E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universitetet private dhe publikja që se kemi ndërtuar

FATOS LUBONJA

Njëzet e një vjet prej kohës kur studentët dolën me thirrjen E duam Shqipërinë si gjithë Europa, nëse një student shqiptar aplikon për punë në një vend europian me diplomë shqiptare, kjo nuk i njihet. Pra, një brezi të tërë, që ka lindur në atë kohë, i duhet, njëlloj si brezit të komunizmit, të fillojë nga e para apo të japë provime shtesë – dhe thuhet se shanset i ka më të pakta se brezi i komunizmit. Pas skandalit me diplomën e shitur Renzo Bossi-t, kjo perspektivë bëhet edhe më e errët. Ndërkaq, paradoksalisht, askush nuk e vë re këtë dështim dramatik, përkundrazi, dëgjojmë hosanara për gjendjen e arsimit tonë të lartë. Një pjesë, me në krye Henri Çilin, kërkojnë të na e rrisin optimizmin duke iu referuar universiteteve private si rruga për tu bërë europianë, siç sugjeron edhe emri i universitetit të tij. Mendimi im është se me universitetet private vështirësitë e mirarsimimit të shqiptarëve nuk po zgjidhen, por po thellohen. Le të përpiqem ta argumentoj qëndrimin tim.
Së pari, më duhet të them se thelbi i kritikës sime kundër arsimit privat qëndron në atë se e drejta e arsimimit është një e drejtë themelore e njeriut. Sipas këtij vizioni, në të cilin besoj thellësisht, qoftë edhe vetëm duke parë, sipërfaqësisht, se sa të bukur janë të gjithë fëmijët e kësaj bote, shkollimi i fëmijëve është një punë publike që nuk duhet bërë kurrsesi në frymën e përfitimit material dhe aq më pak të atij afatshkurtër, por me frymën e shërbimit ndaj të gjithë fëmijëve, në emër të një përfitimi shumë më afatgjatë dhe jo vetëm material. Sepse, asgjë më shumë se sa shkolla nuk kultivon sot, krahas çlirimit të njeriut nga burgu i padijes, edhe  ndjenja e vlera të tilla si ato të kohezionit social, të solidaritetit, të kontinuitetit të jetës së një shoqërie, të një kulture e të një historie të përbashkët që hapen ndaj kulturave të tjera. Dhe, sipas këtij vizioni, ashtu si një familje sakrifikon shumëçka për të shkolluar e edukuar fëmijët e vet, ashtu edhe një shoqëri, si një familje e madhe, duhet të kujdeset për të gjithë fëmijët e vet. Nisur nga ky vizion, gjykoj se trajtimi i arsimit si një çështje përfitimi privat, siç po ndodh sot te ne jo vetëm në shkollat private e që lidhet ngushtë edhe me polarizimin e shoqërisë, po e varfëron dita-ditës shoqërinë tonë, sa duke bjerrë vlerën e arsimimit, aq edhe duke lenë jashtë mundësive të shkollimit shumë fëmijë, ndër të cilët mund të ketë edhe shumë talente të rralla.
Kundër këtij argumenti vlen të diskutohet vetëm me ata sipas të cilëve privatja dhe publikja nuk janë në kontradiktë me njëra-tjetrën, por se një privat që punon mirë për interesin e tij mund të jetë, pikërisht për këtë, i dobishëm edhe për shoqërinë. Së pari, u kujtoj këtyre se, përsa i përket arsimimit, edhe në vendin e kultit të iniciativës së lirë private, SHBA, të cilave ata u referohen aq shumë, universitetet nuk punojnë për interes privat, por janë non profit dhe se madje, përkundrazi, janë privatët që derdhin para në to në formë filantropie ose lehtësimi barre fiskale, ndërkohë që studentët paguajnë jo për të mbushur xhepat e ndoca individëve, por pasi këto universitete i paguajnë shumë mirë pedagogët, kanë investime të mëdha për kërkime shkencore, për rinovime të laboratorëve etj., etj. Së dyti, u shtroj atyre pyetjen: a mund të flitet për privatë filantropë në kapitalizmin e ri shqiptar, ndërkohë që shohim se edhe në botën e kapitalizmit të të drejtave të njeriut po e përjetojmë jo pak, madje edhe në formë dramatike, thënien e Krishti se është më lehtë të kalojë një deve në vrimën e gjilpërës, sesa një i pasur të hyjë në mbretërinë e qiellit?
* * *
Në këtë pikë më duket se vlen të them dy fjalë për atë që e cilësova publike, duke iu referuar si regjimit komunist, edhe sistemit të sotëm, pasi, sipas meje, ka shumë keqkuptim kur pretendohet se privatja e sotme është e kundërta e shtetërores së regjimit të djeshëm.  Shtetërorja e komunizmit nuk ka qenë publike, por formë e sundimit të një bande që e përdorte ekonominë shtetërore dhe arsimin shtetëror për interesin e pushtetit dhe të mirëqenies së vet, paçka se kjo nuk ndodhte në formën e vënies së pasurive private të trashëgueshme. Po ashtu, përvoja e këtyre njëzet vjetëve nën sundimin e më të këqijve të komunistëve, atyre të kthyer në antikomunistë, na ka treguar se publikja që ata duhet të menaxhojnë, jo vetëm trajtohet si shtetërorja e djeshme, por, e shartuar me privaten, nëpërmjet korrupsionit, ajo është vënë kryekëput në funksion të pasurimit të një grupi njerëzish dhe në dëm të interesit publik. Në thelb, pra, nuk kemi kontradiktë, përkundrazi, kemi të bëjmë me vazhdimësi, më saktë me dy ekstreme që puqen, ku arsimi është vetëm një nga aspektet. Sigurisht sistemi që kemi ndërtuar ka edhe zbutjet e veta, veçanërisht kur vjen puna për karakterin totalitar të sistemit të djeshëm, sepse ky i sotmi, sikurse e kam thënë edhe në shkrimin paraardhës, e lejon shumë më tepër kritikën ndaj tij në favor të publikes, por, sipas meje, gjithë duke mbetur thellësisht antipublik.
Ilustrimi më i mirë i vazhdimësisë së antipublikes edhe në sistemin e sotëm janë politikat dhe ekonomitë piramidale që janë ndërtuar në Shqipëri gjatë këtyre njëzet vjetëve. Me ekonomi piramidale kam parasysh atë çka përjetuam në mënyrën më të dukshme me piramidat e 97-s: së pari, mashtrimin e publikut nga një grusht individësh me premtimin e zgjidhjes së një nevoje bazike për ta; së dyti, faktin se mashtrimi nuk zbulohet dot nga shteti, nga mediat, nga opozita, pasi ato janë pjesë e këtij mashtrimi; së treti, faktin se vjen një moment kur mashtrimi akumulon aq të keqe saqë kjo shpërthen me pasoja dramatike për gjithë shoqërinë. A nuk ishte kështu edhe piramida e madhe e 45 viteve komunizëm: një mashtrim i madh i bazuar në premtimin se do të hamë me lugë floriri, që përfundoi me eksodin dramatik të shqiptarëve më 1990-1991? Piramidat e sotme, pra, ndryshe nga çmendohet pa u thelluar, e kanë mëmën e tyre te piramida e madhe 45-vjeçare e komunizmit dhe te antropologjia e njeriut të edukuar në atë regjim. Pjella e parë e kësaj mëme të madhe qenë piramidat financiare të 97-s për dëmin e së cilave nuk është nevoja të flas. Pjella e dytë është industria e ndërtimit, që u zhvillua veçanërisht në epokën e socialistëve në pushtet. Një pjellë e tretë e rëndësishme, sipas meje, janë universitetet private. Le të them dy fjalë për dy të fundit.
Piramidat e ndërtimit, që ende skanë falimentuar, por janë në krizë të thellë, vërtet zgjidhën një pjesë të nevojave të shqiptarëve për strehim, – mashtrimi bazohet gjithnjë mbi një nevojë bazike të njerëzve por ama ua zhvleftësuan shumë shpejt atyre investimin e bërë. Dhe kjo jo vetëm pse u zunë ajrin, dritën e diellin me dendësinë e paparë të ndërtimeve, jo vetëm pse i sollën një dëm katastrofik shtëpisë së tyre të madhe në kuptimin e shkatërrimit të territorit, peizazhit, natyrës, trashëgimisë kulturore, por edhe pse zhvilluan një ekonomi krejtësisht njëdimensionale, që, me fundin e saj, e ka venë në rrezik vendin me projektin piramidal numër katër të Sali Berishës, i cili, përballë nevojës së pangishme për pushtet dhe për para, ka zgjedhur tia falë Shqipërinë çdo privati që kërkon të hapë fabrika çimentoje, të digëzojë lumenjtë shqiptarë, të sjellë plehra për të djegur, të krijojë petrolifera gjigante, parqe industriale etj., me pasoja të pallogaritshme për ambientin dhe cilësinë e jetës së shqiptarëve në terma afatgjata.
Universitetet private janë në thelb pjella e tretë në lulëzim e sistemit piramidal. Këtë ta sugjeron pikërisht fakti se ndërkohë që ato pretendojnë se po u përgjigjen një nevoje bazike të njerëzve, arsimimit të fëmijëve të tyre, e  ndërkohë që prodhojnë një mall skarco, lehtësisht të verifikueshëm edhe me sy të lirë, ato, ashtu si indust

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›