Martanesh, shembet çatia e një pallati 3-katësh, katër familje mbeten pastreh

Çatia e një pallati tre kate është shembur në Krastë të Martaneshit duke rrezikuar jetën e 28 banorëve që jetonin aty. E gjitha kjo ka ndodhur nën peshën e dëborës së rënë prej javësh ku trashësia i ka kaluar 2 metrat, ndërsa shenjat e shembjes ishin dhënë që ditën e djeshme.
Në orët e para të mëngjesit çatia ka rënë brenda, por për fat pa shkaktuar viktima, ndërsa ka qenë e pamundur të ndërhyhet për ta pastruar pasi pallati kishte vite i ndërtuar dhe çatia ishte e amortizuar.
Bëhet e ditur se katër familjet që banonin aty, nga familjet e varfra të kësaj zone, kanë mbetur nën qiell të hapur. Shtabi i emergjencës po punon për gjetjen e një vendi të përshtatshëm provizor për këto familje.
Bëhet e ditur se nga kjo zonë në rrugë ajrore janë transportuar për në spitale tetë të sëmurë e ndërkohë që gjendje vazhdon të jetë tejet problematike.
***
Rikthimi i reshjeve të borës dhe mjegullës e bën të pamundur vazhdimin e operacionit për dërgimin e ndihmave ushqimore në zonat e izoluara.
Ndërkohë, operacionet e dërgimit të ndihmave të kryera një ditë më parë nuk arritën të furnizonin me ushqime veçse një pjesë të vogël të banorëve të izoluar.
Pavarësisht punës për hapjen e disa akseve rrugore ditën e djeshme, të gjitha rrugët që lidhin komunat me qendrat në veri mbeten të bllokuara.
Krerët e komunave apelojnë për mbarimin e rezervave ushqimore, ndërsa herë pas here banorët sinjalizojnë për emergjenca shëndetësore.
Probleme paraqiten sidomos në rastet e nënave shtatzëna, të moshuarve, të sëmurëve kronikë dhe fëmijëve, për shkak edhe të virozave të stinës, të favorizuara nga temperaturat e ulëta.
Në Tropojë, fshatrat e luginës së Valbonës vijojnë të jenë pa energjie elektrike prej gati një jave. Ata kanë humbur të vetmen rrugë komunikimi me pjesën tjetër të vendit, atë me telefon.
Mësohet se në Valbonë, trashësia e borës ka arritur në 3 metër, ndërsa banorët presin furnizimin me ushqime nga ajri, pasi janë në përfundim të rezervave.
Në Dibër kanë rinisur reshjet e borës ndërsa temperaturat kanë rënë deri në minus 16 gradë celsius.
Në Mirditë, komunat Selitë dhe Fan janë tërësisht të izoluara, ndërsa në Rrëshen temperaturat shënojnë -7 gradë Celcius.
Situatë problematike paraqitet edhe në Librazhd, ku shumica e komunave mbeten të izoluara prej ditësh.
Në Korçë, akset nacionale janë të kalueshme. Aksi Korçë-Dardhë është i pakalueshëm prej 6 ditësh, ndërsa Korçë-Voskopojë kalohet me zinxhirë.