E Diel, 1 Nëntor 2026

Masa të larta sigurie për finalen e futbollit amerikan Super Bowl

Zyrtarët e sigurisë thonë se për shkak të numrit të madh të njerëzve që pritet të marrin pjesë, loja finale e kampionatit të futbollit amerikan që mbahet sot në mbrëmje përbën një objektiv të mundshëm për terroristët. Operacioni i sigurisë që po zbatohet për mbrojtjen e mjediseve ku do të zhvillohet ndeshja e Super Bowl-it cilësohet si “operacioni i sigurisë me teknologjinë më të përparuar” në Shtetet e Bashkuara. Agjencia e Doganave dhe e Mbrojtjes së Kufijve të Shteteve të Bashkuara po luan një rol të rëndësishëm për ruajtjen e sigurisë si nga toka ashtu edhe nga ajri.

Një shesh parkimi, kryesisht jashtë syve të publikut, ishte fusha e lojës për skuadrën që mbron tifozët e futbollit gjatë ndeshjes finale.

Agjentë si Brian Bell i Agjencisë së Doganave dhe Mbrojtjes së Kufijve të Shteteve të Bashkuara përdorën mjete skanimi për të kontrolluar të gjitha ngarkesat e dërguara drejt stadiumit Lucas Oil në Indianapolis, ku do të zhvillohet ndeshja finale Super Bowl midis skuadrave New England Patriots dhe New York Giants.

Drejtori i fluturimeve i agjencisë së doganave dhe kufijve, Eric Rembold, thotë se një tjetër rol i rëndësishëm i agjentëve të tij në ajër është ndalimi i mjeteve fluturuese që mund të përbëjnë rrezik.

“11 Shtatori na tregoi se një rrezik nga ajri është krejtësisht i mundur. Në ditët e sotme, fatkeqësisht, duhet të jemi gati për çdo gjë. Kjo është arsyeja pse ne po e rrisim sigurinë nga ajri” ka theksuar ai.

Skuadra e sigurisë ka planifikuar ndalim të qarkullimit ajror mbi Indianapolis dy orë përpara ndeshjes.

“Ai është momenti kur zona do të jetë një hapësirë ku ndalohet kategorikisht fluturimi. Kufizimi i përkohshëm i fluturimeve do të fillojë dy orë përpara Super Bowl-it, do të vazhdojë gjatë gjithë kohës së lojës si dhe një orë pas përfundimit të saj, pra bëhet fjalë për rreth 7 orë” ka shtuar më tej Rembold.

Finalja e futbollit amerikan Super Bowl është një nga aktivitetet më të mëdha të sportit në Shtetet e Bashkuara, duke tërhequr më shumë se 300 mijë njerëz në kryeqytetin e Indianës.

Një ditë e qetë do të përbënte nivelin më të lartë të suksesit për agjentët që mbrojnë ata tifozë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›