Julia Roberts: Jeta ime mes familjes, ushqimit dhe meditimit
Të gjithë mezi po presim që ta shohim Julia Roberts në ekran me filmin e saj të ri “Eat, pray, love” i bazuar në bestsellerin autobiografik të gazetares Elizabeth Gilbert. Në libër, ku flitet për një brez femrash amerikane, ikonë është një gazetare që duket se ka arritur gjithçka në jetë: ka një punë të mirë, një bashkëshort të suksesshëm, një apartament modern dhe një shtëpi në fshat, por që krejt papritur kupton se nuk ka asgjë nga ato që kishte ëndërruar. është një grua moskokëçarëse, e cila zgjedh të braktisë ngrohtësinë e diellit në kërkim të vërtetësisë. Julia shpreson që të prekë shumë gra, ashtu siç bëri me filmin “Pretty woman”, por me një mesazh të kundërt dhe spekulues, ku e rëndësishme është të gjesh një copë paqeje në shpirt: “është e rëndë të shihesh një mëngjes në pasqyrë dhe të pyesësh veten nëse je e lumtur, megjithatë vetëm kështu fillon të jetosh një jetë të denjë”, thotë ylli i kinemasë. Ashtu si libri, edhe filmi tregon historinë e një amerikaneje të frustuar që vendos të zbulojë kënaqësitë e të jetuarit: të ushqimit (në Itali), të meditimit (në Indi) dhe rizbulimit të dashurisë (në Bali, falë takimit me bukuroshin Javier Bardem). Shfaqjet janë të rralla tashmë për Julia Roberts, grua e lumtur dhe nënë e tre fëmijëve, që u kushton shumë kujdes zgjedhjeve të saj kinematografike. është e qartë se Julia, 43 vjeçe, që e alternon jetën e saj mes shtëpive të ndryshme ekologjike të familjes në Venecia, Malibu dhe New Mexico, preferon të qëndrojë me fëmijët (2 binjakët 5 vjeç dhe Henry 3 vjeç) dhe me bashkëshortin, kameramanin Danny Moder, me të cilin u takua në vitin 2000 në sheshin e xhirimeve të filmit “The Mexican”. Ajo është shumë e qeshur dhe e dashur në gjithçka që bën.
Julia, në film ashtu si në libër, personazhi juaj braktis gjithçka për t’u arratisur për një vit. Ti vetë e ke bërë ndonjëherë diçka të tillë?
Po, në moshën 20-vjeçare u shkëputa për rreth dy vjet nga puna. Udhëtova, mendova për veten dhe për gjërat më të vogla të përditshme: ishte një vendim shumë i rëndësishëm dhe i bukur për jetën time.
E kishe lexuar më parë librin?
E lexova kur doli, por nuk e kisha idenë se do të bëhej një fenomen siç është bërë tani. Ndihem me fat që e kam lexuar atëherë, sepse nuk kisha paragjykime dhe thjesht u argëtova. Shkrimtarja është shumë inteligjente dhe ka aftësi të madhe për vëzhgimin e detaje, mënyrat se si përshkruan vendet dhe njerëzit. Isha shumë e kënaqur nga ideja të përfaqësoja në film pasionin e saj për jetën, për vendet ku shkon dhe për njerëzit që takon”.
Ashtu si libri, që është një udhëtim plot surpriza për autoren, duke qenë protagoniste në film zbuluat edhe ju diçka për veten?
Po jua shpjegoj pjesërisht: Liz udhëton tërësisht e vetme, gjë që e kam bërë edhe unë në të kaluarën dhe mund të frikësojë shumë fakti të ecësh në një rrugë ku nuk njeh qytetin, apo të shkosh të bësh pazar pa ditur gjuhën. Më interesonte udhëtimi i saj pa e ditur se ku do të përfundonte. Për mua ishte shumë ndryshe, udhëtoja me 150 persona të trupës së xhirimit, me gjithë familjen time, por në të njëjtën kohë edhe unë kisha nisur angazhimin e të qëndruarit larg shtëpisë për pesë muaj, në katër kontinente të ndryshme: jam krenare që e kam ende këtë pasion drithërues për punën time.
Si ishte të udhëtoje në vendet ku është vendosur historia e filmit?
Për një aktor është e rëndësishme të aktrosh në vendin e duhur: të ndihmon të provosh dhe të transmetosh të njëjtat emocione që personazhi ka provuar duke udhëtuar. është një nga kushtet që e vendosa që në fillim: doja të haja në restorantet e vërtetë që përshkruheshin në libër, të udhëtoja në të njëjtat vende, të shihja ata ishuj, të takoja ata elefantë dhe të qëndroja në çatinë e ashramit në Indi, ku personazhi im bën një bisedë të gjatë me Richard Jenkins. Një nga skenat dhe vendet e preferuara të miat gjatë gjithë xhirimeve.
Më shumë se Italia?
Ah, në Romë shtova plot pesë kilogramë. Aty nuk bëja gjë tjetër veçse haja. Më shijonte vërtet çdo gjë. E si mund t’u rezistoja makaronave të ndryshme me salcë? E vërteta është se në Romë haje shumë mirë. është hera e tretë që punoj aty dhe më pëlqen gjithmonë sa herë kthehem. është një qytet që të pret me shumë dashuri. Dhe arsyeja se përse zgjedh të shkoj në Romë është pikërisht kjo: të relaksohem dhe të shijoj jetën duke u kujdesur për veten, edhe pse kjo do të thotë të hash shumë makarona e shumë pica.
Ju keni një kopsht organik, për të cilin kujdeseni personalisht. Po të gatuash a ju pëlqen?
Shumë. Kam një traktor, më pëlqen të punoj tokën dhe të gatuaj. Po ashtu siç e kuptuat më pëlqen edhe të ha, ndaj kam një raport të mirë me ushqimin. Nëna ime ishte një kuzhiniere shumë e mirë dhe na mësonte të gatuanim me produktet e kopshtit të saj. Për mua është pjesë normale e jetës të dish të gatuash dhe të kesh në shtëpi gjëra të freskëta të sapokëputura. Nuk mund ta përshkruaj kënaqësinë time kur fëmijët e mi hëngrën për herë të parë keal, një lloj perime e hidhur që kemi ne në Kaliforni. U kisha shpjeguar se ishte e kopshtit tonë dhe se të bënte mirë për shëndetin. Ata e vlerësuan këtë gjë. Nuk di të ketë fëmijë që ta hanë.
Dukesh e kënaqur si në jetën profesionale ashtu edhe në atë personale. Ka ndonjë vend ku shkon për të kërkuar paqen e brendshme?
Familja është vendi më i sigurt për mua... por në të vërtetë kam një dhomë plot me gjëra që më ndihmojnë të largoj stresin: makinën qepëse, shtizat për të punuar bluza dhe gjëra të tilla. Ai është këndi im i qetësisë. Nuk është se kaloj shumë kohë aty, por thjesht ideja që ekziston më bën të ndihem mirë.
Mediton?
Po e bëj shpesh diçka të tillë.
Arrin të kesh një jetë normale kur je nënë? çfarë raportesh ke me prindërit e tjerë?
Për fat nuk e kam shumë të vështirë. Bëjmë një jetë normale bashkë me familjet e tjera që kemi afër në lagje apo në shkollë. Kur fëmijët janë të lumtur me njëri-tjetrin, ashtu janë edhe prindërit.
#