Rusi, mijëra persona në shesh, protesta më e madhe që prej rrëzimit të BS-së (FOTO)
Më shumë se 50 mijë persona kanë mbushur ditën e sotme rrugët e Moskës, duke shënuar protestën më të madhe në Rusi që prej rënies së Bashkimit Sovjetik.
Ata kanë dalë me parrulla kundër kryeministrit Vladimir Putin, të cilin e akuzojnë se ka vjedhur zgjedhjet.
Protesta janë zhvilluar edhe në disa qytete të tjera të Rusisë, por me një pjesmarrje më të vogël.
Protestat kanë bërë që policia ruse të arrestojë më shumë se një mijë persona, mes të cilëve edhe tribuni i luftës kundër korrupsionit, Alexei Navalny, i cili ndodhet në burgim.
Kryeministri Vladimir Putin nuk është përballur kurrë më parë me protesta kaq të mëdha, deklaron korrespondenti i BBC në Moskë, Steve Rosenberg.
Gjatë dekadës së tij në pushtet, fillimisht si president dhe më pas si kryeministër, ai është konsideruar si politikani më popullor dhe më i pushtetshëm në Rusi.
Por, siç ka thënë një protestues për rrjetin informativ britanik, Rusia tani ka hyrë në rrugën e ndryshimit dhe Putin nuk është më një figurë e përshtatshme për vendin.
Putin pas protestave të zhvilluara në Rusi, ka akuzuar Shtetet e Bashkuara si nxitëse të tyre.





