Marty: Kam dëshmitarë kredibilë
(E plotësuar) Në punimet e sotme të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës është vënë për diskutim raporti i raportuesit të posaçëm të këtij mekanizmi, Dick Marty, për, siç është thënë, “trafikim të paligjshëm organesh nga një grup i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
Duke rikujtuar fillimisht rrethanat që kanë nxitur këtë raport, e që kishin të bënin me pohimet e ish-kryeprokurores së Tribunalit Ndërkombëtar të Hagës, Carla del Ponte, zoti Marty në paraqitjen e tij tha se “raporti nuk ka të bëjë fare me statusin politik të Kosovës, nuk ka të bëjë me raportet midis Kosovës dhe Serbisë dhe në asnjë mënyrë nuk është kundër popullit kosovar dhe atij shqiptar”.
Raporti, sipas tij, ka të bëjë me “shkeljet e të drejtave të njeriut”.
“Kur u publikua ky raport, e kam nënvizuar se duhet të lexohet me kujdes dhe fjalët duhen kuptuar ashtu siç janë shkruar dhe pa nënkuptime të tjera”, ka thënë Marty, duke vlerësuar se, bazuar në raportimet e mediave dhe reagimeve të politikanëve, ky rekomandim i tij është injoruar.
“Është e vërtetë se në raportin tim do të mund t’i shmangia emrat, por pastaj do të bëja një vlerësim të përgjithshëm dhe i gjithë kombi do të mund të fyhej”, tha zoti Marty, por, sipas tij, e vërteta dhe sinqeriteti intelektual, respekti për popullin kosovar dhe familjet e viktimave “kërkojnë nga ne që gjërave t’u themi me emër”.
“Këta emra janë emra që janë cituar për shumë vite në dokumentet që janë hartuar nga forcat policore, nga shërbimet sekrete të disa vendeve, për të mos përmendur edhe artikujt e gazetave që janë shkruar nga gazetarë shumë të respektuar”, ka thënë zoti Marty.
Ai ka pohuar se për përmbajtjen e raportit ka dëshmitarë.
“Po, kemi gjetur dëshmitarë, po, ata janë dëshmitarë kredibilë, ata na e kanë mundësuar të jemi të saktë dhe pikërisht kjo frikëson qarqe të caktuara”, ka thënë Marty, duke mohuar se këta dëshmitarë kanë ndonjë lidhje me serbët apo me rusët dhe janë njerëz që e duan vendin e tyre, Kosovën.
Sipas tij, “dëshmitarët janë shumë të frikësuar dhe nuk i besojnë drejtësisë vendore apo asaj ndërkombëtare dhe në këtë rrafsh, zoti Marty i kushtoi një vëmendje të posaçme programit për mbrojtjen e dëshmitarëve në Kosovë, çështje kjo e cila do të diskutohet në punimet e së mërkurës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
“Rezoluta dhe raporti, që bëjnë thirrje për hetime, janë akte të drejtësisë dhe respekt për ata burra dhe gra që jetojnë në këtë vend të vogël, i cili tashmë ka vuajtur kaq shumë”, tha në fund zoti Marty, duke porositur se drejtësia nuk mund të vihet në vend pa të vërtetën.
Pohimet në këtë raport janë kundërshtuar ashpër nga Prishtina zyrtare, e veçanërisht nga kryeministri në largim i Kosovës, Hashim Thaçi, emri i të cilit është përmendur në të, duke e ndërlidhur me akuzat për “trafikim organesh, kontrabandim armësh dhe narkotikësh”. (rel)
KE po debaton raportin e Martyt
Në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës ka nisur debati rreth raportit te deputetit zviceran, Dick Marty.
Shumica e folësve, edhe nga shtete që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, kanë mbështetur hetime ndërkombëtare pëakuzat që ngrihen në raport.
Raporti do të hidhet në votim në formë të projektrezolutës.
Gjatë sesionit, Kosova do të përfaqësohet nga anëtarët e kryesisë së Kuvendit, Xhavit Haliti dhe Ibrahim Gashi.
Edhe pse ata nuk do të kenë të drejtë të fjalës, është arritur një marrëveshje me Shqipërinë që të ketë një kundërpërgjigje ndaj raportit të Dick Martyt.
Dita e Dick’ut
Nga Shpend Limoni
Dick Marty ka ende punë për të bërë rreth raportit, të cilin e publikoi muajin e kaluar. Në cilësinë e raportuesit të Këshillit të Europës, ai ka akuzuar politikanë kosovarë të profilit të lartë për përfshirje në trafikim organesh dhe tani për këtë duhet të japë shpjegime.
Raporti i senatorit zviceran pritet të debatohet sot në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës në Strasburg, ku edhe pritet të marrë formën e rezolutës. Agjenda e AP të KE’së raportin e Martyt e përcakton si një nga temat kryesore të këtij sesioni dimëror.
Marty të hënën e ka kaluar duke diskutuar me kolegët e tij liberal-demokratë raportin e vet.
Ai nuk ka pranuar të japë deklarata për gazetarët kosovarë që janë duke ndjekur punimet e Asamblesë, duke thënë se të mërkurën do të flasë në konferencë për media.
“Nesër në ora 4 e gjysmë do të flas”, ka thënë Marty.
Një deputet shqiptar nga partia e çamëve të Shqipërisë, Shpëtim Idrizi, i cili ka marrë pjesë në diskutimin me Martyn, ka sqaruar qëndrimet e disa parlamentarëve që kanë marrë pjesë në debat.
“Nga 8 diskutuesit sa kanë folur aty mund të them se 7 prej tyre ishin kundër asaj që ka shkruar Marty”, ka thënë Idrizi.
Deputeti Idrizi nuk është i vetmi nga deputetët shqiptarë që ndodhen në Strasburg. Aty është edhe ambasadorja e Shqipërisë në Këshill të Europës, Margarita Gega, e cila është parë duke lobuar kundër raportit të Martyt. Të hënën në KE kanë qëndruar 3 deputetë, ndërsa edhe dy të tjerë pritet të bashkohen për ta thënë fjalën e tyre kundër raportit të Dick Martyt në Asamble.
Senatori zviceran në raportin e tij akuzon edhe Shqipërinë për mosgatishmërinë për të kryer hetime në territorin e saj.
Shqipëria tashmë ka dorëzuar amendamentet në Komitetin për Çështje Legale dhe të Drejta të Njeriut.
Delegacioni shqiptar ka bërë të ditur se janë bërë përpjekje që të mundësohet që edhe dikush nga Kosova të flasë para deputetëve, por kjo nuk ka qenë e mundur të arrihet.
Sido që të jetë, në kapacitet jozyrtar ose me distinktivin e vizitorit të hënën në hollin e AP të KE’së është parë Ministri në largim, Enver Hoxhaj, i cili ka bërë të ditur se ka ardhur në emër të Qeverisë së Kosovës .
Hoxhaj ka thënë se gjatë ditës ka realizuar takime joformale me përfaqësues të shteteve mike të Kosovës, që janë anëtare të KE’së dhe që kanë peshë.
Po ashtu është paralajmëruar edhe prania e Xhavit Halitit dhe Ibrahim Gashit, të cilët janë anëtarë të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës.
Sido që të jetë disponimi te secili shqiptar në AP të KE’së në Strasburg është se rezoluta e Martyt do të miratohet, por se cilat janë amendamentet që mund t’i bëhen tekstit të projektrezolutës mbetet të shihet.
Përfaqësuesit e Shqipërisë kanë bërë kërkesa që projektrezoluta në formatin aktual të zbutet.
Deputetët shqiptarë kanë kërkuar që nga të gjithë paragrafët e projektrezolutës të hiqen fjalët ” prova dhe dëshmi ”, duke u zëvendësuar me fjalët “ dyshime dhe thashetheme” .
Po ashtu është delegacioni shqiptar ka shprehur mospajtime me konstatimet e Martyt, që janë të shprehur edhe në projektrezolutë se Shqipëria nuk ka qenë e gatshme për të bashkëpunuar rreth hetimeve.
Në projektrezolutë kërkohet që autoritetet kosovare të bashkëpunojnë me Eulexin dhe Serbinë për të gjetur të vërtetën për krimet në Kosovë, pavarësisht origjinës së viktimave. Pala shqiptare në këtë pikë ka kërkuar ndryshim duke propozuar një amendament që para kësaj fjalie të futet sintagma “të vazhdojë bashkëpunimi” i palës kosovare me autoritetet e përmendura.
Ndërsa kur bëhet fjalë për nisjen e hetimeve nga ana e Shqipërisë, deputetët shqiptarë kanë kërkuar që aty të figurojë fjala eventuale, pra nisje eventuale të hetimeve rreth akuzave të Martyt.
Një amendament në projektrezolutë e ka prezantuar edhe Turqia, e cila kërkon që të hiqet fjalia ‘ka pasur se ka pasur mungesë të gatishmërisë nga ana e autoriteteve shqiptare për të bërë hetime dhe të konstatohet se hetime nuk ka pasur për shkak se nuk ka pasur prova.
Në AP të KE’së të hënën është dorëzuar edhe peticioni me mbi 250 mijë nënshkrime të mbledhura në të gjitha hapësirat shqiptare.
Këtë e ka bërë kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës, Muharrem Xhemajli.
Deputetët serbë të hënën janë dukur më të relaksuar. Ata nuk kanë pasur ndonjë gjë për t’i shtuar projektrezolutës që është ndërtuar mbi bazën e raportit të Martyt.
Shefi i delegacionit serb, Dragoljub Micunovic, në një prononcim për mediet kosovare ka thënë se pret një debat të gjallë rreth raportit të Martyt.
“Mendoj se do të jetë një debat mjaft i gjallë, pasi bëhet fjalë për një raport mjaft serioz. Besoj se do të votohet rezoluta, e cila do të kërkojë që të bëhen hetimet . Pra askush paraprakisht nuk është dënuar, por besoj se Këshilli i Europës është një shembull për të drejtat e njeriut pas një raporti, ku përmendet një lloj i tillë i krimeve, sigurisht se do të kërkojë hetime” ka thënë Micunovic.
“E tash është çështja se a do ta bëjë këtë hetim EULEX’i apo komisari i Këshillit të Europës . Por, në çfarëdo rrethane pres që një numër i madh i delegatëve do të jetë për atë që asgjë mos të mbetet e turbullt apo e paqartë”, ka shtuar ai.
Micunovic ka përshëndetur thirrjen e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaci, i cili përmes një letre që i ka dërguar sekretarit gjeneral të KE’së ka kërkuar nisjen e hetimeve pas vonesa.
“Unë e përshëndes secilin që kërkon hetime. Mendoj se është një gjë e mençur të insistohet për hetime dhe në këtë mënyrë gjërat qartësohen edhe juridikisht dhe secili manipulim mënjanohet . Është shumë e rëndësishme që të mos hyjmë në ndonjë polarizim politik dhe ta politizojmë këtë çështje . Kjo para së gjithë ka të bëjë me drejtësinë me krimet dhe kërkon një hetim mjaft objektiv”, ka thënë ai.