Marty: Raporti, nuk është pro serb

Deputeti zviceran Dick Marty ka deklaruar se ai nuk ka qenë i ngarkuar që të hartoj raporte për gjithë situatën në Kosovë. Ai tha se kolegët e tij kanë bërë shumë raporte për Kosovën. Marty gjatë një interviste e cila pritet të publikohet nesër, ka thënë mes tjerash se raporti i tij nuk është pro serb.
“Detyra ime ishte e kufizuar në deklarimet e bëra në librin e zonjës Del Ponte. Dhe nëse ju shihni titullin e raportit, ishte ky misioni im. Dua t`ju njoftoj se për Kosovën janë bërë prej kolegëve të mi një sërë raportesh, por raporti im specifik merrej me këtë tip akuzash. Kështu pra, detyra ime ishte shumë, shumë e kufizuar. Ju thashë, se nëse lexohet raporti, nuk mund të thuhet se është pro serb, sepse në rekomandimet tona ju themi dhe serbëve që të përmbushin detyrimet e tyre”.
Dy ditë më parë, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka miratuar me shumicë votash projekt-rezolutën e paraqitur nga Dick Marty, rreth dyshimeve për trafikim organesh në Kosovë nga pjesëtarë të UÇK-së.