E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vonesa e rezultateve, për shkak të kopjimeve

Justifikimi pas një muaji u mbetet nxënësve kopjacë, të cilët bllokuan procesin që u mbajt i fshehtë

Edhe pse ka kaluar plot një muaj që nga dita e shpalljes së rezultateve të provimeve me zgjedhje, notat e një numri të konsiderueshëm maturantësh vazhdojnë të mbeten enigmë. Burime nga Agjencia e Vlerësimit të Nxënësve dhe APRIAL-i bëjnë të ditur se shkak për këtë “zvarritje” kanë qenë përgjigjet identike që janë konstatuar në testet e lëndëve me zgjedhje. Edhe për këtë vit, njësoj si përvojat e kaluara, është regjistruar një shifër e lartë nxënësish të cilët kanë kopjuar fjalë për fjalë përgjigjet e njëri-tjetrit. Raste të tilla janë shqyrtuar me shumë kujdes nga specialistët e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, në mënyrë që “fajtorët” të mos mbeten pa u ndëshkuar. Kjo do të thotë që të gjithë ata maturantë, përgjigjet e të cilëve kanë qenë plotësisht të njëjta me ato të një tjetri, do të penalizohen. Masat që do të merren për ta do të jenë të ndryshme, në varësi të mënyrës së kopjimit, çka do të thotë që ata mund të humbasin pikë për përgjigje specifike, por nuk do të jetë çudi nëse tezat e tyre do të anulohen. Të paktën pretendimi i instancave arsimore është se shkak për bllokimin e zbardhjes së notave të maturantëve ka qenë fenomeni “kopjim”. Aludimet mbi shkaqet që çuan në këtë avari kanë qenë nga më të ndryshmet. Kishte zëra që pohonin se shkaku kryesor që krijoi këtë skandal ishte moskorrigjimi i tezave ose mosregjistrimi i emrave dhe notave përkatëse të maturantëve në data base-n e Agjencisë së Vlerësimit, çka nënkuptonte një gabim teknik ose njerëzor. Por së fundmi rezulton se këto pista dyshimi kanë rënë poshtë, pasi dyshohet se ka qenë konstatimi i kopjimeve ai që ka ndikuar në ngërçin e krijuar pranë institucioneve përgjegjëse. E megjithatë nuk mund të pretendohet që kjo të jetë plotësisht e vërtetë, për sa kohë specialistët e përfshirë në procesin e hartimit, menaxhimit dhe vlerësimit të maturës, nuk kanë dalë ende në një prononcim zyrtar. Ky fakt që do të shërbente për të hedhur poshtë dyshimet e deritanishme, por edhe për të konfirmuar njëherë e mirë arsyen e këtij “ngërçi” që po mban peng fatin e maturantëve. Pjesë e personave që do të ndëshkohen për kopjim nuk do të jenë vetëm nxënësit, por edhe administratorët, ata që kanë mbikëqyrur për katër orë me radhë zhvillimin e provimeve me zgjedhje. Më 30 qershor, datë kur u zhvilluan testet e lëndëve që nxënësit kishin përzgjedhur me dëshirën e tyre, Ministria e Arsimit kishte përcaktuar nga një administrator në çdo klasë. Roli i tij ishte të monitoronte me kujdes dhe përgjegjësi mbarëvajtjen e zhvillimit të testeve, por sidomos lëvizjet e nxënësve. Kjo do të thotë që ata nuk duhet të toleronin apo favorizonin asnjë nxënës, por të ruanin me përpikëri secilin prej tyre. Fakti që së fundmi po qarkullojnë dyshimet mbi kopjime, do të thotë që monitoruesit nuk kanë qenë aq të vëmendshëm sa duhet të ishin. Kjo deklaratë implikon edhe administratorët, çka nënkupton se penalizimet do të jenë të dyfishta, si për nxënësit, ashtu edhe për mësuesit.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›