E Diel, 1 Nëntor 2026

Si dështoi plani i Leka Zogut për të rrëzuar Berishën nga pushteti në mars 94

Share

Nga Guxim Alimani

Pas përzënies nga Atdheu më 20 nëntor 1993, Mbreti Lekë u mërzit seriozisht. Po aq zhgënjim u vu re tek emigracioni, kryesisht ai i vjetër politik për këtë akt aspak demokratik e atdhetar e lëre më njerëzor. Largimi i Leka Zogut irritoi natyrisht, së pari, legalistët e monarkistët, të cilët asokohe filluan realisht divorcin politik me PD-në, me gjithë butësinë që shfaqte de jure kryetari i P.L.L., z.Guri Durollari.

Në këto kushte mbreti Lekë thirri në mars 1994 një delegacion nga Shqipëria. Siç do tu përshkruaj me vërtetësi në këto radhë, vizita e këtij delegacioni më shumë se një gjest kortezie apo çmallimi, ishte një mbledhje politike që në thelb përmbante një kundërvënie reale ndaj regjimit post-diktature të instaluar në Shqipëri. Duhet thënë se për arsye të largësisë, si dhe pamundësisë materiale, në Johanesburg të Afrikës së Jugut mbërriti një delegacion simbolik, por që në përbërje kishte jo pak domethënie. Konkretisht bënin pjesë këta zotërinj: 1. Abdi Baleta, deputet i Partisë Demokratike. 2. Kurt Kola Kryetar i Shoqatës së ish të Përndjekurve dhe të burgosurve Politikë të Shqipërisë. 3. Sulejman Krasniqi shkrimtar dhe personalitet i njohur i letërsisë historike me origjinë nga Kosova. 4. Arshin Rexha Kryetar i Shoqatës Atdhetare Politike Çamëria. 5. Guri Durollari, shqiptaro-amerikan, asokohe drejtues i Partisë së Legalitetit. 6. Ilia Terpini Artist i Merituar, personalitet i njohur në fushën e artit dhe kinematografisë. 7. Ramiz Mena pinjoll i njërit nga bajraqet më të njohura të Lurës, i përndjekur politik. 8. Ramiz Lushaj personalitet i njohur në botën e gazetarisë, pronar e drejtues asokohe i gazetës Dardania 9. Lin Martini një nga krerët e njohur të antikomunizmit në Shkodër, ish i burgosur politik, vëllai i mjaft të njohurve të Lëvizjes Demokratike në Shkodër, Viktor e Lek Martini 10. Skënder Dede, inxhinier i Fizikës Bërthamore, drejtues i rinisë pranë shoqatës së ish të përndjekurve politikë. 11. Guxim Alimani (autori i këtij shkrimi) drejtues i shtypit monarkisto-legalist në Shqipëri, si dhe këshilltar i ministrit të Oborrit Mbretëror.

Pa përmendur bujarinë, me të cilen u pritëm, si dhe ekzotizmin e vizitës në kontinentin e largët, do të ndalem në mbledhjen disaditore të Johanesburgut. Mbledhja u drejtua nga vetë mbreti në Rezidencën e tij me asistimin edhe te ministrit të oborrit, z. Mulosmanaj dhe sekretarëve e ndihmësve të tjerë që shërbenin pranë tyre si z. Bram Well, zonja Ana Mari Zhoze etj. Mbledhja kaloi në tre faza dhe përfundoi me konkluzione e protokoll të nënshkruar nga të gjithë pjesëmarrësit. Faza e parë ishte njohja e mbretit dhe informimi me situatën politiko-ekonomike në Atdhe. Në unanimitet u konkludua se qeveria dhe shteti shqiptar nuk po arrinin të përmbushnin aspiratat demokratike të shqiptarëve, si dhe po demonstronin reminishenca të dukshme të sistemit komunist.

Faza e dytë e mbledhjes ishte vendimi për formatimin e të djathtës shqiptare mbi parime krejt të tjera nga ajo e djathtë që qeveriste asokohe vendin. Faza e tretë ishte faza teknike që përmbante nominacionin e strukturës së re politike, veprimi, financimi, si dhe mënyrën e aktivizimit politik të menjëhershëm. Formacioni u quajt Fronti i Djathtë Shqiptar dhe për këtë u hartua një rezolutë që do të merrte emrin Protokolli i Johanesburgut.

Pikat themelore të protokollit ishin si më poshtë:

- Bashkimi i forcave politike realisht të djathta pa Partinë Demokratike, e cila nominohej si një krijesë e Katovicës dhe nuk përmbushte parametrat minimal të përfaqësueses së djathtë shqiptare.

- Largimi nga pushteti i Berishës dhe qeverisë së tij si të pabesueshëm për të udhëhequr trazicionin post-diktature në Shqipëri.

- Ekspozimi agresiv politik i çështjes shqiptare kryesisht asaj të Kosovës dhe Çamërisë.

Mbreti Lekë ndonëse ishte ideatori i këtij formacioni politik, kërkoi te lihej jashtë nominimit si lider i Frontit të Djathtë, pasi që pozicioni i tij e kërkonte të qëndronte asnjanës politikisht dhe mbi palët. Me kthimin në Atdhe të delegacionit filloi energjikisht zbatimi i protokollit të Johanesburgut në të gjithë Atdheun. Në formacion përveç Partisë se Legalitetit mori pjesë Balli Kombëtar, Bashkimi Demokrat, Shoqata e të Përndjekurve, Çamëria, shoqata e ish-pronarëve, shoqata e ish-kulakëve etj., si dhe ish-deputetë të PD-së, Abdi Baleta dhe Petrit Kalakula. Por përfshirja e Partisë Republikane dhe të ndjerit Sabri Godo në këtë front (me iniciativën e z. Durollari), si dhe ndryshimi jashtë protokollit i emërtimit nga Front në Lidhje të Djathtë Shqiptare, ngjallën përnjëherë reagimin e z. Baleta e Kalakula, të cilët krijuan një organizëm të veçantë.

Kjo lëvizje e Baletës, ndonëse përkonte me protokollin e firmosur të Johanesburg e atrofizoi fuqinë e krijesës së djathtë politike të iniciuar nga Mbreti. Gjithsesi L.D.SH., ndërmori një aktivitet të dendur politik mjaft simpatik, por prania e Godos dhe lëvizjes së tij fluktuative e dëmtuan dhe e çuan atë në dështim. Përpos kësaj, pushteti i kohës u përgjigj me egërsi. Pikërisht në qershor 1994 u ndërmor një fushatë politiko-historike kundër Mbretit Zog nën maskën e rivlerësimit të imzot Fan Noli. Kjo fushatë drejtohej nga krushku i z. Berisha, z. Luan Malltezi. Shërbimi Sekret filloi presionet kundër individëve pro-monarkiste deri në forma antidemokratike të theksuara.

Në korrik të vitit 1994, u shtyp dhe u shpërnda me dhunë greva e urisë e Shoqatës së ish të burgosurve politikë, drejtuar nga Kurt Kola. Ky i fundit jo vetëm u dhunua e u privua nga liria, por edhe greva e tij dhe anëtarëve të Shoqatës u etiketua si vepër e Leka Zogut. Këtë do ta provonte zyrtarisht ish-kreu i parlamentit, z. Pjetër Arbnori. Pra, ku me dhunë e forcë, ku me taktikë e dredhi, protokolli i Johanesburgut u shua sikundër dhe tentativë e Mbretit Lekë për të rrëzuar Berishën nga pushteti. Kjo tentativë, si dhe të tjera ngjarje reale ku unë kam qenë dëshmitar, e pse jo edhe aktor, ma bëjnë shumë paradoksale e shpesh të pabesueshëm deri në qesharak, prononcimin e këtyre ditëve të z. Berisha. Dhëntë zoti të jetë një reflektim përmbysës i tij. Një i tillë reflektim është për tu shënuar, nëse është e vërtetë. Kush njeh Dr. Berishën zor ta besojë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›