E Shtunë, 31 Tetor 2026

Check in elektronik ne portin e Durresit

Udhëtarët që shfrytëzojnë lundrimet me tragete nga porti i Durrësit do të kenë një lehtësi më tepër gjatë kalimit të tyre. Falë një tjetër investimi  në port, ata mund të kryejnë "check in" elektronik në mënyrë vetjake pa u paraqitur në sportelet e agjencive në terminalin e trageteve. E vetmja ndalesë për udhëtarët do të jetë pika e kontrollit kufitar, ku autoritetet e policisë  shohin dokumentat personale, ndërsa një “check in” tjetër elektronik kalimtar përfundimtar ndodhet në hyrje të tragetit. Drejtori i përgjithshëm i Autoritetit portual  Eduard Ndreu tha se kjo mënyrë do të ndryshojë mentalitetin e udhëtarëve në raport me portin detar dhe udhëtimet në përgjithësi. Sipas Ndreut, mjafton që të dhënat e shkruara në biletën e tyre të jenë të sakta dhe makineta në sallën e terminalit të trageteve do të "vulosë" të drejtën e lundrimit me tragetin përkatës. 
Ky investim është pritur mjaft mirë si nga udhëtarët ,edhe nga agjensitë e udhëtimeve të cilët pohojnë se vënia në funksion e "check in" it elektronik  jo vetëm ka eleminuar rradhët e gjata të shtetasve, të cilët ishin të detyruar të prisnin me orë të tëra, por ka lehtësuar edhe punën e tyre.
Katër  "sportele të tilla elektronike" janë vendosur në sallën e terminalit të trageteve, katër të tjera u shërbejnë drejtuesve të autoveturave dhe dy të fundit kamionistëve. Gjashtë sportele të tjera të lëvizshme do të përdoren në periudhat e fluksit të madh të udhëtarëve gjatë stinës së verës apo përpara festave të fundvitit. Për mirëmbajtjen dhe përputhshmërinë e të dhënave kujdesen grupet e specialistëve informatikë portuale, ata të kompanive të lundrimit si dhe specialistë nga policia kufitare dhe dogana. Në portin detar të Durrësit operojnë gjashtë kompani lundrimi dhe çdo vit tragetet shfrytëzohen nga rreth 850 mijë udhëtarë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›