E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masakra e Dajtit, njëvit nga vrasja e 4oficerëve të policisë

TIRANE- Pasditen e 7 gushtit 2009 katër oficerëve të skuadrës speciale të Antikrimit të Organizuar, u vranë në përpjekje për të arrestuar të kërkuarin Dritan Dajti në zonën e Plazhit të Durrësit.

Familjarët, miq dhe të afërm do të përkujtojnë sot 4 Dëshmorët e Atdheut, komandantin e skuadrës, Fatos Xhani e tre kryeinspektorët Altin Dizdari, Kastriot Feskaj dhe Saimir Duçkollari, të vrarë në krye të detyrës. Ndërsa ceremonia zyrtare e përkujtimit nga autoritetet shtetërore do të zhvillohet të hënën.

Gazeta Shqiptare shkruan sot se të afërmit e viktimave janë shprehur se për ta nuk ka problem ceremonia zyrtare e përkujtimit, pasi ata vetë ishin përgatitur ta kryenin sipas zakoneve të familjeve gjatë ditës së sotme.
Sipas policisë, është vendosur që dita e shtunë të jetë dita kur familjarët do e përkujtojnë humbjen e të afërmve të tyre dhe "shteti" do organizojë ceremonitë për të hënën.

Ndërkohë, burime të 'Gazetës' janë shprehur se shkak për shtyrjen e ceremonisë është fakti që disa prej oficerëve të lartë të Policisë së Shtetit ndodhen jashtë vendit, dhe është lënë që të mbyllet fundjava më parë.

Sipas njoftimit të dërguar nga zëdhënësja Klejda Plangarica, "ceremonia përkujtimore për katër 'Dëshmorët e Atdheut' të rënë në krye të detyrës një vit më parë, do të zhvillohet ditën e hënë më 9 gusht, në orën 10:00, pranë Varrezave të Dëshmorëve".
Vrasja
Pasditen e 7 gushtit të vitit të kaluar, skuadra e Operacioneve Speciale ndërhyri për arrestimin e Dritan Dajtit. Ky i fundit ishte në kërkim si i akuzuar për vrasjen e biznesmenit Agim Beqa në 17 shkurt 1999, dhe ishte arratisur në vitin 2002 nga gjykata e Tiranës, ku do të rigjykohej për këtë akuzë. Sipas versionit të policisë pas ngjarjes, por që është marrë e mirëfilltë në hetimin e prokurorisë së Krimeve të Rënda, Dajti ishte përfshirë në gjobëvënie si dhe në pazare droge. Dy versionet janë marrë për bazë në vënien në gjurmim të Dajtit, të skuadrës së Antikrimit të Organizuar. Në momentin e ndërhyrjes mes policisë dhe Dajtit pati shkëmbim zjarri, në të cilin u vranë katër oficerët, si dhe Ledion Mara, i cili u deklarua se ishte mik i Dritan Dajtit. Në hetimet e prokurorisë pretendohet se Mara është vrarë gabimisht nga Dajti, një plumb që ka tejshpuar Saimir Duçkollarin, por që ky fakt është mohuar nga vetë i akuzuari pas arrestimit. Në pranga, veç Dajtit përfundoi edhe kunati i tij, Erges Xhoxhi, që është i akuzuar për përkrahje të autorit të krimit. Disa javë pas ngjarjes u arrestua oficeri i policisë, Mariglen Muçaj me akuzën se ka ndihmuar Dajtin të fshihej gjatë kohës që ishte në kërkim.
(s.g/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›