Masakra e Pukës, dështon një operacion për kapjen e dy vëllezërve
Dy vëllezërit Anton dhe Sokol Përmarkaj, të dyshuar për masakrën e Pukës, ku humbën jetën dy vetë dhe u plagosën katër të tjerë, i kanë shpëtuar policisë, ndërkohë që në pranga ka përfunduar vetëm babai i tyre. Operacioni për kapjen e tyre është realizuar dje, pasi ishte marrë informacion se ata ndodheshin në banesë. Burimet policore të Shkodrës bënë të ditur se agjentët e policisë kishin marrë informacion se dy të kërkuarit ishin kthyer në banesë. Në këto kushte, policia e Shkodrës, në bashkëpunim me atë të Pukës kanë zhvilluar një operacion të shpejtë, por gjatë kontrollit në banesë, nuk kanë mundur ti gjejnë të dyshuarit. Në këto kushte, policia ka arrestuar babanë e tyre, Gjin Përmarkaj, 70 vjeç, i cili ka kundërshtuar policinë dhe dyshohet se ka ndihmuar dy fëmijët për tu strehuar. Operacioni i policisë ka vijuar edhe gjatë orëve të natës me kërkime në zonë për të dyshuarit Anton dhe Sokol Përmarkaj. A. Hoti
Masakra e Pukës, dështon një operacion për kapjen e dy vëllezërve burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip