Demarkacioni me Malin e Zi, në verë
Komandanti i KFOR-it, Erhard Bühler, ka informuar Komitetin Ushtarak të NATO’s për situatën në Kosovë, duke vlerësuar se situata e përgjithshme është e qetë dhe stabile, përkundër disa përplasjeve të vogla dhe ngjarjeve në Mitrovicë.
“Policia e Kosovës, e përkrahur nga EULEX-i, është në përgjithësi e aftë të kontrollojë rendin publik dhe të kontrollojë shqetësimet e vogla. Prandaj, edhe pas riorganizimit të KFOR-it dhe reduktimit të numrit të ushtarëve, KFOR-i do të vazhdojë të ketë kapacitete të mjaftueshme të përkrahë EULEX-in dhe PK-në në rast të trazirave të mëdha”, ka thënë Buhler.
Buhler ka pohuar se bashkëpunimi i KFOR-it me EULEX-in dhe me Policinë e Kosovës është i orientuar në detyra dhe arritje të qëllimeve të përbashkëta.
Ai ka vlerësuar situatën në kufij dhe vijën kufitare administrative.
“Situata e përgjithshme është e qetë dhe stabil po ashtu. Demarkacioni i kufirit me ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë ka përfunduar dhe detyra e monitorimit të pjesës së parë të këtij kufiri i është dorëzuar Policisë së Kosovës. Procesi i demarkacionit përgjatë kufirit me Malin e Zi mund të përfundojë në verë gjatë këtij viti. KFOR-i është dhe do të mbetet përgjegjës për vijën kufitare administrative”, ka theksuar Buhler.