Demarkacioni më Malin e Zi, në verë

Policia Kufitare e Kosovës ka marrë nën kontroll vijën kufitare me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Kjo, pasi procesi i demarkacionit me këto dy shtete ka përfunduar. Aktualisht, procesi i demarkacionit me Malin e Zi dhe Serbinë nuk ka filluar.
Por, nëse gjithçka ecën si duhet, atëherë ka mundësi që deri në verën e këtij viti të përfundojë edhe demarkacioni me Malin e Zi. Në rast se do të ndodhë kështu, atëherë vetëm pjesa kufitare me Serbinë do të mbetet e papërcaktuar deri në një kohë tjetër. Komandanti i KFOR-it, Erhard Bühler, ka informuar në Komitetin Ushtarak të NATO-s për situatën në Kosovë, duke vlerësuar se situata e përgjithshme është e qetë dhe stabile, përkundër disa përplasjeve të vogla dhe ngjarjeve në Mitrovicë. Komiteti Ushtarak i NATO-s është i përbërë nga shefat e mbrojtjes së shteteve anëtare të NATO-s dhe është autoriteti më i lartë ushtarak i Aleancës.“Policia e Kosovës e përkrahur nga EULEX-i, është në përgjithësi e aftë të kontrollojë rendin publik dhe të kontrollojë shqetësimet e vogla. Prandaj, edhe pas riorganizimit të KFOR-it dhe reduktimit të numrit të ushtarëve, KFOR-i do të vazhdojë të ketë kapacitete të mjaftueshme të përkrahë EULEX-in dhe PK-në në rast të trazirave të mëdha”, ka thënë Buhler. Ai ka pohuar se bashkëpunimi i KFOR-it me EULEX-in dhe me Policinë e Kosovës është i orientuar në detyra dhe arritje të qëllimeve të përbashkëta. “Në veri të Kosovës situata e sigurisë është përmirësuar për shkak të operacionit të quajtur ‘Vendosmëri e Përbashkët për Veriun’ nga KFOR-i, PK-ja dhe EULEX-i që nga tetori i vitit 2010. Situata e përgjithshme e sigurisë ka shënuar rritje. Përpjekjet e përbashkëta kanë reduktuar shkallën e dhunës e kriminalitetit dhe janë të mirëpritura nga popullata”, ka thënë komandanti i KFOR-it.
Gjenerali Bühler gjithashtu ka vlerësuar situatën në kufij dhe vijën kufitare administrative. “Situata e përgjithshme është e qetë dhe stabile po ashtu. Demarkacioni i kufirit me ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë ka përfunduar dhe detyra e monitorimit të pjesës së parë të këtij kufiri i është dorëzuar Policisë së Kosovës. Procesi i demarkacionit përgjatë kufirit me Malin e Zi mund të përfundojë në verë gjatë këtij viti. KFOR-i është dhe do të mbetet përgjegjës për vijën kufitare administrative”, theksoi Buhler, transmeton Telegrafi.
Komandanti i KFOR-it theksoi se për shkak të situatës së përmirësuar në Kosovë dhe kapaciteteve të rritura të PK-së është bërë e mundur të realizohet plani për riorganizimin e KFOR-it dhe të reduktohet numri i ushtarëve.
Gjenerali Buhler theksoi se që nga 1 marsi 2011, KFOR-i do të ketë një strukturë krejtësisht të re. Shtabi qendror i KFOR-it do të marrë udhëheqjen direkte në të gjitha ish rajonet e grupeve luftarake. Të dy grupet shumëkombëshe luftarake krejtësisht të reja më nuk organizohen në nivel rajonal. Ato nuk kanë zonë fikse të përgjegjësisë. Nën komandën e komandantit të KFOR-it dhe në bazë të nevojave operacionale, trupat nga të dy grupet shumëkombëshe luftarake mund të zbarkojnë çdo kund në Kosovë.