Tiranë, grabiten sendet në makinën e deputetit Bello
Vidhen sende në makinën e deputetit të Partisë Socialiste Marko Bello, ndërsa ende nuk dihet nëse incidenti ka lidhje me detyrën që mban deputeti apo është një grabitje rastësore.
Kjo ngjarje ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në lagjen “Komuna e Parisit” në kryeqytet, ku makina me targa TR 0402 është dëmtuar në garazhin e pallatit të tij.
Duke i’u referuar burimeve të policisë mësohet se veç grabitjes së disa sendeve personale, makinës i është thyer xhami i pasëm.
Mësohet se autorët janë larguar në drejtim të paditur, pasi kanë ndjekur të njëjtën taktikë dhe me dy automjete të tjera të parkuara në të njëjtin vend.
Në të tre automjetet janë marrë telefona, aksesore dhe të gjitha sendet personale të pronarëve të automjeteve.
Referuar kësaj grabitjeje, deputeti socialist menjëherë ka bërë kallëzim në polici, ndërsa kjo e fundit ka nisur hetimet.