Martinez: Hapat e fundit, sinjale pozitive për integrimin

Zv.Presidenti i Parlamentit Evropian Miguel Angel Martinez Martinez vlerësoi situatën e re politike në vend ndërsa e cilësoi hapat e fundit mes mazhorancës dhe opozitës si sinjale positive që i shërbejnë rrugës së integrimit.
Gjatë takimit me Kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli, Mertinez theksoi se Shqipëria është në rrugën e duhur për t`u anëtarësuar në Bashkimin Europian.
“Shqipëria është përpara një rruge të rëndësishme, asaj të integrimit në Bashkimin Evropian, hapa të rëndësishëm po sinjalizohen dhe jeni në rrugën e duhur!. Ju jeni evropianë, po aq sa dhe vendet e BE. ” u shpreh Zv.Presidenti i Parlamentit Evropian.
Nga ana e saj kryeparlamentarja Topalli e informoi Zv.presidentin e PE-së mbi hapat e fundit të ndërmarra nga klasa politike shqiptare në funksion të procesit të integrimit, ndërmarrjes së reformave dhe punës për ligjet që kërkojnë 3/5 e votave.
“Dy vitet e fundit kanë qenë një periudhë e vështirë, në dy vite opozita bojkotoi Parlamentin dhe stopoi procesin e integrimit, por tani ajo situatë është tejkaluar, deputetët socialistë janë rikthyer në Parlament, në Komisionet Parlamentare, është krijuar një proces bashkëpunimi për reformat e integrimit. Të gjitha forcat politike duhet të marrin përgjegjësitë e tyre dhe të kenë një objektiv të përbashkët: Integrimin e Shqipërisë në BE!” tha Kryetarja e Kuvendit.
Kriza financiare që ka prekur Evropën, ishte një tjetër temë e rëndësishme ku palët u ndalën kryesisht. Kryetarja e Kuvendit tha se pavarësisht krizës së borxheve që ka luhatur edhe vende të fuqishme të Evropës, performanca ekonomike në Shqipëri është optimiste dhe vendi ka shënuar rritje pozitive ekonomike nga viti në vit.
Po ashtu, gjatë takimit zoti Martinez informoi Kryetaren e Kuvendit mbi një projekt të tij, për hapjen e një Muzeu Historik të Evropës, pranë godinës së Parlamentit Evropian, i cili të përfshijë historinë e çdo vendi evropian në shekullin e fundit.
“Disa vende në Europë kanë qenë të pafat, e disa të tjera me fat. Është si të bësh drejtësi, për njerëz dhe popuj që për fakte historike e kanë parë veten jashtë. Jam shumë i prekur nga ky projekt,i cili nuk mund të kompletohet pa kontributin e të gjithëve. Është si një puzzle që duhet të plotësohet, dhe nëse një pjesë mungon, ajo mbetet e pakompletuar. Nuk duhet të ndalojmë deri sa ta plotësojmë atë” u shpreh zv.Presidenti Martinez.