme për të kuptuar se sa të moralshme kanë qenë Forcat e Armatosura izraelite".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›