Veliaj: “G99-a, pjesë e qeverisjes nëse koalicioni i PS-së fiton zgjedhjet”
Kreu i G99-s: “Shumë shpejt do të shpallim listën e kandidatëve tanë në të 12-të qarqet”. Veliaj: “Në zgjedhjet e 28 qershorit do të kandidoj në më shumë se një qark”
Shaban Sulçe
Kreu i G99-s, Erion Veliaj, deklaron se në rast të fitores së koalicionit të Partisë Socialiste, G99-a do të jetë pjesë e qeverisjes që do të krijohet pas zgjedhjeve të 28 qershorit. Sipas tij, janë disa fusha zhvillimi, të cilat kanë nevojë urgjente për të thithur ide, energji rinore, vlera qytetare dhe norma demokratike, të cilat mbarten nga G99-a dhe përfaqësuesit e saj.
Në një intervistë për gazetën “Albania”, Veliaj tregon arsyet se përse G99-a zgjodhi të bashkëpunojë dhe të konkurrojë në zgjedhje në koalicionin e drejtuar nga Partia Socialiste. Ai zbulon se në zgjedhjet e 28 qershorit do të kandidojë në më shumë se një qark zgjedhor dhe se shumë shpejt G99-a do të bëjë publike listën e kandidatëve të saj për deputetë.
Zoti Veliaj, keni deklaruar se G99-a do të bashkëpunojë për zgjedhjet e 28 qershorit me Partinë Socialiste, duke qenë pjesë e koalicionit të drejtuar prej saj. Mund ta na zbuloni detajet e këtij bashkëpunimi? Çfarë i është ofruar nga Partia Socialiste partisë që ju drejtoni?
Më lejo që në fillim të sqaroj diçka. Mënyra se si e shohim politikën te G99-a nuk është ajo tradicionalja. Ky vend nuk ka parë ndonjë të mirë nga politika e premtimeve dhe përfitimeve për individët. Ne synojmë të sjellim një koncept të ri në politikë, atë të kontributit dhe përfshirjes. Individët që përbëjnë G99-n kanë më shumë për të dhënë, sesa për të marrë. Në këtë këndvështrim, në koalicionin me PS-në ne kërkojmë të shtyjmë përpara ato nisma dhe çështje që i vlerësojmë të dobishme për të ardhmen e vendit. Ne kemi qenë të qartë së fundi, të paktën për tri nisma, që kanë qenë flamuj të qartë të G99-ës: mundësimi i votës së emigrantëve si një hapësirë demokratike tejet e rëndësishme që u duhet dhënë atyre që e mbajnë në këmbë ekonomikisht këtë vend; punësimi rinor me të gjitha elementet bashkëkohore dhe modelet e suksesshme që kanë funksionuar në rajon e më gjerë; si dhe europianizimi i sistemit arsimor duke filluar më konkretisht me rritjen e buxhetit të këtij sektori. E kemi bërë të qartë që ne hyjmë në këtë koalicion me këto tri kushte, si tri beteja që do të marrin udhë brenda mandatit të parë qeverisës të ardhshëm.
A do të ketë vend në qeverisjen e ardhshme për G99-n, në rast se koalicioni i PS-së fiton zgjedhjet?
Nuk ka pse jo. Ka disa fusha të zhvillimit, të cilat kanë nevojë urgjente për të thithur ide dhe energji rinore, vlera qytetare dhe norma demokratike, të cilat ne si G99 i mbartim. Kam besim se nëse do të qeverisim vendin me qëllimin për të ofruar më të mirën, G99-a sjell një kontribut real për ta realizuar këtë objektiv. Është bërë e qartë nga koalicioni i së majtës dhe është marrë një angazhim serioz që në qeverisjen e ardhshme të ketë vend për të gjithë forcën pozitive të aleancës qytetare, e cila përfshin shumë më shumë sesa strukturat e partive, por “përqafon” të gjithë qytetarët që duan ndryshimin.
Sistemi zgjedhor dhe mënyra e votimit, ndryshe nga zgjedhjet e mëparshme, i vendos partitë e të njëjtit koalicion në garë me njëra-tjetrën për përfitimin e mandateve që fiton koalicioni në tërësi. Si e sheh veten G99-a në “garë” me PS-në, apo me partitë e tjera të koalicionit?
G99-a përfaqëson një grupim specifik shoqëror, i cili përbëhet më së shumti nga të rinjtë, por jo vetëm. Këta janë njerëzit që ne shohim si elektoratin tonë dhe të cilët do të përfaqësojmë denjësisht në Parlamentin e ardhshëm. Ne kemi disa çështje, për të cilat do të punojmë derisa t’i shohim të realizuara. Të gjithë ata njerëz që ashtu si ne duan të shohin rezultat në fushat ku ne fokusohemi, do të votojnë për ne. E kam fjalën për çështje si arsimi dhe punësimi i të rinjve, vota e emigrantëve, siguria e jetës etj. Koalicioni është një shportë ku do të rritet kontributi i gjithsecilit. Por, në këtë shportë, rezultati konkret i çdo partie do të jetë i veçantë. Ne vijmë plot me energji në këtë fushatë dhe nuk kemi asnjë kompleks ndaj bashkëlojtarëve tanë.
A do ta shfrytëzoni avantazhin që siguron Kodi i ri Zgjedhor, sipas të cilit, kryetarët e partive do të kenë të drejtë të kandidojnë njëkohësisht në të 12-të qarqet? Nëse jo, në cilin prej qarqeve do të kandidoni ju personalisht në zgjedhjet e 28 qershorit?
Ajo që mund të them paraprakisht, pasi vendimet finale të kandidimit merren në mënyrë demokratike në konsultë me të gjithë aktivistët tanë në rrethe, është që nuk do të zgjedh opsionin më të lehtë. Gjithmonë më kanë tërhequr sfidat dhe këtë radhë patjetër që do të kandidoj në qarqe sfiduese, ku dhe puna do të jetë më e vështirë dhe koha e energjia e shpenzuar për të shpjeguar alternativën tonë do të jetë më intensive. Do të jem në më shumë sesa në një qark që dhe sfida ime personale të jetë e denjë për elektoratin të cilit i kërkoj votëbesimin.
Si po organizohet G99-a në kuadër të organizimit elektoral? Kur do t’i shpallë G99-a të gjitha kandidaturat e saj për zgjedhjet e 28 qershorit?
G99-a është tashmë prezente në të gjitha qarqet e vendit. Ne kemi zyrat tona në qendrat urbane dhe qytetet universitare. Prej disa ditësh kemi lançuar thirrjen për aktivistë dhe vullnetarë. Kemi pasur një mundësi fantastike që vullnetarët tanë t’i trajnojmë me eksperiencën e disa prej atyre që kanë punuar për fushatën e suksesshme të atij lideri që na ka frymëzuar përherë, presidentit Obama. Jemi vendosur me çadra në pika të ndryshme të metropolit dhe kemi pasur qindra anëtarësime çdo ditë. Gjatë prillit do të nisim një karvan, që do të udhëtojë në të gjitha universitetet e vendit, për të përcjellë mesazhin tonë politik dhe për të zgjuar rininë nga apatia që ngjall politika e vjetër. Të gjitha nismat tona kanë qenë shumë të suksesshme. Shumë shpejt do të publikojmë edhe listën tonë të kandidatëve, të cilët janë të gjithë njerëz me kontribut real në shoqëri.
Cilat do të jenë target-grupet që ju synoni të fitoni mbështetjen e tyre në zgjedhje?
Ne do të marrim vota si nga të rinjtë, ashtu dhe nga të vjetrit, pasi në fund të fundit mendimi i ri nuk u përket vetëm mendjeve të reja. Të gjithë ata progresistë dhe optimistë që besojnë se Shqipëria mund të drejtohet më mirë e që arrijnë të kuptojnë se alternativa jonë është ajo që i nevojitet vendit, do të votojnë për ne. Gjithsesi, çështjet për të cilat ne luftojmë i apelojnë më tepër brezit të ri, të lindurve në tranzicion, që dëshirojnë që ky të marrë fund njëherë e mirë.
Eksperienca e zgjedhjeve në Shqipëri ka treguar se elektorati shqiptar nuk ka qenë shumë entuziast në mbështetjen e partive të reja. Çfarë do të ndodhë me ju personalisht dhe me G99-n pas zgjedhjeve në rast se nuk do të arrini të siguroni përfaqësimin në Parlament?
Unë nuk njoh asnjë “parti të re” që të ketë karakteristikat e G99-s, prandaj lejomë të mos e marr si të mirëqenë arsyetimin tuaj që elektorati nuk mbështet partitë e reja. Elektorati është entuziast sepse ne e kalojmë çdo ditë me njerëzit anembanë Shqipërisë. Njerëzit janë të zhgënjyer plotësisht nga politika e vjetër dhe dëshirojnë ta dërgojnë atë në muze. Ne jemi një lëvizje politike - nga qytetarët, për qytetarët – prandaj nuk mendoj se ndonjëra nga eksperiencat e së kaluarës vlen në rastin e G99-s.
10 Prill 2009