E Diel, 1 Nëntor 2026

Martinez: Shqipëria ka miq në rrugën drejt BE-së

Procesi i zgjerimit të BE-së ishte çështja kryesore ku palët u ndalën gjerësisht gjatë takimit.

Kryeparlamentarja shqiptare falënderoi zv.Presidentin e PE-së për mbështetjen ndaj Shqipërisë dhe e informoi atë mbi hapat e fundit të ndërmarra nga klasa politike shqiptare në funksion të procesit të integrimit. “Dy vitet e fundit kanë qenë një periudhë e vështirë, pasi opozita bojkotoi Parlamentin dhe stopoi procesin e integrimit. Por, tani ajo situatë është tejkaluar; deputetët socialistë janë rikthyer në Parlament, në komisionet parlamentare është krijuar një proces bashkëpunimi për reformat e integrimit. Të gjitha forcat politike duhet të marrin përgjegjësitë e tyre dhe të kenë një objektiv të përbashkët: integrimin e Shqipërisë në BE”, theksoi kryetarja e Kuvendit.

Nga ana e tij, z. Martinez theksoi se hapat e fundit që janë ndërmarrë janë sinjale pozitive që i shërbejnë rrugës së integrimit. “Shqipëria është përpara një rruge të rëndësishme, integrimit në BE. Hapa të rëndësishëm po sinjalizohen dhe jeni në rrugën e duhur. Ju jeni evropianë, po aq sa dhe vendet e BE-së”, u shpreh zv.Presidenti i PE-së.

Kriza financiare që ka prekur Evropën, ishte një tjetër temë e rëndësishme ku palët u ndalën. Kryetarja Topalli tha se pavarësisht krizës së borxheve që ka luhatur edhe vende të fuqishme të Evropës, performanca ekonomike në Shqipëri është optimiste dhe vendi ka shënuar rritje pozitive ekonomike nga viti në vit.

Po ashtu, gjatë takimit zv.presidenti Martinez e informoi kryeparlamentaren mbi një projekt të tij, për hapjen e një Muzeu Historik të Evropës, pranë godinës së Parlamentit Evropian, i cili duhet të përfshijë historinë e çdo vendi evropian në shekullin e fundit.

“Disa vende në Evropë kanë qenë të pafat, e disa të tjerë me fat. Është si të bësh drejtësi për njerëz dhe popuj që për fakte historike e kanë parë veten jashtë. Jam shumë i prekur nga ky projekt, i cili nuk mund të kompletohet pa kontributin e të gjithëve. Është si një mozaik që duhet të plotësohet dhe nëse një pjesë mungon, ajo mbetet e pakompletuar. Nuk duhet të ndalojmë derisa ta plotësojmë atë”, u shpreh Martinez.
/Start/E.B/

                                                                                             2011-12-10 16:39
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›