E Shtunë, 31 Tetor 2026

Doris Pack: Mos nxitoni për aplikimin në BE

"Mbyllni me sukses zgjedhjet dhe pastaj kërkoni statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian. Ky ka qenë mesazhi i qartë dhe i shkurtër i delegacionit të Parlamentit Evropian gjatë takimeve maratonë të zhvilluara me krerët e institucioneve dhe politikës shqiptare. Kryetares së këtij delegacioni, Doris Pack, i është kërkuar nga anëtarët e qeverisë "Berisha" të mbështesë Shqipërinë për statusin e vendit kandidat, për liberalizimin e vizave, por i është paraqitur edhe angazhimi i qeverisë për zgjedhjet e 28 qershorit. "Qeveria nuk duhet të nxitohet me aplikimin dhe duhet të ketë si prioritare zgjedhjet e 28 qershorit", tha Pack, duke shtuar se edhe situata brenda BE-së nuk është shumë e favorshme, pasi jo çdokush është në favor të zgjerimit. Sipas eurodeputetes, qeveria dhe klasa politike duhet të kenë në fokus të parë zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të fundit të muajit qershor. Në konferencën që u mbajt në takimin e 16-të ndërparlamentar, Shqipëri-Parlamenti Evropian, eurodeputetja Doris Pack u shpreh se Shqipëria është e vendosur për aplikimin në BE. Ajo bëri me dije se delegacioni i PE-së ka zhvilluar ditën e sotme diskutime me krerë të lartë të shtetit shqiptar. "Do të përmbledhim konkluzionet që kemi nxjerrë gjatë këtyre diskutimeve në një deklaratë", theksoi ajo. Pack deklaroi se në Bashkimin Evropian jo çdo kush është në favor të zgjerimit të unionit, duke i thënë Shqipërisë që rrugëtimi i saj në këtë drejtim është i vështirë. "Ju duhet të bënin punën tuaj", theksoi Pack, duke iu drejtuar autoriteteve shqiptare. Ajo ka shtuar se për zgjerimin do të ketë një tjetër delegacion nga BE-ja. Pack uroi Shqipërinë për anëtarësimin që do realizojë në NATO. Delegacioni i Parlamentit Evropian zhvilloi takime me Presidentin Bamir Topi, zv/kryeministrin Genc Pollo, Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, ministrat Lulzim Basha, Bujar Nishani dhe Majlinda Bregu. Gjatë takimit, Presidenti Topi, duke u ndalur në zgjedhjet e pritshme parlamentare të qershorit 2009, theksoi se po bëhen përpjekje të vazhdueshme për pajisjen e popullsisë me karta identiteti brenda afatit, dhe që do të synojë garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të pakontestuara. Zëvendëskryeministri Genc Pollo priti delegacionin e Parlamentit Evropian, të kryesuar nga Doris Pack, me rastin e takimit ndërparlamentar të 15-të midis Parlamentit shqiptar dhe atij të Bashkimit Evropian. Gjatë takimit, delegacioni i BE u përqendrua në procesin e përgatitjes së zgjedhjeve të 28 qershorit dhe në aplikimin e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në BE. Pollo, pasi mori mbështetjen e europarlamentarëve për aplikimin e Shqipërisë për statusin e vendit anëtar në BE, kërkoi mbështetjen e PE-së, pasi Shqipëria ta ketë bërë këtë kërkesë, në mënyrë që procesi të jetë sa më i suksesshëm dhe i shpejtë. Për sa i përket procesit të zgjedhjeve të 28 qershorit, Pollo i garantoi delegacionit evropian se qeveria do bëjë të mundur që këto zgjedhje të jenë më të mirat të realizuara deri më sot në vend, dhe të krahasueshme me standardet më të mira në Evropë.

Zhvillohet në Tiranë takimi i 15-të ndërparlamentar, Shqipëri-Parlamenti Evropian. Eurodeputetët takohen me krerët e shtetit

Bregu: Do aplikojmë për statusin para zgjedhjeve

Në takimin e 15-të ndërparlamentar, Shqipëri-Parlamenti Evropian, eurodeputetja Doris Pack informoi klasën politike me "leksionet" që duhet të ndjekë për të shkuar drejt rrugës së Bashkimit Evropian. Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, ka shtuar se "qeveria shqiptare po punon ngushtë me strukturat e BE-së dhe po koordinohet me Presidencën Çeke për të paraqitur aplikimin për status brenda këtij tremujori". Sipas saj, qeveria shqiptare po e merr këtë hap tjetër drejt Integrimit Evropian, pasi ka treguar një "track record" të mirë në përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga Marrëveshja e Përkohshme. Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, deklaroi në takimin me një grup deputetësh të Parlamentit Evropian, të kryesuar nga deputetja Doris Pak, se perspektiva evropiane ka qenë gur themeli për zhvillimin e gjithanshëm të vendeve të rajonit. Gjatë takimit, ministri Basha shprehu mirënjohjen për angazhimin e të gjithë aktorëve politikë dhe institucionalë të BE-së në konsolidimin e paqes dhe stabilitetit në rajon. Në mënyrë të veçantë, europarlamentarët shfaqën mjaft interes për këndvështrimin dhe analizat e shtetit shqiptar për zhvillimet në Kosovë. Delegacioni i europarlamentarëve, i kryesuar nga deputetja Doris Pack, në cilësinë e kryetares së Delegacionit për Marrëdhëniet me vendet e Evropës Juglindore, vlerësoi arritjet e Shqipërisë në proceset e saj integruese dhe për anëtarësimin e pritshëm muajin që vjen të Shqipërisë në NATO. Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, u shpreh se zgjedhjet e ardhshme parlamentare do jenë të lira dhe të ndershme. Sipas saj, për herë të parë Shqipëria ka një regjistër elektronik që mundëson edhe përgatitjen e listave zgjedhore. "Minibashkitë përgatisin listat e zgjedhjeve në bazë të këtij regjistri, dhe mundësia për manipulim është shumë e pakët", tha Bregu. Sipas ministres, Shqipëria ka arritur të luftojë korrupsionin. "Lufta ndaj korrupsionit është suksesi i masave dhe reformave të ndërmarra", theksoi ajo. Arenca Trashani, anëtare e grupit parlamentar të PD-së, vlerësoi se qeveria shqiptare ka bërë progres në reformat që do ndihmojnë Shqipërinë drejt integrimit. Ajo theksoi se qeveria shqiptare ka bërë reforma në ekonomi. "Qeveria ka organizuar një paketë stimuluese për masa ndaj krizës ekonomike", tha Trashani.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›