Masakër në Shkodër, burri vret vajzën dhe gruan

Pjetër Pjolli qëlloi mbi gruan dhe vajzën e më pas qendroi në banesë në pritje të policisë. Rrëfimi në polici: "I vrava se kështu ma dha truri". Shkaqet e krimit të rëndë, gjendja ekonomike dhe xhelozia
Motra e viktimës, Liza Leka, tregon se grindjet mes motrës dhe dhëndrit kanë qenë të vazhdueshme pasi Pjetri nuk punonte dhe e trajtonte keq familjen, por jo deri aty sa të ndodhte kjo që ndodhi. Loro Marku se bashku me gruan e tij, fqinj me viktimat dhe autorin rrefejnë se kanë dëgjuar dy krisma të mbytura dhe një zë që ka bërtitur
SHKODËR- Tmerr në një fshat të Shkodrës, burri i shtëpisë vret me gjakftohtësi të plotë të bijën dhe të shoqen e më pas pret policinë që ta arrestojë. Ngjarja ka ndodhur në orën 05:35 të mëngjesit të djeshëm në fshatin Samërisht i Ri. Dy viktimat janë Marie dhe Kristiana Pjolli ndërsa vrasësi është bashkëshorti dhe babai Pjetër Pjolli, 46-vjeç. Çifti kishte kohë që grindej për motive nga më të ndryshmet dhe dje burri i shtëpisë ka vendosur t'i japë fund çdo gjëje duke vrarë të shoqen dhe të bijën. Burimet e policisë pohuan se shkaku i grindjeve të shumta ishte gjendja ekonomike e familjes dhe xhelozia.
Hetuesit e policisë pohuan se Pjetër Pjolli ka qëlluar me armë, brenda në banesë, gruan e
tij Marie (Nine) dhe vajzën, Kristiana. Kanë qenë fqinjët ata që kanë dëgjuar të shtënat dhe më pas kanë lajmëruar policinë, e cila ka bërë ndalimin e autorit të vrasjes. Pjetër Pjolli, sipas banorëve të fshatit Samërisht, njihet si njeri jo i rregullt. Ai ka qenë disa kohë në Greqi e më pas është kthyer para disa vitesh. Gruaja e tij, Maria, ka punuar për të mbajtur familjen, gjë që sipas bashkëfshtarëve nuk e bënte kryefamiljari Pjetër.
Çifti kishte tre fëmijë, dy djem dhe një vajzë, ndërsa në momentin e ngjarjes në banesë kanë qenë vetëm autori dhe dy viktimat, pasi djemtë janë emigrantë në Itali. Ende nuk dihen shkaqet e plota të vrasjes, por dyshohet se ngjarja ka nisur nga një grindje mes Pjetrit dhe Marijes në prani të së bijës, e cila ka mbajtur anën e nënës së saj. Grindja ka nisur në orët e natës dhe ka vazhduar deri në mëngjes kur Pjetri ka marrë armën dhe ka qëlluar për vdekje të bijën dhe të shoqen. Sipas policisë, autori ka rrëfyer se është grindur me gruan dhe me vajzën për çështje familjare dhe pastaj i ka qëlluar. "Ashtu ma dha truri", mësohet se u ka thënë policëve autori i ngjarjes.
Banorët e fshatit Samërisht i Ri, shprehen se Marija që thirrej me emrin Nine dhe vajza Kristiana janë njohur për sjellje korrekte, ndonëse problemet brenda familjes së tyre kanë qenë të pranishme për shkak të sjelljeve të kryefamiljarit Pjetër. Autori i vrasjes, Pjeter Pjolli,ka lindur ne Dukagjin, ndërsa gruaja e tij në Dajç. Pas martesës ata kanë jetuar pranë familjes së gruas, ndërsa problemet mes tyre kanë kohë që kanë nisur. Motra e viktimës, Liza Leka, tregon se grindjet mes motrës dhe dhëndrit kanë qenë të vazhdueshme pasi Pjetri nuk punonte dhe e trajtonte keq familjen, por jo deri aty sa të ndodhte kjo që ndodhi.
Loro Marku se bashku me gruan e tij, fqinj me viktimat dhe autorin rrefejnë se kanë dëgjuar dy krisma të mbytura dhe një zë që ka bërtitur. Kanë shkuar menjëherë tek Pjetri dhe këtë e kane gjetur me pistoletë në dorë në oborr duke thënë se i vrava. Vetëdorëzimi i autorit është bërë bashkë me armën e krimit dhe sipas policisë ai ka qenë në gjendje depresive. Familja Pjolli ishte mjaft e varfër dhe, sipas bashkëfshatarëve kjo ka ndodhur pasi Pjetër Pjolli nuk ka qenë njeri i rregullt, nuk ka punuar dhe është sjellur keq.
Duke qenë se vetëm gruaja punonte dhe djemtë ishin në Itali, grindjet mes çiftit ishin më së shumti për shkaqe ekonomike dhe për sjelljet e kryefamiljarit. Ky është rasti i dytë brenda një muaji që krimi në familje shkaton viktima në qarkun e Shkodrës. Më 8 korrik një 41- vjeçare u vra nga bashkëshorti i saj në fshatin Aliaj të komunës Kastrat në Malësi të Madhe .