E Diel, 1 Nëntor 2026

Pekini mund të vendosë mbi suksesin e sanksioneve ndaj Iranit

Suksesi i sanksioneve të vendeve perëndimore kundër industrisë së naftës të Iranit mund të varet nga Kina, importuesja më e madhe e naftës iraniane. Një vizitë e kohëve të fundit nga kryeministri kinez, Wen Jiabao në Gjirin Persik e bëri të qartë se Pekini po i vë në plan të parë interesat e veta.

Teherani ka kërcënuar të mbyllë Ngushticën e Hormuzit në përgjige të shtimit të sanksioneve ndaj naftës së tij. Ndërprerja e eksporteve iraniane mund të përbëjnë kërcënim për ekonominë kineze. 11 për qind e naftës së saj vjen nga Irani. Rreth 40 për qind e naftës së tregëtuar në gjithë botën çdo ditë kalon nëpër ngushticën e Hormuzit, përfshirë edhe gati një të tretën e importeve kineze.

Sigurimi i furnizimeve të energjisë ishte një prej çështjeve në krye të rendit të ditës së vizitës së kryeministrit kinez Wen gjatë turneut të tij të fundit në vendet e Gjirit Persik, i cili rezultoi në një numër partneritetesh prej miliarda dollarësh me vendet arabe. Mes tyre janë një marrëveshje e përbashkët për ndërtimin e një rafinerie nafte në bregdetin e Detit të Kuq të Arabisë Saudite.

Planet për këtë projekt kishin filluar para disa muajsh, por analistët thonë se koha e arritjes së marrëveshjes zyrtare ishte një sinjal për Iranin.

Ajo u arrit pasi zyrtarët sauditë, gjithnjë e më shumë të shqetësuar nga kërcënimi që përbën programi bërthanmor i Iranit për sigurinë rajonale, thanë se do të plotësonin çdo shtim të kërkesave kineze për naftë si pasojë e pakësimit të eksporteve iraniane.

Fuqitë perëndimore janë të bindura se programi bërthamor i Iranit ka për qëllimin zhvillimin e armëve, por Teherani insiston se ky program ka vetëm qëllime paqësore.

20 për qind e eksporteve të naftës iraniane përfundojnë në Kinë. Disa analistë thonë se kjo e bën të vështirë për Kinën që të mbështesë plotësisht sanksionet ndërkombëtsre në rritje kundër Iranit.

Duke i dhënë fund turneut në Lindjen e Mesme, gjatë të cilit ai nuk ndaloi në Iran, zoti Wen nuk u kushtoi rëndësi shqetësimeve lidhur me tregëtinë e naftës mes Kinës dhe Republikës Islamike. Por ai u shpreh kundër zotërimit nga Irani të teknologjisë për prodhimin e armëve bërthamore dhe kërcënimeve të Teheranit për të mbylluar Ngushticën e Hormuzit.

Ndërsa shtohet etja e Kinës për naftë, ka të ngjarë që Pekini të heqë dorë nga politika e saj tradicionale e mos ndërhyrjes. Megjithë nevojën në rritje për naftë, Pekini nuk ka nënshkruar ende një marrëveshje të re furnizmesh me Iranin. Përkundrazi kinezët po përpiqen të përfitojnë nga vështirësitë e Iranit si pasojë e sanksioneve për të negociuar çmime më të ulëta. Vënia e interesave të Kinës në plan të parë do të shtojë edhe më shumë presionin mbi ekonominë e Iranit, thonë analistët, duke ndihmuar kështu perëndimin që t`i bëjë presion Teheranit për të braktisur programin e tij bërthamor.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›