Masakër në Tiranë. Dhëndri vret vjehrrin, djalin e më pas veten
Krimi në familje ka shënuar 3 viktima sot në një lagje të Alliasit, mbrapa Fakultetit të Mjekësisë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 12 e 30 minuta ku dhëndri i familjes Gjoni, Petrit Zaimi ka vrarë me armë zjarri vjehrrin Hasbi Gjoni dhe ka lënë të plagosur Nadire Gjonin. Tragjedia ka vazhduar më tej kur viktima Zaimi gjatë momentit të krimit, ka qëlluar nga pakujdesia dhe mbi djalin e tij 13-vjeçar, i cili ka gjetur vdekjen rrugës për në Spitalin Ushtarak. Nga krimi i kryer dhe në kushtet e tronditjes së rëndë, më pas Zaimi i ka dhënë fund jetës duke u vetvrarë. Në Spitalin Ushtarak në gjendje të rëndë, mbetet vetëm vjehrra e Zaimit Nadire Gjoni. Policia ende nuk ka dalë në një variant zyrtar, por mësohet se çifti kishte probleme martesore të cilat kishin çuar në divorc. Forcat e policisë, po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.