Mbi arratisjet e Agollit dhe Kadaresë
Është interesante joshja që kam në këto ditë të jashtëzakonshme të historisë së vendit, të lë kureshtjen mbi numërimin e votave, dhunën, vjedhjet, manipulimet e deklaratat e bujshme, e të tërhiqem përsëri nga dy yje të letrave shqipe.
Kam shkruar shpesh për këta dy personalitete të shquara të kombit, Ismail Kadarenë dhe Dritëro Agollin.
Përgjithësisht kanë qenë shkrime mirënjohëse, diku-diku mbrojtëse ndaj sulmeve të verbra që janë drejtuar mbi ta. Nuk them se kam qenë nga miqtë e tyre më të afërt, por jam i bindur se ata e ndjejnë miqësinë dhe adhurimin tim. Mund të jenë të vetmet pena që ua kam ndjekur çdo vazhdë që kanë lënë e që lënë ditë për ditë, edhe në këto kohëra.
Pyetjet që nuk më lënë të qetë dhe që mëtojnë bile kryet e këtij shkrimi, janë:
Ku janë ata? Janë arratisur përsëri?! Përse këta burra të ndritur arratisen kaq shpesh? Unë do t'ia falja arratinë Lasgushit, por jo aspak këtyre të dyve që arratisen dhe vijnë në realitetin e vrazhdët shqiptar, sa herë duan e sa herë ua diktojnë nevojat e tyre.
Le t'i marrim me radhë arratisjet e tyre. Le të nisim me Ismailin, që është arratisur më shpesh.
Ismail Kadareja, ky personalitet unik, me njohje të gjerë ndërkombëtare ,është qortuar shpesh për bashkëjetesën e tij allasoj me diktaturën dhe diktatorin, mes vuajtjesh të thella, të dukshme dhe të padukshme, duke mbijetuar falë haraçeve dhe falë vlerave të tij të pashembullta.
Do të ishte në nderin e shqiptarëve që asnjë prej tyre në hapësirat e përhapura të mos e gjykojë verbërisht Kadarenë për politikën e tij të mbijetesës. Është tepër e madhe trashëgimia e shquar letrare që solli ky punëtor i palodhur në fushën e kulturës, letërsisë, gjuhës dhe në edukimin e brezave të shkrimtarëve që e pasuan.
Është mjaft i shquar kontributi në shpluhurosjen dhe lartësimin e virtyteve të kombit. Nuk ishte as i urdhëruar dhe as i shtirur orientimi i shqiptarëve nga Kadareja në muajt e gremisjes së diktaturës.
Busulla e tyre e kish drejtimin nga figura e tij, nga vlerat e dukshme që u trashëguan në dhjetëvjeçarët komunistë. Ismaili ka qenë anëtar i Partisë Komuniste pa qenë në thelb asnjëherë komunist.
Ka qenë deputet pa qenë asnjëherë vendimtar. Ismail Kadareja nuk mund të mos ishte i pakënaqur nga realiteti rreth tij. Pas disa sprovash të dështuara për t'u marrë me anën më pak të ndotur të atij realiteti e pas disa vargjesh flakaritës, që atij i vjen zor t'i përmendë (dhe unë me dhimbje ia kujtoj për nevoja të argumentit që po ndërmarr), shkrimtari ynë i vyer u arratis.
U arratis vite me radhë nga realiteti i shëmtuar e nuk u ndal në të: as ta zbukuronte, as ta qortonte e as ta mallkonte! (Ruajna Zot!). Kapërceu kufijtë kohorë dhe u zhyt në mesjetë, në lashtësira më të thella se ajo dhe hera herës, me drojë e pa drojë, lëshonte mesazhe nëpërmjet alegorish, jo aq masivisht popullore, por gjithsesi për t'u lavdëruar përpos vlerave të padiskutueshme letrare që rrethonin anembanë ato.
Pastaj, pas kufijve kohorë, njeriu ynë i shquar kapërceu dhe kufijtë shtetërorë dhe u arratis në Francë. Nuk bashkohem tërësisht me të mbi ekonominë e kësaj arratisjeje në favor të demokratizimit, por gjithsesi, ngjarja ishte e bujshme dhe jo pa ndikim në rritjen e besimit se diçka po ndryshonte. E më pas? E tani?
Tani Ismail Kadareja i ka kthyer përsëri kurrizin realitetit shqiptar. Është arratisur. Fushat e frymëzimeve të tij janë përsëri në të kaluarën e largët dhe shumë të largët. Ai është jashtë teatrit të paskomunizmit shqiptar, jashtë politikës, jashtë banalitetit të fjalimeve fushatore, barazimit të votave dhe komisionerëve të lodhur.
Ismail Kadareja është arratisur përsëri.
Edhe Dritëro Agolli arratisej dhe po arratiset shpesh. Largimet e tij kanë qenë herë-herë si të kolegut të tij të shquar, po më së shumti jo dhe, sidomos, jo me shekuj dhe me kilometra. Dritëroi ishte anëtar jo i thjeshtë i partisë së komunistëve.
Pa drojë, unë marr përgjegjësinë ndaj asaj kategorie që Dritëroin nuk e do, e mund të them se ky individualitet i rrallë ka qenë i Komitetit Qendror të Enverit, por nuk mund të ishte e nuk ka qenë kurrë enverist. Unë, edhe vendosjen e tij në krye të shkrimtarëve dhe artistëve e quaj fat, në krahasim me rastin më të mundshëm të çfarëdo tjetri në vend të tij.
Dritëro Agolli ka qenë një personalitet i madh, një poet modern, një artist mjaft i guximshëm me parametrat e kohës, gazetar i klasit të parë dhe humanist i rrallë në botën e egër të partisë famëkeqe të komunistëve shqiptarë.
Kam kënaqësinë t'i bëj këto përcaktime nisur nga veta e parë. Gazetari Dritëro Agolli, që në vitin 1966 u ngrit të ndreqte (natyrisht pa rezultat) dënimin tim të padrejtë në guroren e Vlorës. Nuk duhet dyshuar aspak se ky mik i vyer kish interesa tek unë. Unë, atëherë as shkrimtar e as poet nuk isha. Më vonë, ky njeri ka debatuar ashpër në favorin tim me anëtarin e Byrosë Politike, Pali Miskën, siç e ka shkruar edhe vetë në një libër të tij.
Atëherë unë isha dikush, më shumë se në vitin '66. Duke patur miqësinë e një njeriu si Dritëro Agolli, unë kam patur rast të jem pranë tij në dhjetëra e dhjetëra ngjarje, ceremonira, premiera teatri, dreka e darka dhe mund të dëshmoj se ky individ ishte një zyrtar komunist krejt atipik, me një gjuhë të ashpër ndaj realitetit dhe sidomos ndaj përgjegjësive. Më së shumti ato mbeteshin pa adresë, por fare të nënkuptueshme. Ia dimë dhe sasinë e haraçeve që pagoi Dritëroi në vargjet e poemave të tij.
Shkroi plot romane, tregime dhe novela, por edhe ky iu arratis realitetit të kooperativave bujqësore e të punëtorëve të pararojës në kantiere. Agolli operoi në fushën e etikës, zgjodhi botën e karaktereve që kanë jetëgjatësi më shumë se e përditshmja.
Satira e tij ishte një parzmore, një arsye për të justifikuar dezertimin e tij nga hymnizimi i parajsës së Enver Hoxhës. Këtë parajsë ai do të na e pikturonte më vonë në përballje vokale me zhurmat e çjerra të fanatikëve enveristë jetimë, në një kongres partie, ku ai i zbërtheu Hoxhës karakterin, bëmat dhe kuptimin e tij historiko-shoqëror. Është e trishtueshme që deri tani është vetëm ky individ që ndërmori një veprimtari të tillë.
As partia e tij e re (PS), as edhe ajo tjetra me pretendimet sipërfaqësore të antikomunizmit (PD), nuk kanë arritur ta bëjnë këtë. Më së shumti, ato të dyja fshihen pas fjalimit të këtij personaliteti dhe duket se e kanë larë borxhin ndaj atyre që u kërkojnë një rezolutë parlamentare, një traktat akademik të diktatorit më të egër të Europës Lindore.
Po më pas? Ku është Dritëroi tani? Arratisur dhe ai?!
Dhe me keqardhje më duhet të mendoj se kjo nuk i ka ardhur as nga mosha e as nga shëndeti.
Nuk mund t'i lejohet një njeriu si ai, të thotë se rruga drejt Prishtinës "është aq e rëndësishme, sa më vonë askush nuk do ta përmendë se sa ka kushtuar"! Ky është një lëshim i madh dhe një arratisje e shëmtuar nga thelbi. Cilin kundërshton Agolli me rëndësinë e rrugës?
Kush e ka vënë në diskutim rëndësinë? Cilën anë mban ai në debatin thelbësor për mungesën e transparencës, për shumëfishin e kostos, për shkeljet ligjore në veprën pas së cilës, me tërë shiritat dhe gërshërët e botës, e lidhi propagandën Sali Berisha.
Nuk është stof i Dritëro Agollit përqeshja satirike e ovacioneve. "Nuk është mirë që ne shqiptarët të thërresim emrat e liderëve "Gaqo-Gaqo!", - thotë ai (po e citoj përafërsisht, me kujtesë), as ajo pjesë që brohorasin "Taqo-Taqo", se këto janë mbetje të diktaturave.
Është thirrur "Duçe-Duçe!" Vërejtja e tij është e drejtë, po përse sforcohet Dritëroi? Le ta lerë Musolinin e në vend të Duçes, le të kujtojë sallat e kongreseve të lavdishëm të PPSh-së dhe brohorimat e njëzëshme në çdo dy minuta, "Parti -Enver". Ç'hyn Gaqoja, këtu?! Bile as Taqoja nuk hyn, se mund ta ilustronte me mikun e tij të viteve të fundit, kur dëgjon të ulërijnë pa fre nëpër sheshe e salla, "Berisha- Berisha"
Përse kjo arratisje nga realiteti?! A mund të mendohet, se Ismail Kadareja nuk ka një opinion të qartë mbi atë që ndodh në Shqipëri, mbi vlerat e sakta të anëtarësimit në NATO dhe mbi fushatat e Sali Berishës, këtij njeriu të dalë nga faqet e folklorit të sukseseve komuniste?
As që kam aspak mendimin të jem unë, ai që do të detyrojë të preferuarit e mi, Agolli dhe Kadare, që të prishin me fjalën agjërimin që i kanë vënë vetes. Le të përkunden në heshtjet e tyre. Unë vetëm dua t'u them, se mungesa e tyre në realitetin e Shqipërisë është brengosëse. Kaq herë është përsëritur nga Ismaili se vajtja në Francë u bë në favor të triumfit të demokracisë.
E mirë, po a u krye kjo? A jemi në parametra demokratikë tani?!
I tërë shqetësimi im i sinqertë në këtë artikull vjen nga nderimi dhe nga konsideratat e larta ndaj tyre.
Dhe i vetëm secili nga ata vlen sa një opozitë shqiptare e paskomunizmit. Ata duhet të jenë të ndërgjegjshëm për këtë dhe duhet ta dinë se heshtja e tyre është aleate me padrejtësinë, me dhunën, me korrupsionin dhe me autoritarizmin. Nuk kanë mbetur ata t'i bëj unë me dijeni se këto ditë në Shqipëri u konsumua një atentat ndaj demokracisë.
Dy njerëz me kredenciale fort të pamjafta, u morën vesh fshehur dhe vendosën të emërojnë njëpërnjë tërë deputetët e Parlamentit të ri. Njëri do mbushë gjysmën e sallës së Kuvendit më njerëzit e emëruar prej tij dhe tjetri gjysmën tjetër të sallës, duke anuluar praktikisht pluralizmin e aq pritur shqiptar.
Kaq larg keni shkuar në arratinë tuaj, more i dashur Ismail dhe ti, i dashur Dritëro, sa të mos e dini se listat e deputetëve nuk u shqyrtuan e as nuk u pleqësuan me bazën lokale, as në Korçë e as në Dibër, as në kolegjume e as në kryesira, por u mbajtën në kasaforta dhe u bënë të njohura vetëm pas dorëzimit zyrtar, kur asgjë nuk mund të kontestohej dhe të ndreqej?
Nuk ua ka zënë veshi ju, të dashur të arratisur, se në ato lista nuk bënte pjesë asnjë nga ata burra që gjatë legjislaturës së kaluar patën kundërshtuar udhëheqjen? Dhe si fund të kësaj stratagjeme do të kemi një Parlament me deputetë, cilësia më e preferuar e të cilëve, do të jetë bindja ndaj të parit.
Si fund të kësaj artifice do të kemi Parlamentin më pak cilësor, pas tendencës që ka zënë vend me vite për zëvendësimin e njerëzve me kulturë dhe integritet, me njerëz që kanë para të fituara me rrugë jo gjithmonë të pastra.
Se përse heshtni ju, unë nuk shtyhem as në hamendje dhe as në shpjegime popullore. Unë marr guximin me rrezik të miqësisë tuaj të çmuar, t'ju them se ju jeni arratisur bash atëherë kur nuk duhej.
Vetë fjala arratisje bën shoqëri me historira, barinjsh, sportistësh, kufitarësh edhe kooperativistësh, të vrarë e të hequr zvarrë, të prangosur e të dënuar. Ato kanë qenë ikje fatkeqe nga realiteti i vendit.
Arratisjet tuaja duhet të ishin ku e ku më të dënueshme!