T’zezat e Vranjevcit
Lagjja “27 Nëntori” është në Prishtinë. Kjo është njëra prej të shumtave në pjesën e Kodrës së Trimave (Vranjevc) në kryeqytet. Megjithatë, ajo në pamje të parë duket si rrugë qorre në ndonjë fshat të humbur. Tash e sa vite banorët e kësaj lagjeje nuk e dinë se si është të kesh një rrugë të rregulluar mirë me një kanalizim të mirë. Për ata, gropat e mëdha në këtë rrugë nuk përbëjnë më shqetësim, edhe pse kanë harruar se si qarkullohet pa problem me makinë. Ata sikur janë pajtuar. Por, jo vetëm kaq.
Çdo mëngjes, këta prishtinas i luten Zotit të mos bie shi, sepse në të kundërtën, shtëpitë e tyre do të mbushen me ujë. Problem kryesor i ditëve të fundit për ta është bërë edhe bora e madhe, e cila shkrihet e ua mbush rrugën me ujë të lagjeve të tjera. Në fakt kjo lagje ka kanalizim, por ai është tepër i ngushtë për të qenë në gjendje të përcjellë tërë atë sasi të madhe uji.
Nexhat Rama, banor i lagjes “27 Nëntori”, prej se ka nisur sezoni i dimrit, detyrohet që çdo mëngjes të hapë kapakun e kanalizimit, që ndodhet shumë pranë derës së tij të shtëpisë. Jo pse nuk ka çfarë të bëjë tjetër, por sepse është i detyruar ta bëjë një gjë të tillë. Nëse nuk e bën këtë, ai rrezikon që kati i parë i shtëpisë së tij të zhytet nën ujë.
Nexhati thotë se hapja e kanalizimit i është bërë rutinë ditore. “Prej se kemi hyrë në dimër, kështu e kam. Çdo ditë duhet të merrem me hapjen e kapakut të kanalizimit, derisa të hiqet një pjesë e ujit”, rrëfen Nexhati për Express.
Ai tashmë i ka harruar gropat e mëdha që ndodhen në lagjen e tij, krahasuar me problemin e ujit.
“Para 2 vitesh jam detyru me e rregullu shtëpinë si pasojë e ujit që ma mori katin e parë. E për mos me ndodh më, tash çdo ditë po kujdesem kështu. Bile i kam harru gropat”, pohon ai.
Edhe Fejzullah Gërbeshit, i cili jeton në këtë lagje të harruar, uji ia ka përmbytur shumë herë shtëpinë. Prandaj është detyruar që shumë shpesh të trokasë në derën e kryetarit të Komunës së Prishtinës për të kërkuar ndihmë.
(Shkrimin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të gazetës Express)