Krimi i rrugës, policia, në shërbim 12 orësh
Pas anulimit të lejeve vjetore, urdhri i ri nisi të zbatohet dje
Në shërbim të përforcuar kanë kaluar të gjitha komisariatet dhe sektorët e Policisë së Tiranës
Kjo gjendje gatishmërie e policisë kryeqytetase pritet të vijojë deri në fund të muajit gusht
Bledi Gilaj
Pas anulimit të lejeve vjetore, Policia e Tiranës ka kaluar në shërbim të përforcuar, me qëllim që të rrisë sa më shumë prezencën e uniformave blu në rrugët e kryeqytetit. Urdhri është dhënë dy net më parë dhe shërbimet e përforcuara kanë nisur punën që dje në mëngjes në të gjitha komisariatet apo në sektorët e policisë së kryeqytetit. Edhe pas kapjes së një të dyshuarve të vrasjes së 38-vjeçares te Fusha e Aviacionit në Tiranë, gjendja e gatishmërisë pritet të mos ndryshojë, të paktën deri në fund të këtij muaji.
Burimet policore tregojnë se menjëherë pas analizës së kryer me ministrin e Brendshëm dhe me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, kur u krye vrasja e 38-vjeçares Fatbardha Tafaj, kreu i policisë kryeqytetase urdhëroi anulimin e të gjitha lejeve vjetore dhe kthimin në punë të oficerëve, që aktualisht ishin me pushime. Ndërsa të premten, një urdhër tjetër ka shkuar në të gjitha komisariatet e Tiranës, por edhe në sektorët e drejtorisë, ku deklarohej se të gjitha shërbimet e policisë kalojnë në gjendje të përforcuar deri në një urdhër të dytë. Kjo për arsye të shtimit të krimeve të shumta në kryeqytet, sidomos ato të vrasjeve, plagosjeve dhe grabitjeve. Madje, urdhri ka hyrë në fuqi menjëherë, kështu që të gjitha shërbimet e policisë, dje kanë kaluar me orar 12 orësh. Sipas burimeve pranë policisë, ata do të kryejnë 12 orë shërbim dhe 12 orë pushim. Kjo gjendje nuk dihet deri kur do të vazhdojë, megjithëse u arrestua një ndër autorët e dyshuar të krimit të rëndë, që tronditi jo vetëm Tiranën, por të gjithë Shqipërinë, duke sjellë panik te banorët nga frika e hajdutëve të dhunshëm në çdo rrugë.
Sipas të dhënave, këto masa kanë ardhur për shkak të mungesës së efektivit për të qenë sa më pranë komunitetit dhe mungesës së kushteve të tjera të parealizuara ndaj uniformave blu, siç janë përmendur edhe më parë nga gazeta Shqip. Aktualisht, në çdo strukturë policie është lëshuar alarmi për krimin e rrugës, që është kthyer në një fenomen shumë shqetësues dhe kërkohet që të ndërhyhet urgjentisht, me qëllim zvogëlimin e shifrave të frikshme. Madje, vjedhjet e ndryshme, duke filluar që nga ato me thyerje, e deri tek ato me dhunë, apo grabitjet me armë ose me pasojë vdekjen kanë ardhur në rritje, nga dita në ditë, duke sjellë edhe më shumë frikë te qytetarët. Në tendencën në rritje të këtij grupi veprash penale çmohet se kanë ndikuar faktorët socialë-ekonomikë dhe ulja vit pas viti e zbulueshmërisë së autorëve të tyre, pasi pikërisht ata persona që nuk janë kapur duket se janë bërë edhe më profesionistë.
Një tjetër faktor janë kushtet për policinë. Drejtoria e Tiranës, në mungesë të një strategjie tjetër, kishte zgjedhur mënyrën e patrullimit nëpër lagje me fenelina policie, me qëllim që të mbajë nën tension elementin kriminal, që kishte ndikuar deri diku, për të parandaluar ndonjë vjedhje të dhunshme apo ndonjë konflikt me pasoja. Por, me reduktimin e karburantit për mjetet e policisë dhe frikën e patrullave se do u duhet që të paguajnë nga xhepi, edhe kjo metodë është zbehur. Ndërsa për patrullimin në këmbë, nga efektivët mësohet se është e pamundur për shkak të raportit shumë të keq mes punonjësve të policisë me banorët, pasi në Tiranë rezulton se është një punonjës policie për 450 banorë. Shtimi i punonjësve të policisë nëpër kryeqytet është vënë re me sy të lirë, ndërkohë që ngrihet shqetësimi se deri kur ata mund të durojnë këtë barrë, pasi siç dihet, aktualisht janë ndaluar edhe pagesat për orët suplementare dhe ato mund të jepen vetëm me urdhër të ministrit të Brendshëm, që nuk dihet nëse ka dhënë këtë urdhër për shërbim të përforcuar të policisë.
Parandalimi
Urdhri ka hyrë në fuqi menjëherë dhe është dhënë me qëllim uljen e krimit të rrugës dhe parandalimin e ndonjë ngjarjeje tjetër të rëndë
Urdhri
Masat erdhën për shkak të mungesës së efektivit, për të qenë sa më pranë komunitetit dhe mungesës së kushteve të tjera të policisë
Efektivi
Aktualisht, rreth 2 mijë punonjës së Policisë së Tiranës janë në punë, në gjendje të përforcuar, pasi kanë braktisur lejet vjetore
Shkaqet
Tirana pati një shtim të ndjeshëm të krimit të rrugës, sidomos të vjedhjeve me dhunë, ndërkohë që nuk kanë munguar edhe vrasjet
Strategjia
Alarmi për mungesën e një strategjie për të luftuar krimin e rrugës është dhënë prej kohësh, ndërkohë që sapo ka nisur një studim
Krimi i rrugës, policia, në shërbim 12 orësh burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip