Masa të rrepta për mbrojtjen e shëndetit të bimëve

TIRANË, 10 mars/ATSH/ Qeveria synon të krijojë një bazë ligjore të fortë dhe efektive për të mbrojtur shëndetin e bimëve dhe produkteve bimore duke garantuar kështu sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve.
Komisioni Parlamentar për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin nisi diskutimin për projektligjin “Për shëndetin e bimëve”.
Zëvendësministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Arjan Jaupllari, i pranishëm në komision bëri të ditur se synohet ngritja e një sistemi të efektshëm të monitorimit dhe kontrollit të dëmtuesve, si dhe vendosja e masave të nevojshme për të parandaluar hyrjen e tyre në territorin e vendit.
“Ky është një hap i rëndësishëm në ruajtjen e biodiversitetit dhe sigurimin e burimeve natyrore, që janë thelbësore për ushqimin, mjedisin dhe ekonominë”, tha ai.
Ky projektligj konsiderohet një hallkë e rëndësishme në zinxhirin ushqimor dhe në ruajtjen e mjedisit.
“Përmes rregullave dhe masave të përcaktuara në këtë projektligj, synohet të sigurohet që bimët dhe produkte bimore të jenë të sigurta e të shëndetshme për konsumatorët dhe të mbeten burime të qëndrueshme për të ardhmen”, deklaroi Jaupllari.
/j.p//r.e/