E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anulohet parada ushtarake me rastin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO



Pikërisht në ditën kur Ushtria shqiptare duhet të tregonte publikisht aftësinë e saj si një forcë që bën pjesë në Aleancën ushtarake më të fuqishme të botës, ajo po tregon një pikë të dobët të sajën. Ndonëse Ministria e Mbrojtjes kishte planifikuar rreth dy muaj më parë një paradë ushtarake në kryeqytet, në ditën që në Strasburg do të firmosej anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, ajo është anuluar disa javë më parë. Burime zyrtare pranë dikasterit të Mbrojtjes pohojnë se disa javë më parë nisën konsultat për të bërë një miniparadë, të ngjashme me atë që ndodhi në 95-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë. Ky demonstrim ushtarak u realizua në kohën kur ishte ministër Mbrojtjeje zoti Fatmir Mediu. Në shesh dolën formacione ushtarake dhe armë të lehta. Ndërsa në periudhën kur ishte president zoti Moisiu, me një karrierë ushtarake deri në krye të Ministrisë së Mbrojtjes, u organizuan dy parada, me thuajse gjithë arsenalin që kishte Ushtria shqiptare në atë periudhë.
Prej disa vitesh Ushtria shqiptare ka qenë nën një ristrukturim të vazhdueshëm. Pajisje dhe mjete të ndryshme, si avionët MIG apo tanke të llojeve të ndryshme, kanë dalë jashtë përdorimit. Një tjetër reformë është ajo e kthimit të ushtrisë në një strukturë me personel të paguar. Deri në vitin 2010, ajo do të jetë tërësisht me ushtarë dhe drejtues me pagesë. Integrimi në NATO e detyron shtetin shqiptar që të paguajë 2% të Prodhimit të Përgjithshëm Bruto. Kjo është ndër kostot kryesore, e llojit financiar, që do të paguajnë qytetarët për anëtarësimin e vendit tonë në Aleancën Euroatlantike.

1 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›