Nora: Luftëtari, i aftë për suksesin e dyfishtë
Sulmuesi kryesor i gjirokastritëve, Arlind Nora, beson se ekipi i tij do të shpallet kampion i kategorisë së parë në fund të kampionatit
Trajneri i ri i Luftëtarit, Nevil Dede, ka përveshur mëngët dhe ka nisur stërvitjen me dy seanca në ditë, paradite në sallën e forcës dhe pasdite në fushën e Derviçanit. Ai është në fazën e njohjes së futbollistëve të ekipit që do të drejtojë gjatë fazës së dytë, për të zgjedhur ata që do të shkojnë në Ulqin për të vazhduar procesin stërvitor. Te Luftëtari nuk pritet të ketë shumë lëvizje në merkato, pasi ekipi është i kompletuar.
Gjirokastritët kryesojnë tabelën e klasifikimit, me një ndeshje më pak, atë me rivalin më të afërt, Kukësin, që do të thotë se i kanë mundësitë për ta thelluar diferencën e pikëve, pasi e prapambetura do të zhvillohet në stadiumin e Gjirokastrës. Luftëtari disponon një grup solid futbollistësh, që udhehiqet nga mesfushori Bledar Devolli dhe sulmuesi Arlind Nora, vite më parë bashkëlojtarë me trajnerin aktual, Nevil Deden.
Nora Autori i 10 golave gjatë fazës së parë për Luftëtarin, Arlind Nora, shpreh bindjen se faza e dytë do ta konsolidojë ekipin e tij në krye të tabelës, që do të thotë titull kampion në fund të kampionatit. Sipas tij, ecuria pozitive e ekipit do të vazhdojë edhe me stafin e ri, pse jo dhe më mirë. Luftëtari ka ndryshuar trajnerët, por kjo nuk do të thotë se do të ndryshojë edhe ecuria jonë në vazhdim të kampionatit.
Nuk ka dyshim që trajnerët Hysi dhe Ciko kanë bërë një punë shumë të mirë, përderisa Luftëtari ka kryesuar gjatë fazës së parë. Mendoj se edhe nën drejtimin e Dede do të ecim me të njëjtin ritëm, pse jo edhe më mirë. Jam i bindur se do të arrijmë të parët në finish, edhe pse e kemi të qartë se ndeshjet e fazës së dyë do të kenë shkallë të lartë vështirësie, sidomos ato në transfertë.
Megjithatë, me grupin që ka Luftëtari, do të përballojë çdo sfidë. I kemi dhënë provat fazën e parë dhe nuk ka pse të lëshojmë në vazhdim të kampionatit. Madje, kam shumë besim se do të arrijmë suksesin e dyfishtë, kthimin në superligë dhe titullin kampion të kategorisë së parë. Luftëtari i këtij sezoni është një ekip shumë serioz dhe nuk ka arsye që të mos e mbyllë garën në vend të parë. Personalisht, shpresoj të shënoj sa më shumë gola fazën e dytë, ka theksuar mes të tjerash sulmuesi gjirokastrit, Arlind Nora.
