Venter: Dimë ende shumë pak për gjenin
Në një intervistë, shkencëtari i gjenetikës Craig Venter, flet për 10 vitet e fundit, të cilat i ka kaluar duke u marrë me “ndarjen” e gjenit njerëzor. Ai jep arsyet e tij se përse gjatë këtyre viteve gjithsesi kemi mësuar shumë pak për gjenetikën dhe për mundësinë e prodhimit në masë të formave artificiale të jetës.
Kur elita e shkencëtarëve të gjenetikës ndërmori përpjekjen e zbërthimit të kodit të gjenit njerëzor, ju u shndërruat në një “armik të madh”. Të shumtë ishin ata që ju cilësuan “Frankeshtajn”, “Darth Venter” dhe madje edhe “maskara”. Përse krijuat kaq shumë armiqësi?
Mendoj se askush nuk do të dëshironte që të mundej nga një qenie me një inteligjencë superiore. Një gjë e tillë i trishton njerëzit.
çdo fushë e shkencës është kompetitive, por nuk çon në armiqësi të tilla?
Projekti i gjenit njerëzor ishte nënprojekt tërësisht i ndryshëm dhe supozohej të ishte më i madhi dhe më i rëndësishmi i shkencave biologjike. Ky projekt mori miliarda dollarë fonde qeveritare dhe në një moment të caktuar, një person i vetëm arriti që mundte shkencëtarët që kishin punuar për këtë çështje për vite me radhë. Sigurisht që reagimi i tyre është më se i justifikueshëm.
A mos vallë kundërshtarët tuaj druheshin se mos ju do ta shndërronit gjenin njerëzor në një pronë private tuajën?
Kjo është tërësisht absurde. Fillimisht kundërshtarët deklaruan se metodat e mia nuk do të funksiononin kurrë dhe kur e kuptuan se e kishin gabim, nisën sulmet personale kundër meje dhe sajuan akuzat për “privatizim të gjenit” e të tjera si këto.
Pra mendoni se gjithçka ishte vetëm propagandë?
Në fund fitojnë gjithmonë argumentet, por të mos harrojmë se kjo betejë mes së mirës së përbashkët dhe komercializimit të zbulimit është një argument që u ka pëlqyer shumë edhe gazetave.
Mendoni se çështja e patentës së gjenit, që ishte në qendër të kontradiktave, ishte e ekzagjeruar?
Pikë së pari, askush nuk ka fituar shumë para nga patentat e gjenit njerëzor. Së dyti, unë personalisht nuk e kam një patentë të tillë.
Më 26 qershor të vitit 2000, ju patët një rast të madh duke u takuar me Francis Collins në Shtëpinë e Bardhë…
Ah po, ishte pa dyshim një ngjarje e madhe historike. Ishte e mrekullueshme që nga Shtëpia e Bardhë t’i bëhej botës një njoftim i një rëndësie të madhe. Ishte një triumf edhe për grupin tim të punës dhe për fitoren tonë.
Në atë kohë, askush nga ju nuk kishte fituar. Nobelisti i projektit qeveritar të gjenit, John Sulton...
Ah po, si tha ai që unë dhe njerëzit e mi ishim një bandë hipokritësh që nuk dinim asgjë? Në fakt, ai as që ia kishte idenë se çfarë dinim, apo kishim arritur ne.
Kjo ishte hera e vetme në histori që një zbulim shkencor po njoftohej zyrtarisht nga qeveria. Si mendoni që ndodhi një gjë e tillë?
Ishte një kompromis politik, sepse njerëzit që ndodheshin në krye të projektit të gjenit njerëzor kishin frikë se do të ishim më të shpejtë se ata për të njoftuar zbulimin tonë. Dhe ne kishim fikë se ata do të përdornin Shtëpinë e Bardhë për ta bërë situatën edhe më solemne e të vërtetë.
Projekti i gjenit është cilësuar projekti ‘Manhatan’ i kësaj epoke. Në atë kohë u tha se njohuritë që do të fitoheshin mbi gjenet do të ndryshonin të ardhmen e njerëzimit dhe do të bëheshin edhe një nga forcat më të mëdha të ekonomisë sonë.
Kush e ka thënë një gjë të tillë? Me siguri njerëzit e projektit...
E keni gabim. Jeni ju që i keni bërë këto deklarata në një intervistë të vitit 1998.
Vërtet? Këto nuk janë fjalët e mia, ndoshta mund t’i kem thënë për të ilustruar mendësinë e tyre...
Për sa i përket projektit të gjenit, ai nuk zgjoi vetëm shpresa, por edhe shqetësime. A arrini ju që t’i kuptoni këto shqetësime?
Po. Ka dy grupe njerëzish. Njerëz që duan të kenë informacion e të njohin të vërtetën dhe njerëz që preferojnë të jetojnë si struci me kokën në rërë. Frika bazohet në besimet e rreme se ata që njohin disa aspekte të ADN-së dinë gjithçka në lidhje me të gjitha aspektet e jetës. Ky budallallëk është përhapur nga ata shkencëtarë të gjenetikës që kanë pasur frikën e komercializimit të këtij zbulimi.
Pra, me pak fjalë, domethënia e zbulimit për gjenin në fund të fundit nuk është edhe aq e madhe?
Jo. Ne mund të dimë disa gjëra për gjenin, por nuk dimë se si ta lexojmë atë.
Pra, ju mendoni se projekti i gjenit njerëzor ka sjellë fare pak përfitime mjekësore deri më tani?
Thuajse baras me zero.
Po të paktën a na ka sjellë ndonjë njohuri të re?
Po. 11 vjet më parë ne nuk e dinim se sa gjene kanë njerëzit. Ka pasur nga ata që e kanë vlerësuar numrin 100 mijë dhe të tjerë mendonin se ishin 300 mijë. Ne bëmë shumë armiq kur thamë se mund të ishin shumë më pak, pra afërsisht rreth 40 mijë dhe më pas zbuluam se ka vetëm rreth 20 mijë. Për mendimin tim këto vite do të mbahen mend jo për atë që është zbuluar, por për atë pak që nuk është zbuluar dhe është pretenduar se është zbuluar.
Përse kërkohet një kohë kaq e gjatë për aplikimin e studimeve gjenetike në mjekësi?
Sepse, në të vërtetë nga çështja e gjenit nuk kemi mësuar tjetër veç probabiliteteve. Ajo që kemi është një informacion i padobishëm. Pritshmëria jonë ka qenë e kotë.
A mendoni se do të vijë koha që të arrihet nxjerrja e informacioneve për t’i shndërruar ato në rezultate të mirëfillta mjekësore?
Që një gjë e tillë të ndodhë duhet më shumë informacion. Informacion mbi mekanizmat kimikë të trupit tonë, psikologjinë, gjithë dosjen mjekësore personale të trupit, informacione për trurin dhe gjithë jetën. Këtë do të duhet ta bënim miliona herë, pra për njerëz të ndryshëm dhe më pas të lidhnim të dhënat me informacionin gjenetik në përgjithësi.
A do të çonte kjo në atë që konsiderohet si “ilaçi i personalizuar”, pra që për çdo njeri ka një ilaç të caktuar në varësi jo vetëm të sëmundjes, por edhe organizmit të tij?
Ky është një tjetër nocion i kotë. Nuk funksionon kështu pra që të dalë një mjek e të thotë se e njeh gjenin tënd dhe të përgatisë një ilaç posaçërisht për ty. Kjo nuk do të ndodhë kurrë. Gjëja më e rëndësishme është përdorimi i informacionit gjenetik në lidhje me rreziqet personale dhe reduktimet e tyre përmes masave që duhen marrë.
Ju keni thënë se sa naivë kanë qenë në fillimet e tyre kërkuesit e gjenit. A do të qeshin me ne brezat e ardhshëm për naivitetin e epokës sonë në këtë drejtim?
Këtë vetëm koha do ta tregojë. Megjithatë ne aktualisht kemi një nga mjetet më të rëndësishme për interpretimin e gjenit: qelizën e parë sintetike. Kjo do të mundësojë që të bëjmë pyetje të cilat më parë i kemi konsideruar të pamundura.
Ju vetë krijuat qelizën artificiale. Si është ajo sot?
është në një frigorifer dhe mjaft mirë mund të them. Do ta mbajmë aty për një kohë të gjatë, madje edhe për historianët.
Ju keni ruajtur një kod në gjenin e kësaj qelize. A e ka zbërthyer ndokush këtë kod?
Po. është gjeni i parë në botë që përmban një adresë e-maili. Deri tani 50 shkencëtarë e kanë zbërthyer kodin dhe na janë përgjigjur.
Ekziston një frikë e madhe te njerëzit në lidhje me atë që mund të ngjasë nëse njerëzit do të jenë në gjendje të prodhojnë jetë artificiale. Vazhdimisht përsëritet fraza: “Nuk duhet luajtur me Zotin”...
Po, por kjo nuk ka të bëjë me fuqinë e Zotit, por me fuqinë e shkencës. Problemi i vërtetë është se njerëzit nuk e kuptojnë mirë, ose e kuptojnë keq shkencën dhe arritjet apo qëllimin e saj. Në të ardhmen, nëse do të duam që të kemi më shumë ujë, më shumë ushqim, më shumë energji pa e shkatërruar tërësisht planetin tonë, do të na duhet që të besojmë te zbulimet shkencore.
Ka shkencëtarë që, ndërsa bëjnë shkencë, besojnë te Zoti.
Kjo është çështja e tyre. Për mua ekziston ose besimi, ose shkenca. Nuk mund t’i kesh të dyja.
Kur mund të shohim mikrobe artificiale nga laboratorët tuaj?
Epo është një objektiv me shumë plane. Duhet nisur me krijimin e qelizave minimale. Një qelizë njerëzore është shumë komplekse dhe nuk e kemi ende idenë se si funksionon një qelizë njerëzore, madje as qelizat e thjeshta të baktereve. Duhet të mësojmë minimalisht se cilët janë komponentët minimalë të qelizave. Ne po përpiqemi të projektojmë forma të reja jete për prodhimin e energjisë, apo kimikateve.
Sa kohë do të kalojë që nga format e jetës të krijuara prej jush të krijohet karburanti për makina?
Nuk bëhet fjalë vetëm për karburant për makina, por edhe plastika, asfalti, ngrohja, nafta, pra gjithçka që është derivat i naftës në një moment të caktuar në kohë mund të prodhohet nga bakteret, apo qeliza të tjera. Një gjë e tillë mund të kërkojë 10, apo 20 vjet nuk i dihet.
Craig VenterDhjetë vjet më parë, Craig Venter kishte shumë arsye për t’u ndier një triumfues i vërtetë. Ishte në Shtëpinë e Bardhë së bashku me rivalin e tij Francis Collins nga Instituti Kombëtar i Shëndetit dhe Presidentin e atëhershëm Bill Klinton, si dhe ish-kryeministrin britanik, Toni Bler. Në këtë takim ai njoftoi një arritje të madhe: ndarjen e gjenit njerëzor. Konferenca historike e shtypit shënoi edhe fundin e një gare të ashpër mes firmës së Venterit “Celera” dhe projektit të gjenit njerëzor me një projekt i mbështetur financiarisht nga qeveria, me rreth 1000 shkencëtarë nga e gjithë bota. Të dyja grupet kishin si detyrë që të krijonin hartën e gjenit njerëzor, por grupi i Venterit e bëri një gjë të tillë më shpejt dhe sigurisht me një kosto shumë më të lirë. Që nga ajo kohë 63-vjeçari multimilioner Venter ka krijuar një reputacion të jashtëzakonshëm në rrethet shkencore dhe kryesisht ato të gjenetistëve. Mbi të gjitha ai njihet si njeri jo vetëm i suksesshëm, por edhe si një rebel i vërtetë. Fitoret e tij janë të njëpasnjëshme. Së fundi ai njoftoi edhe krijimin e bakterit të parë artificial në botë, një zbulim i konsideruar gjithashtu historik.
#