Ligji i ri, investimet e huaja janë të paprekshme

Në mbrojtje të vçantë merren investimet në sektorin e turizmit, i cili shpesh ka qenë në qendër të skandaleve për prishje të ndërtimeve
Merren në mbrojtje nga shteti shqiptar të gjitha investimet e huaja që kanë vlerë më të madhe se 10 milionë euro
TIRANË-Të investuarit në Shqipëri do të jetë një privilegj i vçantë për të huajt. Ligji i
shumëpërfolur për mbrojtjen e posaçme shtetërore të investimeve të huaja ndaj çdo veprimi arbitrar të administratës apo të gjykatave ka mbërritur në Kuvend dhe pritet të fillojë së shqyrtuari së shpejti. Hartimi i ligjit ka qenë detyrim i marrëveshjes së Asociim-Stabilizimit të firmosur nga vendi ynë, mbi bazën e të cilit shteti shqiptar merr përsipër të zëvendësojë bizneset e huaja në gjyq rastet kur ata përballen me procese të tilla me palë të treta. Në këtë rast, nëse gjykata vendos në favor të paditësit, i cili mund të jetë pronari i truallit apo objektit mbi të cilin është ngritur biznesi, shteti merr përsipër ta kompensojë atë me prona publike diku tjetër ndërsa biznesi do të vijojë aktivitetin normalisht.
Krahas kësaj, një mbrojtje tjetër edhe më e madhe lidhet me imunitetin e investimeve të huaja ndaj sistemit gjyqësor shqiptar. Nëse një investim ka marrë statusin e mbrojtjes së posaçme shtetërore, Gjykatat Shqiptare nuk mund të marrin asnjë masë sigurimi padie, siç mund të jetë pezullimi i aktivitetit apo sekuestrimi. Pas dhënies së këtij statusi, sigurimi i padisë mund të bëhet vetëm mbi pasuri publike. Ligji gjithashtu njeh edhe mundësinë e shpronësimit të pronarit në favor të investitorit. Në rastet kur ka një vendim të formës së prerë të gjykatës për rrëzimin e të drejtës së investitorit të huaj mbi pasuritë e paluajtshme, qeveria mund të vendosë shpronësimin e kësaj prone për interes publik dhe t'ia rikthejë atë investitorit. Edhe në rastet kur masa e sigurimit të padisë është dhënë para hyrjes në fuqi të këtij ligji, shteti me anë të Avokatit të Shtetit i kërkon gjykatës zëvendësimin e kësaj mase, tashmë jo më mbi pronën e biznesit por mbi pasuri publike.
Për çdo rast, masa e mbrojtjes merret për investime të huaja që kanë vlerë më të madhe se 10 milionë euro. Sipas ligjit, të mbrojtur në marrëdhënie me administratën dhe sistemin gjyqësor shqiptar janë investimet në energjetikë, bujqësi, koncensionet, pasuri që i janë vënë në dispozicion biznesit nga shteti shqiptar, etj. Qeveria është kujdesur që në listën e investimeve të mbrojtura të fusë edhe sektorin e turizmit, i cili është cilësuar si një ndër më prioritarët. Gjatë viteve të fundit, në këtë sektor ka pasur zhvillime të shumta, ku mund të përmendin miratimin e një serë ligjesh për shitjen e trojeve në fshatra turistikë, prishjen e ndërtimeve të cilësuara pa lejë në disa zona të bregdetit si dhe një mori projektesh për realizimin e disa projekteve.
Në çdo rast, këto investime janë të mbrojtura dhe nëse do të bëhet fjalë për dëmshpërblim ndaj investitorit, ai do të bëhet me prona apo pasuri të tjera publike. Për të arritur deri këtu, fillimisht investimi duhet të marrë statusin e mbrojtjes së posaçme shtetërore si dhe shteti shqiptar të ketë qenë pjesëmarrës gjatë zhvillimit të gjyqit duke zëvendësuar palën e paditur.