Masa e arrestit per Babanin

Gjykata e Korçës jep masën e sigurisë arrest me burg për 27 vjeçarin Romeo Babani i cili një javë më parë plagosi me mjete të forta dhe më pas hodhi në një kosh mbeturinash ish bashkëshorten Elsida Elmazi. Organi i akuzës ka kërkuar masën e sigurisë arrest me burg për 27 vjeçarin Babani duke shpjeguar në mënyrë kronologjike gjithçka ka ndodhur ditën e ngjarjes. Sipas prokurorisë çifti prej disa muajsh kishte konflikte të vazhdueshme dhe ditën që ka ndodhur ngjarja Babani i ka kërkuar sqarim bashkëshortes së tij se pse është larguar dhe jetonte me prindërit. Gjatë debatit pasi e ka goditur me thikë Babani e ka qëlluar me një tullë në pjesën e kokës duke i shkaktuar dëmtime mjaft të rënda. 27 vjeçari ka pranuar që ka dhunuar barbarisht ish bashkëshorten e tij, por është justifikuar me argumentin që në momentin që ka ndodhur ngjarja ka qenë mjaft i acaruar për shkak të konflikteve të vazhdueshme që kishte me bashkëshorten. Pasi ka dëgjuar pretendimet e palëve gjykata ka vendosur të lërë në burg 27 vjeçarin. Ish bashkëshortja e tij prej një javë ndodhet në spitalin ushtarak të Tiranës në gjendje kome.