Pajisjet elektroshtëpiake, ligj i posaçëm për pajisjen me etiketa përdoruese
Të gjithë tregtarët do të detyrohen të afishojnë parametrat e pajisjeve për përdorim shtëpiak në një vend të dukshëm, ku kryesori do të jetë konsumi i energjisë. Kuvendi miratoi dje në seancë plenare projektligjin "Për treguesit e konsumit të energjisë dhe të burimeve të tjera, nga pajisjet për përdorim shtëpiak nëpërmjet etiketimit dhe informacionit standard të produkteve". Sipas hartuesve të projektligjit, një informacion i saktë dhe i hollësishëm do të ndikojë drejtpërdrejtë në zgjedhjen e konsumatorit për të blerë një pajisje elektroshtëpiake që konsumon më pak energji. Gjithashtu, synohet edhe tregtimi i mallrave sa më cilësore. Nëse tregtari nuk afishon etiketën në gjuhën shqipe, atëherë në bazë të dispozitave ligjore gjobitet me 20-fishin e çmimit të mallit. Ligji zbatohet për tipet e pajisjeve për përdorim shtëpiak, edhe në rast se ato shiten për përdorim joshtëpiak si frigorifer, ngrirës dhe kombinimi i tyre; makinë larëse rrobash, makinë tharëse dhe kombinimi i tyre; makinë larëse enësh; furra; pajisje ngrohëse uji dhe pajisje mbajtëse uji të ngrohtë; mjete/pajisje ndriçimi; pajisje me ajër të kondicionuar, etj. Ndërsa ligji nuk zbatohet për pajisjet shtëpiake të përdorura. Informacioni lidhur me konsumimin e energjisë elektrike sillen në vëmendje të konsumatorit nëpërmjet një skede informative dhe një etikete për pajisjen për përdorim shtëpiak, të ofruar për shitje, dhënie me qira, shitje me këste ose të ekspozuar për përdoruesin e fundit.
Portofolet e investimeve të bankave private, BSH nis shqyrtimin
Ecuria e rezervës valutore dhe e portofoleve të investimeve për muajin shkurt 2009 do të jetë një nga pikat kryesore në mbledhjen e radhës së Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, që pritet të zhvillohet këtë javë. Në një njoftim për shtyp, BSH bënë të ditur se gjatë kësaj mbledhjeje Këshilli Mbikëqyrës pritet të shqyrtojë dhe informacionet "Për disa ndryshime në strukturën organizative të Bankës së Shqipërisë" dhe "Për një shtesë në planin e investimeve të Bankës së Shqipërisë për vitin 2009". Duke iu referuar buletinit zyrtar të BSH-së mbi statistikat në ekonominë shqiptare, rezulton se fluksi i investimeve të huaja direkte gjatë 3-mujorit të katërt të vitit 2008 regjistroi vlerën e rreth 129 milionë eurove, shifër kjo më e lartë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas BSH-së, rolin kryesor në rritjen e investimeve e kanë luajtur flukset hyrëse të kapitalit në sektorin financiar dhe në atë të komunikacionit, që kanë ndikuar drejtë për drejt në ekonominë e vendit.
10 Prill 2009