E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: “Detyra e magjistratëve, të ruajnë sistemin nga politika”

Për herë të parë 10 magjistratët u betuan për detyrën e tyre në ambientet e KLD-së. Emrat e të emëruarve dhe gjykatat ku ata do të punojnë

Laureta Rryçi

Tiranë - Dhjetë magjistratë të rinj, të emëruar në gjykatat e rretheve, u betuan dje për respektimin e Kushtetutës së Shqipërisë para Presidentit të Republikës, Bamir Topi. Ceremonia u organizua për të parën herë në mjediset e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Në fjalën e tij përshëndetëse me këtë rast, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, deklaroi se sistemi i drejtësisë duhet të ndahet nga ai i politikës dhe ndikimet e saj. Presidenti Topi, njëherësh kryetar i Këshilli të Lartë të Drejtësisë, e cilësoi ceremoninë e djeshme si një moment solemniteti, si dhe substancë e mentalitetit për një sistem drejtësie të mbështetur mbi standardet e shtetit ligjor. Duke folur për emërimet e reja, Topi theksoi se me dekretimin e këtyre magjistratëve të rinj, ky moment ka të bëjë me standardet në Drejtësi.
Pavarësia
Kreu i shtetit theksoi gjatë fjalës së tij rëndësinë e pavarësisë së sistemit gjyqësor dhe bashkëpunimin e këtij sistemi me institucionet e shtetit, me qëllim arritjen e standardeve bashkëkohore. “Të gjithë së bashku duhet të kontribuojmë për krijimin dhe fizionominë e Gjyqësorit”, - tha presidenti Topi, duke i quajtur magjistratët si gjakun e ri të pushtetit gjyqësor.
Kreu i shtetit vlerësoi Shkollën e Magjistraturës që përgjatë 13 viteve të funksionimit të saj ka përgatitur shumë gjyqtarë, të cilët tashmë janë pjesë e sistemit të drejtësisë. "Sistemi gjyqësor po rigjenerohet", - tha presidenti, duke shprehur rëndësinë e një drejtësie të hapur për qytetarët dhe përkushtimin e gjyqtarëve ndaj ligjit.
Magjistratët
Dhjetë magjistratët që do të punojnë në gjykatat e rretheve të ndryshme u dekretuan para pak ditësh nga presidenti Topi. Ata janë Rezarta Mataj, Enerjeta Deraj, Sonjela Voskopi, Esmeralda Ceka, Alma Hoxha, Vojsava Osmanaj, Gentian Hamiti, Matilda Shalla, Irida Kacerja dhe Ervin Trashi. Në ceremoninë e betimit të tyre para Presidentit të Republikës ishin dhe përfaqësues të sistemit të drejtësisë dhe misioneve të huaja të asistencës për këtë sistem.

Magjistratët që u betuan dje në KLD

Rezarta Mataj, emëruar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Kavajë

Enerjeta Deraj, emëruar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Kavajë

Sonjela Voskopi, emëruar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Korçë

Esmeralda Ceka, emëruar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Lushnjë

Alma Hoxha, emëruar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Krujë

Vojsava Osmanaj, emëruar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Korçë

Gentian Hamiti, emëruar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Fier

Matilda Shalla, emëruar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Fier

Irida Kacerja, emëruar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Shkodër

Ervin Trashi, emëruar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër

10 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›