E Shtunë, 31 Tetor 2026

Martinez- Topalli Hapat e fundit sinjale pozitive per rrugen e integrimit

“Ju siguroj se Shqipëria ka shumë miq, që ju kuptojnë, ju duan dhe ju respektojnë, sepse ju njohin dhe ju mbështesin në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”. Ky ishte mesazhi që zv.Presidenti i Parlamentit Evropian, z.Miguel Angel Martinez Martinez i përcolli Kryetares së Kuvendit, znj. Jozefina Topalli gjatë një takimi të zhvilluar me të.

Procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian ishte çështja kryesore ku palët u ndalën gjerësisht gjatë takimit.

Kryetarja e Kuvendit falënderoi Zv.Presidentin e PE për mbështetjen ndaj Shqipërisë dhe e informoi atë mbi hapat e fundit të ndërmarra nga klasa politike shqiptare në funksion të procesit të integrimit, ndërmarrjes së reformave dhe punës për ligjet që kërkojnë 3/5 e votave.

“Dy vitet e fundit kanë qenë një periudhë e vështirë, në dy vite opozita bojkotoi Parlamentin dhe stopoi procesin e integrimit, por tani ajo situatë është tejkaluar, deputetët socialistë janë rikthyer në Parlament, në Komisionet Parlamentare, është krijuar një proces bashkëpunimi për reformat e integrimit. Të gjitha forcat politike duhet të marrin përgjegjësitë e tyre dhe të kenë një objektiv të përbashkët: Integrimin e Shqipërisë në BE!” tha Kryetarja e Kuvendit.
Nga ana e tij, zoti Martinez vlerësoi rolin e Kryetares së Kuvendit ndërsa theksoi se hapat fundit që janë ndërmarrë, janë sinjale pozitive që i shërbejnë rrugës së integrimit. “Më lejoni të shpreh kënaqësinë që ju takoj, është rasti t’iu përgëzoj për punën tuaj në pozicionin e vështirë të Kryetarit të Parlamentit, Shqipëria është përpara një rruge të rëndësishme, asaj të integrimit në Bashkimin Evropian, hapa të rëndësishëm po sinjalizohen dhe jeni në rrugën e duhur!. Ju jeni evropianë, po aq sa dhe vendet e BE. ” u shpreh Zv.Presidenti i Parlamentit Evropian.
Kriza financiare që ka prekur Evropën, ishte një tjetër temë e rëndësishme ku palët u ndalën kryesisht. Kryetarja e Kuvendit tha se pavarësisht krizës së borxheve që ka luhatur edhe vende të fuqishme të Evropës, performanca ekonomike në Shqipëri është optimiste dhe vendi ka shënuar rritje pozitive ekonomike nga viti në vit.

Po ashtu, gjatë takimit zoti Martinez informoi Kryetaren e Kuvendit mbi një projekt të tij, për hapjen e një Muzeu Historik të Evropës, pranë godinës së Parlamentit Evropian, i cili të përfshijë historinë e çdo vendi evropian në shekullin e fundit.

“Disa vende në Europë kanë qenë të pafat, e disa të tjera me fat. Është si të bësh drejtësi, për njerëz dhe popuj që për fakte historike e kanë parë veten jashtë. Jam shumë i prekur nga ky projekt,i cili nuk mund të kompletohet pa kontributin e të gjithëve. Është si një puzzle që duhet të plotësohet, dhe nëse një pjesë mungon, ajo mbetet e pakompletuar. Nuk duhet të ndalojmë deri sa ta plotësojmë atë” u shpreh zv.Presidenti Martinez.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›