E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masa e subvencionit për familjet që përfitojnë kredi shtetërore

Si është ndarë skema e përfitimit, sipas qyteteve, në të gjithë vendin.

Laureta Rryçi

Tiranë - Qeveria përcakton masën e subvencionit për të gjitha familjet që do të përfitojnë banesën nëpërmjet kredive shtetërore. Falë udhëzimit të dy ministrave, Sokol Olldashi dhe Ridvan Bode, tashmë dihen procedurat nga do të kalojnë kërkesat për të përfituar një banesë me ndihmë nga shteti. Në udhëzim përcaktohen kompetencat që do të kenë bashkitë dhe përzgjedhjet e mëpasshme nga Ministria e Punës dhe Transporteve nëpërmjet drejtorive të linjës. Udhëzimi ka përcaktuar kriteret që duhet të plotësojnë këto familje dhe masën e subvencionimit sipas qytetit ku ndodhen. Gazeta “Albania” ka mundur ta sigurojë këtë udhëzim dhe po e boton të plotë në numrin e sotëm.
Udhëzimi
Në udhëzim është përcaktuar se masa e subvencionit të interesave të kredisë, për familjet që përfitojnë kredi të lehtësuara nga shteti, bazuar në Ligjin Nr. 9232, datë 13.05.2004, “Për programet sociale të strehimit për banorët e zonave urbane”, do të jetë e barabartë me diferencën që rezulton midis interesit vjetor të kredisë në tregun e lirë, sipas marrëveshjes së nënshkruar midis ministrit të Financave dhe bankës, me interesin prej 3 për qind në vit që paguan familja mbi principalin e kredisë. Ministria e Financave dhe Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit duhet të organizojnë punën për përzgjedhjen e bankës që do të kreditojë familjet. Përzgjedhja e bankës bëhet nëpërmjet një oferte publike dhe transparente, e cila u vihet në dispozicion të gjitha bankave që kryejnë shërbime në territorin e Republikës së Shqipërisë, së bashku me kriteret e përzgjedhjes së ofertës fituese. Përzgjedhja e ofertës fituese bëhet nga një komision vlerësimi që ngrihet me urdhër të ministrit të Financave me përfaqësues të Ministrisë së Financave, Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit dhe Bankës së Shqipërisë. Me nënshkrimin e marrëveshjes midis bankës, Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, kjo e fundit njofton bashkitë për fillimin e projektit, emrin e bankës me të cilën është lidhur marrëveshja dhe procedurat që duhet të ndjekin, duke publikuar projektin edhe me mjetet e informimit publik për palët e interesuara.
Përfituesit
Për efekt të përfitimit të subvencionit, familjet që kanë aplikuar në bashki për programin e banesave me kosto të ulët dhe kanë të ardhura mesatare mujore sipas tabelës së mëposhtme duhet të paraqiten në zyrat përkatëse pranë bashkive për të rikonfirmuar interesin për pjesëmarrje në projekt dhe për të rifreskuar dhe/ose plotësuar të dhënat mbi të ardhurat dhe përbërjen familjare. Me nënshkrimin e marrëveshjes midis Ministrisë së Financave dhe bankës, bashkitë respektive, brenda kuotave (numrin e familje që përfitojnë) të përcaktuara nga MPPTT-ja miratojnë listën e familjeve sipas sistemit të pikëzimit të miratuar prej tyre. Këto familje duhet të plotësojnë kushtet si më poshtë: nuk disponojnë banesë në pronësi si dhe kanë të ardhura familjare mujore brenda kufijve që përcaktohen nga Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, në bashkëpunim me bankën. Mosplotësimi i dy kushteve të mësipërme përbën kriter skualifikues. Për verifikimin e të dhënave si më sipër, kur nuk disponohet dokumentacioni zyrtar, zyrat përkatëse në bashki do të kryejnë verifikimet në vendbanimin e familjes. Miratimi me vendim të këshillit bashkiak nuk e bën familjen automatikisht përfituese. Banka mund të kërkojë dokumente plotësuese për të mbështetur informacionin e dhënë mbi nivelin e të ardhurave të familjes.

Në skemë janë përfshirë edhe familjet qiramarrëse

Programi parashikon edhe familjet që banojnë si qiramarrës në banesa, pronë të subjekteve të shpronësuara. Lista e familjeve, e miratuar me vendim të këshillit bashkiak, brenda kuotave që përcakton çdo vit MPPTT-ja, bazuar në buxhetin vjetor, i dërgohet bankës me të cilën është nënshkruar marrëveshja me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit dhe një kopje Entit Kombëtar të Banesave. Diferenca që rezulton midis vlerës së banesës dhe shumës që krediton banka, paguhet në mënyrë të menjëhershme nga familja.
Për secilën familje, banka llogarit shumën totale të përafërt të subvencionit për të gjithë jetëgjatësinë e projektit, e cila i njoftohet Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit. Kjo shumë nuk mund të jetë më e madhe se 100% e vlerës së banesës së blerë.
Për çdo qytet, kufiri maksimal i kreditimit, që mbulohet nga faza e parë e projektit sipas strukturës së familjes, jepet në tabelën e mëposhtme. Në rast se familja kërkon të kreditohet për një vlerë më të madhe, diferenca e kredisë paguhet me interesin e bankës. Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme do të regjistrojnë me përparësi transaksionet e kryera për këtë qëllim.

Rastet kur nuk kanë mundësi të shlyejnë kredinë

E drejta e shlyerjes së kredisë nuk mund t’i kalojë një personi tjetër. Në rast se familja për shkaqe të papritura nuk mund të vazhdojë më shlyerjen e kredisë, njofton brenda një muaji nga krijimi i situatës së paparashikuar bankën dhe bashkinë përkatëse. Për çdo rast bëhet vlerësimi i shumës së shlyer nga familja, subvencionit që ajo ka përfituar nga shteti dhe pjesës së ngelur të kredisë. Në marrëveshje midis bankës, familjes dhe bashkisë, mund të jepen disa zgjidhje. E para, familja mund t’i kalojë të drejtën e shlyerjes së kredisë një familjeje tjetër që është në listën e bashkisë dhe përmbush të njëjtat kritere për përfitimin dhe shlyerjen e kredisë. Mënyra e kalimit të kësaj të drejte dhe marrëdhëniet mes dy familjeve rregullohen me aktnoterial mes palëve të interesuara. E dyta, banesa mund të kalohet në pronësi të bashkisë vetëm pasi nga kjo e fundit merret përsipër shlyerja e detyrimeve që i takon familjes në mënyrë të menjëhershme ose me kredi sipas planpagesave të familjes. Në këtë rast, familja kalon me kontratë qiraje sociale me bashkinë. Subvencioni nga Buxheti i Shtetit ndërpritet nëse e drejta për shlyerjen e kredisë i kalon bashkisë. Në rast se nuk gjen zgjidhje asnjëra nga mundësitë e përmendura në pikën 13 të këtij udhëzimi, banesa vlerësohet dhe shitet në ankand sipas procedurave të bankës. Për çdo vendim të marrë, në njërën prej këtyre zgjedhjeve, bashkia duhet të njoftojë Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit.

KUFIRI MAKSIMAL I KREDITIMIT SIPAS QYTETEVE DHE STRUKTURËS SË FAMILJES

Qyteti Struk. E familjes (nr.
persona) Struk e ap. Kufiri maksimal
i kredisë/familje [1]

Tirana 2 G 2,751,000
3 1+1 3,275,000
4 2+1 4,061,000
5-6 3+1 5,240,000

Durrësi 2 G 2,371,690
3 1+1 2,823,440
4 2+1 3,501,066
5-6 3+1 4,517,504

Shkodra 2 G 1,664,544
3 1+1 1,981,600
4 2+1 2,457,184
5-6 3+1 3,170,560

Kavaja 2 G 1,907,035
3 1+1 2,270,280
4 2+1 2,815,147
5-6 3+1 3,632,448

Vlora 2 G 1,713,197
3 1+1 2,039,520
4 2+1 2,529,005
5-6 3+1 3,263,232

Korça 2 G 1,509,514
3 1+1 1,797,040
4 2+1 2,228,330
5-6 3+1 2,875,264

Gjirokastra 2 G 1,805,362
3 1+1 2,149,240
4 2+1 2,665,058
5-6 3+1 3,438,784

1 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›