E Shtunë, 31 Tetor 2026

Martohet Chelsea Clinton

Disa përfaqësues të lartë të jetës politike dhe shoqërore në SHBA, ishte paraparë të marrin pjesë sot në ceremoninë e martesës së Chelsea Clintonit, që është vajza 30-vjeçare e Bill dhe Hillary Clintonit.

Ajo martohet me partnerin e saj shumëvjeçar, Marc Mezvinsky, me profesion bankar investues, në pushimoren Rhinebeck, në lumin Hadson, në shtetin New York.

Pos prindërve të vajzës, ish-presidentit amerikan, Bill Clinton, dhe sekretares amerikane të shtetit, Hillary Clinton, raportet e pakonfirmuara thonë se në dasmë do të marrin pjesë edhe ish-sekretarja amerikane e shtetit, Madeleine Albright, regjisori i njohur, Stiven Spilberg, moderatorja e popullarizuar televizive, Oprah Winfrey, e të tjerë.

Hollësitë e ceremonisë u mbajtën të fshehta nga familja Clinton, por kurioziteti i natyrshëm i medies ka bërë që dasma e Chelseat të kthehet në një sekret, që tani dihet nga të gjithë.

Tabela dhe fotografi që urojnë Chelsean dhe dhëndrin Mark Mezvinski janë vendosur në shumë vitrina dyqanesh.

Megjithëse dyqaneve të luleve apo të ëmbëlsirave, menaxherëve të hoteleve dhe shoferëve të limuzinave u është kërkuar të nënshkruajnë marrëveshje të besueshmërisë, që sekreti të mos dalë, e gjithë qyteza ku do të bëhet dasma gumëzhin nga lajmi.

Sekretarja e shtetit Clinton tha se edhe ajo vetë është betuar para së bijës që të mos e nxjerrë sekretin.

“E kam gojën të kyçur... kam urdhra të rrepta të mos flas për këtë gjë,” tha ajo.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›